Blog

Fletorka, tregimi i së dielës

Sot e nxora prapë fletorkën. E nxora nga dollapi i rrobave,fshehur mes bluzave kashmiri. Ka vite që e shfletoj,por duket sikur e kam blerë tani. Është me 32 fletë,nga ato që kur ishim nxënës e blinim 8 lekë. E gjitha me katrore plot dhe me një vijë të kuqe anash në çdo fletë. Pasi shkrojta se sot mbesa mësoi skitë pashë se nuk mbeti më asnjë fletë bosh. Në çdo katror nga fillimi deri në fund kishte plot e plot shënime. Pra mbaroi,por tani filloj ta tregoj historinë e fletorkës sime me katrore.
Featured image of article: Fletorka, tregimi i së dielës Agim Xhafka

Nga Agim Xhafka

Para shumë e shumë vitesh,kur u ndërruan qeveritë,siç ndodh në vendin tonë e pashë veten të papunë. Isha specialist në ministri,por ja që drejtuesi që erdhi as më takoi,por me një telefon te zyra më lajmeroi të mos dukesha andej rrotull qysh nesër. Kaq dhe pip,pip,pip. Isha i ri,relativisht,as 40 vjeçar. Me dy vajza binjake në shkollë të mesme,me gruan që pandehja se ishte në punë. Sa arrita në shtëpi më tha ajo gjëmën e para:
-Më pushuan. S’kemi nevojë pér ty si mësuese,-më thanë.
-Edhe mua.
U përqafuam,donim të qanim,por trokiti dera e vajzat ia nisën këngës:
-Shumë urime për ty…
U kujtova që kisha ditëlindjen. Si mort e festuam. Nga darka,ndérsa po mendonim se si do na vinte halli,vajza e madhe pesë minuta ,propozoi:
-O ba,ti ke humor fantastik. Pse nuk boton një gazetë me gallata. Dhe shite!
Ato vite pati një lulëzim botimesh. Sidomos gazeta e revista erotike. Popull i frustuar dhe shfrynin kur shihnin femra lakuriq. Qesha dhe e hodha tej si mundësi.
Fjeta atë natë sikur isha shtrirë mbi gurë. Pa u gdhirë shkova te Edi,shoku im gazetar. Ia thashë si ide. U gëzova që më mbështeti. E kështu nga inxhinier u ktheva në humorist. Nxora një gazetë që e quajta “Qesh,or qesh,” Mbaj mend dhe sot kur çova tufën e madhe prej 500 copësh në shtëpi. Isha bërë djersë nga lodhja e i kuq në fytyrë nga sikleti. Iu futëm punës të katért dhe i bëmë tufa tufa me nga 50 copë sejcila. I ngarkova në kurriz shumicën,ca i mbajti gruaja dhe arritëm te ish-kinema “Ali Demi” Atje vinin njerëz nga qytetet e ndryshme dhe merrnin gazetat e javës. Kur kaluan para meje ndenjën me dyzim.
-Ka shalë e gjoks?
-Jo.
-Po ç’ka?
-Gallatë.
-Na jep dhjetë copë t’i provojmë.
Ua dhashë e ndérkohë po ngatérrohesha me numrat. Nuk po mbaja mend sa dhashe e kujt. Atëhere gruaja bleu fletorkën me katrore e ia nisëm:”Prill 1992,Tepelena 10 copë,Korca 30 copë,Berati 6 copë…” Pasi ikën gazetashitësit e rretheve më ngelën mbi 100 pa u shpérndarë.
-Ec unazës dhe ndaji vetë te tezgat e gazetave.-më thanë botuesit me pérvojë.
I ramë rreth e qark Tiranës e arritëm në shtëpi pa ngarkesë,por të drobitur. Por dhe me ankth. A do shiten. Po prisja mëngjesin si gjeli dritën e parë majë malit. U vesha e pa futur gjë në gojë te shitësi i lagjes. Njerëzit në rradhë për gazetat e ditës. Dëgjoja Fiqo,më jep Koha Jonë.Fiqo,më jep…Mora kurajo:
-Fiqo,ke shitur ndonjë “Qesh,or qesh”.?
-Edhe dy më kanë ngelur.
Hapa fletorkën. Fiqo,Fiqo,ku është Fiqo? Ja,i kam dhënë 10 copë. Zemra mori ritëm të shpejtë. U gëzova deri në lumturi. Më duket se ia dola. Vrap rreth unazës. Pyet e pyet dhe gëzohu e gëzohu. Nga ora dhjetë kthehem në shtëpi e pérqafoj gruan. Kaq i ngazëllyer sa ajo pyeti:
-Të kthyen në punë?
-Më shumë se aq. U shit gazeta.
Nuk patëm fjalë. Besuam se e ardhmja s’qe aq e rëndë dhe aq trishtuese. Dolëm pér një shëtitje dhe pasdite u ngula të shkruaja numrin e ri të gazetës. Sërish erdha në shtëpi me 800 copë këtë herë. I bëmë tok 50 e 50 dhe në mëngjes tek ish-kinema “Ali Demi” po prisnim gazetashitësit nga rrethet. Unë me gazeta në dorë gruaja me fletorkën në duar.
-Tepelena jam. Na lekët,i shita të gjitha. Më jep dhjetë më tepér sot.
-Jam Korça. U gajasën njerëzit. Na lekët. Më jep 50 copë…
Dialogu më i lumtur që kisha ndjerë ndonjëherë. Pasi ikën rrethet na ngelën pak për Tiranën. E shpérndava si me pikatore,por në fletorkë shënova sa donin tamam. Të isha gati për numrin e ri.
Në shtëpi aq lekë nuk i patëm kurrë më parë. Më e gëzuar ishte gruaja.
-Prit,-i thashë.-Se duhen hequr lekët e shtypshkronjës dhe të faqosësit.
Sërish ngelën kënaqshëm. Aq sa na qetesoi e morëm guximin të hanim pica në darkë me vajzat.
Muaj pas muaji u rritën shifrat. Se u rrit gazeta. Shkoi deri 3 mijë kopje. Thuajse një pasuri. Më pas nisa të shkruaja dhe në gazeta të tjera. Më paguanin dhe në fletorkë hyri zëri “Honorar”. Pastaj pa dashje erdhën ca reklama.
-Shkruaji zë më vete në fletorkë,-i thashë gruas.
Kështu shifrat u rritën dhe një ditë gruaja shkroi atje ”Gimi ka ditëlindjen”
-Pse këtu?- e pyeta.
-Epo tani e kemi si historinë e familjes,-më tha.
E béri pa dashje,ama na pëlqeu. Te fletorka si tek një pasqyrë shihnim e shkruanim ndryshimet. Ja,mbaruan shkollën vajzat. Ja,gruaj botoi një libër pér shkollat,mori kaq e aq lekë. Vajzat ikën në Amerikë,duan aq e aq dollarë. Porositëm shtëpi të re,kushtoi shumë lekë, por shitëm shtëpinë e vjetér.
Hap faqet e si një album fotografik shoh pérpjekjet dhe forcën e familjes. Si një rezonancë magnetike duken lodhjet,gëzimet,pritjet,ankthet,dëshirat,ëndérrat. Nga fundi martohen vajzat,lindin nipérit dhe mbesat…
Sot u shkrua dhe faqja e fundit. U mbush fletorka plot. Me shënimin “Mbesa mësoi skitë.” Fletë që më duken dhe si fletë lavdérimi. Jo veç të punë sime,por të harmonisë mes të katérve.
Fletorka e mbaroi misionin. Mbajti brenda vetes kaq e aq ngjarje. Tani do e mbaj si relike të çmuar. Nuk do nis tjetér. Se faqet tona tani janë mes gëzimeve të nipérve,mbesave dhe vajzave. Kur ato të mbajnë shënim në fletorkat e tyre të shkruajnë mbi bëmat e babait e nënës,të gjyshit e gjyshes.
Fletorka si foto e çmuar,mban mall,lotë,shpresa e realizime. E kam ngrohtë mes pulovrave të mija prej kashmiri. E kam si brenda zemrës…
Etiketa:

Shto Koment