Dikur

FJALIMET/ 5 politikanët shqiptarë që dinin të flisnin, Berisha që përloti PD, Rama për armët kimike e Rugova që çoi në këmbë Strasburgun

Dosja.al ka zgjedhur disa fjalime (pa asnjë preferencë apo simpati) që kanë mbetur në memorien e  njerëzve për arsye nga më të ndryshmet.
Featured image of article: FJALIMET/ 5 politikanët shqiptarë që dinin të flisnin, Berisha që përloti PD, Rama për armët kimike e Rugova që çoi në këmbë Strasburgun Politikanë shqiptarë

Në rubrikën “Dikur” do të rikthejmë në kujtesë pesë nga fjalimet më të mira të politikanëve shqiptarë ndër vite.  Edhe pse oratoria duhet të jetë një nga armët më të forta në arsenalin e politikanit, sot në Kuvendin e Shqipërisë po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dëgjosh.

Dosja.al ka zgjedhur disa fjalime (pa asnjë preferencë apo simpati) që kanë mbetur në memorien e  njerëzve për arsye nga më të ndryshmet. Duke iu përmbajtur rendit kohor e pa mundur që të vendosim se cili është më i miri vijojmë me fjalimet si më poshtë.

Ramiz Alia, fjalimi i 1989

Ibrahim Rugova ngre në këmbë deputetët e Parlamentit Europian

Në Strasburg, më 16 dhjetor 1998, në selinë e Parlamentin Evropian në Strasburg,  Ibrahim Rugovës, në një ceremoni madhështore iu dorëzua Çmimi Saharov nga kryetari i Parlamentit Evropian, Hoze Maria Robles Delgado.

Në një periudhë ku mercenarët dhe ushtarët serbë kryenin masakra e shqiptarët përpiqeshin t’ja mbath nin nga sytë-këmbët, Rugova ngriti zërin për ndërhyrje.

Sali Berisha, fjalimi i dorëheqjes, 29 minuta që kujtuan numrin e “mallkuar”

Tjetër fjalim i shoqëruar me ovacione e lot ishte fjalimi i dorëheqjes nga drejtimi i PD-së, së liderit demokrat, Sali Berishës.

Si për ironi të fatit, me një fjalim, që zgjati ekzaktësisht 29 minuta, aq sa ishte dhe numrin i Partisë Socialiste në fletën e votimit, Berisha pranoi humbjen duke marrë të gjitha përgjegjësitë para elektoratit të tij. Pasi kishte provuar çdo post në sistemin pluralistë të vendit, Berisha hoqi dorë nga çdo funksion, përveçse nga ai i deputetit.

Edi Rama për ndalimin e armëve kimike

I sapo zgjedhur kryeministër i vendit, Edi Rama përballet opër herë të parë me kundërshtimin nga populli për demontimin e armëve kimike në Shqipëri. Një protestë popullore që zgjati disa ditë, detyroi Ramën që të dilte në një konferencë të pazakontë nga Kryeministria.

Teksa bulevardi gëlonte nga mijëra protestues që kërkonin një “jo” për armët kimike nga Rama, kreu i qeverisë nisi një fjalim me qetësi olimpike por që u nis që në minutën e parë. Rama ishte duke shpjeguar situatën, zërat nga bulevardi mbërrinin deri në foltoren e tij.

Në një kohë që protesta mendohej që do të përshkallëzonte pasi të gjithë kishin humbur besimin tek kryeministri, ky i fundit edhe pse i ri në detyrë i befasoi duke plotësua dëshirën e të gjithëve. Rama i tha “jo” armëve kimike duke iu nënshtruar sovranit.

Ben Blushi na nxjerr mallin e Fan Nolit

I sapolarguar nga partia ku besoi dhe kontribuoi për vite me radhë, Ben Blushi doli kundër të gjithëve në foltoren e Kuvendit. Që nga ardhja në pushtet e PS-së, deri në largimin e paralajmëruar të tij, Blushi ishte opozita brenda partisë.

FJALIMET

Fjala e Ramiz Alisë me dyer të mbyllura më 1989

Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kjo strategji do të synojë në dy drejtime:
1. Në respektimin e të drejtave të njeriut
2. Në krijimin e pluralizmit politik.
Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën.
Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne.
Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne.
Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëz që përkrahin Strategjinë Tonë.
Partia që do të marrë pushtetin, do ta shajë komunizmin me themel e me çati.
Në këtë mënyrë, do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste.
Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Dhe këta, dihet që e urrejnë komunizmin, por do të na afrohen e do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të na marrin pushtetin, sepse Ata, sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe Ne kështu, do të bëhemi hyzmeqarët e tyre.
Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet që t’u japim edhe kompensim në para të burgosurve politikë e t’i kompletojmë edhe me komoditete banimi.
Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë, që “’t’u njihet prona”, por asnjëherë nuk do t’ua japim Pronën e Tyre dhe, në forma të ndryshme, do t’i ngatërrojmë me njëri-tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacioni, nga Gjykata e Shkallës së Parë në të Dytën dhe, për “defekte teknike”, do të kthehen përsëri në të Parën.
Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke iu dhënë nga një pashaportë dhe duke u bërë presion, do t’i largojmë nga Shqipëria.
Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen.
Pasuria e tyre na përket Neve, se Ne e bëmë.
Materialin që më dërgoi Gorbaçovi kam dy vjet që e studioj. Ata (sovjetikët) kanë ecur shumë përpara. Për këtë Ju jeni në dijeni, sikundër i kemi diskutuar edhe më parë këto probleme.
Neve kemi kuadro sa për shtatë komitete qendrore, ndaj nuk ka asnjë arsye që të kemi frikë. Ne i kemi studimet dhe platformat gati për zbatim. Do të ketë shumë intelektualë që do të na kundërshtojnë, por këtyre do t’ua mbyllim gojën dhe do t’u japim nga një copë punë. Një shqetësim mund të na krijojnë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe të Punës, pastaj do t’u japim nga një minipension dhe do t’u mbajmë ison.
Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Le të bëjnë si të duan, sepse Ne kemi platformën tonë.
Çdo gjë e kemi të programuar. Strategjinë e keni që të gjithë të qartë. Në përputhje me këtë strategji, kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe, ndaj Nomeklaturës së Lartë Komuniste, “Ne, Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë Strategjinë tonë në Ekonomi, sipas së cilës Kapitalistët dhe Pronarët e Ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe Njerëzit Tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga Klasa Komuniste të krijojmë Klasën Kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim Vetë.
Të jeni të sigurtë që e Ardhmja do të jetë e Jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë.
E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq Gjak dhe do të derdhim përsëri, po të jetë nevoja.
Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe Fëmijët tanë. Nëse do të ndodhë që të na marrin pushtetin dhe të na rrezikojnë, atëherë haram na qoftë nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë Fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si dikur, në Rininë tonë. Prandaj, gjithmonë të jemi të përgatitur për të dyja rrugët e mbajtjes së pushtetit: rrugën paqësore dhe rrugën e luftës së armatosur. Ne jemi përgatitur për të dyja rrugët dhe për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur e të aftë, që i kemi përgatitur për gjithë këto vite, me mund dhe sakrifica. Mjerë Ata që do të guxojnë të Na dalin përpara e të Na kundërvihen. Ndaj mbajeni moralin lart dhe mos u frikësoni. Nëse lind nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja t’jua përmend.

Ditën e mirë dhe mirupafshim!”

Fjalimi i Ibrahim Rugovës në Parlamentin Europian

Gjendja ne Kosovë mbetet serioze dhe e rrezikshme. Ne shpresojmë qe misioni i SHBA dhe ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara do të sjellë rivendosjen e paqes në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për zgjidhjen e konfliktit. Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë.

Për të ardhmen unë do të doja instalimin e protektoratit ndërkombëtarë për një periudhë kalimtare. Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit ne këtë pjesë të Evropës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje edhe Serbinë.

Pavarësia e Kosovës do të përbëjë një faktor stabilizues në rajon. Për momentin ne jemi duke punuar në një marrëveshje të përkohshme për Kosovën e cila do të hapë rrugë për rivendosjen e paqes në rajon.

Zotëri President, kam kënaqësi të madhe në marrjen e çmimi Saharov në 10 vjetorin e krijimit të saj.

Këtë vit në jemi duke e festuar 50 vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e cila ka ngritur botën nga vetëdija çështjeve të të drejtave të njeriut.

Faleminderit edhe njëherë deputetëve evropianë. Shpresoj dhe uroj që Kosova një ditë do të ketë një vend në këtë institucion të nderuar të parlamentit evropian, siç thoshte mësuesi im i dashur Roland Barthes “Politika fillon me një dëshirë dhe pastaj atë dëshirë duhet ta ktheni në veprim”.

Zotëri President më lejoni të përfundojë fjalën time me një proverb nga Shqipëria, si një nga qytetërimet më të vjetra të Evropës, “Drejtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm”.

Fjalimi i Sali Berishës:

Unë jam këtu para jush për një mesazh, jo për të komunikuar rezultatin e zgjedhjeve, sepse ai tashmë është i qartë për cdo njeri dhe natyrisht i pranuar nga unë dhe Partia Demokratike, por jam para jush jo për të komunikuar rezultatin e zgjedhje por për t’iu njohur me vendimin tim. Unë kam qenë gjithnjë i vendosur për t’iu bindur plotësisht verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhje. Unë iu përkas atyre politikanëve, që besojnë se sovrani nuk gabon, që besojnë se ai ka gjithnjë të drejtë. Duke marrë përgjegjësitë, që vërtet më takojnë, me një vendim të prerë kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e PD-së, të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj. Do të punoj me përkushtim të madh, së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur e promovuar, si opozitë, vlerat e parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar përsëri atë në një program të shumicës së shqiptarëve. Ndaj ju lutem, që të mos gaboni e ta merrni, apo konsideroni, këtë fjalë si një fjalim lamtumire, i tillë ky nuk është. Madje nga unë, PD-ja, anëtarët dhe mbështetësit e saj, nuk do të dëgjojnë ndonjëherë fjalimin e lamtumirës, për faktin e thjeshtë se ai do të ishte një fjalim, të cilin unë s’do mund ta lexoja kurrë. Me këtë rast, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fitues të zgjedhjeve, mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mire. Ne i humbëm këto zgjedhje dhe besomëni mua se, për këtë humbje, përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi Sali Berishën Përpara! Zoti e bekoftë Partinë Demokratike, anëtarësinë, mbështetësit e saj. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo që janë. Falemnderit!

Fjalimi i Ben Blushit në Kuvend

Në fakt do të ishte e papërshtatshme t’jua prishja sonte dasmën, sepse ju të dyja palët keni ardhur në një dasmë: sapo votuat një qeveri të përbashkët. Thuajani këtu shqiptarëve se cila është arsyeja që ju çoi në bashkëqeverisje. Si ka mundësi? Kush e beson këtë? Është për të qeshur, por edhe për të qarë. Pas 27 vjetësh, pas shumë kacafytjesh, sharjesh, shtyrjesh e vjedhjesh, Sali Berishën dhe Edi Ramën i kemi sot në një qeveri.

Jeni bashkë, apo jo? Saliu qesh. E di se i pëlqen kjo gjë. Ka kohë që lufton për të qenë në një qeveri me Rilindjen. Më në fund e realizoi këtë. U fut në çadër tre muaj si heroi i republikës së re. E si dolët që andej, nga çadra? Ca si elektricistë te OSSHE-ja, ca si drejtorë burgjesh, ca si njerëz që shpërndajnë tapi hipotekash, se këto morët: OSHEE-në, burgjet, hipotekat. Me çfarë i ndatë këto? Me rilindjen! Kjo, në fakt  është çadra  e Rilindjes. Ju që nuk latë bandit, kriminel edhe vrasës  pa futur në Rilindje, ju kishte mbetur vetëm një pa futur: Sali Berisha. E futët  edhe  Saliun  në çadër. Komplimentet e mia! Por duhet t’ua thoni shqiptarëve pse erdhët  deri këtu. Erdhët  për interesa kombëtare? A keni bërë sot ndonjë pakt për interes  kombëtar? A ka Shqipëria  sot më shumë punë për shkak të kësaj marrëveshjeje? A  ka më pak të varfër  për shkak të kësaj marrëveshjeje? A ka drita me çmim më të lirë? A funksionon më mirë  OSHEE-ja? A ka  më pak njerëz  nëpër burgje? A ka më pak   kanabis? Asgjë! Ka një pakt  mes  çadrës  dhe rilindjes për të bërë çfarë? Për  ta ndarë  pushtetin në mes. Deri dje, deri sot, para këtij votimi Shqipëria kishte një qeveri me dy  palë: PS dhe LSI, u shtua edhe çadra, u bënë tri  palë. Si u ndanë këto? 6 ministra i ka rilindja, 5 i mori çadra dhe 4 LSI-ja. Si i bie? 6 i ka Edi Rama, 5 Saliu dhe 4 Presidenti. Kjo është republika që doni? Kjo është republika e re? Ju që  u futët për republikën e re nuk  mbrojtët  asnjë kauzë. Do t’jua shpjegoj pse. Na  sollët një Kod Zgjedhor, i cili nuk garanton zgjedhje për të cilat ndenjët në çadër tre muaj.  Shqiptarët duhet ta dinë se çfarë opozite  paskan pasur  deri dje: e futur  për vende pune. U futët  për vende  pune, dolët me vende pune. Në fakt, nuk keni qenë asnjë ditë opozitë, sepse  tradhtuat  çdo kauzë. Shikoni se  çfarë kodi keni sjellë këtu?! A e ka ky kod numërimin elektronik, sepse kjo është arsyeja pse u ngrita  të flas? Besoj se nuk ka shqiptar që nuk kupton  se ky ishte një pazar për  bashkëqeverisje. Mua personalisht  bashkëqeverisja juaj më pëlqen, se e bën më të lehtë, por kjo nuk do të thotë se ju u futët  në çadrën e Rilindjes  dhe  Shqipëria mbeti pa opozitë. Absolutisht, është më kollaj  për t’ju mundur bashkë, siç e bënë rumunët, ashtu e bënë rumunët, u ngritën kundër të gjithëve.

Ju nuk i latë shqiptarët të ishin si rumunët, sepse për  tre muaj ju zutë bulevardin dhe   në fund fare  shkuat u bëtë me këtë, që e  akuzonit për kanabis. Në fakt, tani jeni bashkë. Do ta korrni kanabisin  bashkë, se edhe  Ministrinë e Brendshme e   morët ju, Ministrinë e Arsimit e morët ju, OSHEE-në, burgjet. Çfarë është kjo?!  Kjo është bashkëqeverisje në tavolinë, pa zgjedhje. Ky është ndryshimi im i  madh me ju. Unë kam  dalë në opozitë. Isha me këta  në vitin  2013, ku premtuam një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe me më shumë dinjitet, por ika,  sepse  nuk bënë asnjërën nga këto. Ju shkuat me vrap. Ku e keni Lulin sot? Ka një shprehje Viktor Hygo: “Të gjithë njerëzit  janë njëlloj, ankohen, qajnë, bërtasin ulërijnë, pushojnë vetëm kur i fusin biberonin në gojë”. Luli e  mori biberonin në gojë! Po, e  mori! Luli  e mori  biberonin, pushoi, nuk qan më!

Po iki nga ju, se nuk ia vlen më.

Po ju more zotërinj, ju që keni 20 vjet që thoni: ” E ka fajin Saliu”. (para  1 viti kam dalë këtu dhe kam thënë: po qeverisni  si Saliu, pa Saliun), ku jeni sot?! Sot jeni si Saliu me Saliun apo jo? Jeni si Saliu me Saliun, jeni në bashkëqeverisje me Saliun. Shqipëria nuk e meritonte këtë gjë. Nuk e di se kush  do t’ju votojë ju në datën 25 qershor. Kush  do t’ju votojë? Kush do t’i votojë këta? A ka ndonjë demokrat    që voton çadrën e rilindjes? A ka ndonjë socialist që mund të votojë qeverisjen e  PS-së, apo të rilindjes, sepse në fakt nuk është PS-ja, me Sali Berishën? A ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë në historinë e botës? Tre  parti në qeveri  shkojnë në zgjedhje për të kërkuar vota kundër njëra-tjetrës. Jeni të tria në qeveri deri më 25 qershor.  Çadra, Rilindja dhe partia e Presidentit. Tri parti shkojnë më 25 qershor. Kundër kujt  do të thoni ju? Kundër njëri-tjetrit. Do të jeni përsëri bashkë.

Ka ardhur  koha ta them  thelbin. Cili është thelbi? Pse u bëtë bashkë ju? Për OSHEE-në, për burgjet, për të burgosurit, për kanabisin? Jo, është më shumë se sa kaq. Ju u bëtë bashkë për t’i ikur  reformës në drejtësi, të dyja, të tria palët. Pse?  Çfarë kuptoi Lul Basha në këta  tre muaj? Kuptoi se çadra nuk është imunitet  absolut ndaj reformës në drejtësi. E dini se  cili është imuniteti  absolut sipas  jush? Të jesh në qeveri. Ju  mendoni se të jesh në qeveri je i garantuar  nga reforma në drejtësi. Kjo është edhe  arsyeja pse askush nuk del nga qeveria, secili do të jetë në qeveri. Pse? Për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi, e  cila është  dizenjuar si e  tillë  që nëse  je në qeveri nuk të ndëshkon dhe  këtë   bëtë sonte ju, e  sabotuat reformën në drejtësi. Kur të mbarojë ky votim  famëkeq me një bashkëqeverisje mizore  që nuk garanton asnjë standard, asnjë shpresë, asnjë vend pune, ju do të votoni komisionet e  vetingut, apo jo? Kush beson se tri palë në qeveri, do të bëjnë drejtësi kundër njëra-tjetrës? Askush! Por në fakt, mbyllje më të bukur  nuk  mund të kishte përveçse të bëheshit të tre   bashkë Saliu dhe Edi Rama  bashkë. Kush voton më 25 qershor për Partinë Demokratike, çadrën duhet ta dijë shumë mirë se ka votuar për Edi Ramën Kryeministër.

Kush voton për Rilindjen duhet ta dijë shumë mirë se  do ta  bashkëqeverisë Shqipërinë me Sali Berishën. Kjo është e vërtetë. Qofshi  socialistë, qofshi demokratë duhet të dini se do të  jeni bashkë pas  25 qershorit: votoni rilindjen me Saliun, votoni çadrën me Ramën. Kaq. A  ka njeri që nuk e kupton këtë gjë? Kam dy vjet që e them. Janë ngritur shumë, por nuk kanë ardhur sot, do t’i shikoj gjatë fushatës. Mbani vesh: a  do të ketë ndonjë socialist, ndonjë rilindës  që do të shajë  ndonjë ditë Saliun? Keni 25 vjet  që  jeni ngritur në fushatë kundër tij. E dini pse  nuk do ta bëni? Jua them unë. Jo, vetëm se ky nuk do t’jua  lejojë, por  edhe për një arsye tjetër: kam 4 vjet që ju shikoj sesi i lëpiheni Ilir Metës  për të qenë ministra në këtë qeveri. Tani ka ardhur koha t’i lëpiheni Saliut, sepse e dini që nuk mund të jeni më në qeveri nëse  shani Saliun, për shkak se ai  e ka në dorë se cili nga ju do të hyjë në qeveri. Ju që ishit heronjtë e antikorrupsionit, njerëzit që  flisnit kundër monopoleve, kundër korrupsioneve, ku përfunduat?! Ky është dështim, ky është një batak. Ky është një batak në të cilin jeni zhytur, pavarësisht  se vetë më pëlqen, nuk mund të kishit fund më të bukur.

Dy fjalë për kodin. Ky kod nuk garanton që paratë e zeza të mos hyjnë në  fushatë. Absolutisht, jo!

Ky kod  nuk e garanton arsyen për të cilën u futët në çadër. Për çfarë u futët atje? U futët për numërimin elektronik. A ka këtu numërim elektronik?

A e di ndonjë shqiptar, nëse më 25 qershor do të ketë mundësi të votojë në mënyrë elektronike dhe vota do të numërohet elektronikisht?

Pra, qenkeni futur kot në çadër, për disa  elektricistë dhe për disa drejtorë burgjesh më shumë. Ky kod nuk rregullon asnjë standard përveç një standardi: ky kod  ju jep  juve, gjoja më shumë fuqi mbi zgjedhjet.

Çfarë qeverisni ju? Sistemin e drejtësisë dhe sistemin e zgjedhjeve, që sapo i sabotuat. Ky kod nuk garanton asnjë standard të ri. Asnjë!

Ah, po, dikush këtu tha se keni bërë një nen në Kodin Penal, i cili  ndëshkon më shumë ata që e shesin dhe që e blejnë votën. Mirë bëtë!

Po çfarë  keni bërë në fakt? Keni krijuar  një standard, i cili nuk ndëshkon ata që bëjnë zgjedhjet, por ndëshkon votuesit. A ka këtu ndonjë nen që ndëshkon komisionerin edhe numëruesin tuaj? Asnjë. Pra, ka një nen, i cili gabimisht (sipas jush), ndëshkon një fshatar, të cilit ju do t’i  jepni  50 mijë lekë dhe ai e shet votën për  t’jua dhënë prapë juve.

Po ai numëruesi që e vjedh votën? Ai nuk  ndëshkohet, sepse është juaji. Çfarë keni përmirësuar? Asgjë. Kjo është republika e korrupsionit që ju përfaqësoni. Sabotuat zgjedhjet dhe po sabotoni edhe reformën në drejtësi. Bashkëqeverisje të mbarë!

Sonte kam vetëm një mundësi: t’ju përshëndes sonte me  vargjet fatale të  Fan Nolit, i cili tha: “Ngrihuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini! Katundarë e punëtorë që nga Shkodra deri në Vlorë”. Kështu do t’i poshtëroni të gjithë  më 25 qershor.

Fjalimi i kryeministrit Edi Rama për armët kimike

Në 11 shtatorin e saposhkuar, kur iu drejtova parlamentit për programin e qeverisë së re, e nisa fjalën time me tragjedinë e kullave binjake dhe barbarinë e regjimit vrastar në Siri. Ishte koha kur armët kimike të Asadit kishin bërë një kërdi që tronditi botën dhe çdonjërin nga ne po ashtu. Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, shpallën përgatitjen për sulmin ushtarak ndaj Sirisë. Në përputhje të plotë me boshtin strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë, si edhe me programin e ri qeverisës, unë theksova se Shqipëria do të ishte, si gjithnjë, “në krah të Amerikës dhe çdo aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë mund ta kërkojë”. Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve çoi në Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për çarmatosjen pa luftë të regjimit sirian, përmes shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit kriminal të Asadit. Këtë rezolutë e mbështeti plotësisht dhe Shqipëria, në përputhje të plotë me nderin e me dinjitetin tonë si vend i angazhuar botërisht, për të kontribuar për lirinë, demokracinë, paqen, kudo në botë.

Më pas, u kontaktuam drejtëpërdrejtë nga aleati dhe partneri ynë i madh, Shtetet e Bashkuara, për të konsideruar në parim pjesëmarrjen bashkë me vende të tjera në operacionin e shkatërrimit të arsenalit kimik të Sirisë. Dhe përgjigja jonë, ashtu si përgjigja e një sërë vendesh të tjera, ishte ajo që imponon historia jonë e këtyre njëzet e tre viteve; boshti strategjik i politikës sonë të jashtme, pa dallime partiake deri dje paradite; detyrimi ynë për të qenë në krah të aleatëve tanë më të mëdhenj, në çdo përpjekje madhore për një botë më të mirë dhe, padyshim, vetë interesi ynë kombëtar që është pazgjidhshmërisht i lidhur me marrëdhënien tonë speciale me Shtetet e Bashkuara:

Po, në parim ne jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë operacion si pikë mbështetjeje në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtëpërdrejtë. Prandaj gjithçka që lidhet me transportin, teknologjinë, ekspertizën, duhet ta marrin përsipër Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.  Siç është plotësisht e natyrshme, na u kërkua konfidencialitet i plotë sepse procesi i organizimit të operacionit ishte vetëm në fazën e vet më fillestare, atë të vendosjes së kontakteve në parim. Lejomëni të dashur bashkëqytetarë, t’ju pyes lidhur me këtë moment të parë të rrëfimit tim, tërësisht të sinqertë para jush:

A mund dhe a duhet t’u thoshte jo në parim Shqipëria Shteteve të Bashkuara, për një përpjekje kaq madhore në shërbim të njerëzimit? A mund të imagjinohej dhe të imagjinohet se Shtetet e Bashkuara i kanë hyrë kësaj përpjekjeje, për t’ia hequr armët kimike nga duart një vrasësi dhe pastaj për të vrarë me to Shqipërinë, apo cilindo vend tjetër aleat të përfshirë në këtë përpjekje?

A mundet që një mendje normale, sado armiqësore ndaj Amerikës, të shkojë deri në pikën se Shtetet e Bashkuara, do ta udhëhiqnin një operacion të tillë në sytë e gjithë planetit, për të çuar në vendet aleate vdekje e shkatërrim, duke vrarë në radhë të parë trupat e tyre të ekspertëve dhe vetë veten e tyre para tërë ekraneve të botës? Nuk po ju them që të shkatërrosh armë kimike është njësoj si të hash karamele.

As po përpiqem t’ju them se shkatërrimi i armëve kimike në Shqipëri është diçka që duhet të na bëjë të ndjehemi qetësisht të kënaqur, siç besoj do të ndjehej kushdo që do ta shihte këtë gjë të ndodhte larg vendit ku jeton vetë. Po ju them vetëm se po, kjo është pjesa e vështirë e të qenit të angazhuar kundër armiqve të njerëzimit dhe në krah të Shteteve të Bashkuara e të vendeve të aleancës euroatlantike.

Kjo është pjesa e vështirë e një marrëdhënieje strategjike nga e cila ne, shqiptarët, duhet ta dimë më mirë se shumë të tjerë që kombet dhe vendet marrin më shumë se ç’janë në gjendje të japin. Sepse tamam kjo, është ajo pjesa e vështirë pa të cilën sot Sllobodan Miloveshiçi mund të ishte ende në qafën e gjysmës së kombit tonë ndërsa ne shqiptarët e Shqipërisë s’do ishim jo në NATO, po në asnjë lloj refeneje ndërkombëtare. Sidoqoftë unë e di fare mirë që sot, pakkush dëshiron të kujtohet për bombat e Amerikës që çliruan gjysmën e kombit tonë dhe shumëkush mund të jetë përqeshës, nëse shtoj këtu se pa pjesën e vështirë jeta, vendi, bota, nuk bëhen dot kurrë më të mira.

Prandaj po rikthehem tek bombat e Asadit, të cilat sipas tribunës së Partisë Demokratike dhe disa burimeve të helmatisura keqaz të informimit, një njeri po aq i çmendur sa Asadi, kryeministri i Shqipërisë, kërkon t’i plasë në Shqipëri. E në këtë pikë dua t’i shoh në sy, drejtëpërdrejtë, të gjithë. Me radhë. Në radhë të parë ata, të gjithë ata, që më dhanë besimin e tyre të paçmueshëm në 23 qershor, e që sot janë të frikur e të shqetësuar përpara skenarëve të një apokalipsi mbi Shqipërinë.

Këta skenarë haluçinantë kanë kallur gjithë këto ditë në mendjen tuaj ultësisht, poshtërisht, kafshërisht, politikanë pa din e iman që vetëm Shqipërinë nuk duan, pronarë mediash të zhytur në pazare e borxhe që kanë humbur shtigjet e privilegjeve të tyre të deridjeshme apo të tjerë, ca me qëllim e ca nga padija, që janë turrur t’i hedhin benzinë zjarrit të imagjinatës suaj duke nxjerrë nga goja gjithëfarë monstruozitetesh e absurditetesh. Ju që më votuat për ëndrrën e Rilindjes së këtij vendi, që më mbështetët në kohë të vështira dhe që më sollët në zyrën e kryeministrit për të mos u vrarë më kurrë në bulevard nga dritaret e kësaj godine; për të mos u shkelur më kurrë në interesat legjitime të familjes suaj dhe të atdheut tonë të përbashkët; për të mos mbetur më vrima e fundit e kavallit në qeverisjen e këtij vendi; Ju prindër e gjyshër, vajza e djem, kudo në Shqipëri e jashtë Shqipërisë, që sot prisni me zemër të dridhur çfarë do t’ju them për gjithë tmerret dhe shpifjet që ju kanë dëgjuar veshët këto ditë; Ju të reja e të rinj që dje përzutë nga protesta juaj ata që na e lanë Shqipërinë të sakatuar nga të katër anët, të zhytur në borxhe e në plehra, dhe që sot vazhdoni të protestoni nën dritaren time; Të gjithë ju, 1 milionë njerëzit që e kthyen 23 qeshorit në referendumin e madh popullor kundër plehrave dhe importit të plehrave, mësojeni sot dhe ju lutem përulësisht të mos e harroni kurrë deri ditën kur do të më mbani në këtë detyrë: Unë nuk do t’ju tradhëtoja kurrë për asnjë interes e asnjë çmim dhe asnjëherë, për asnjë arsye, nuk do të bëja pas shpinës suaj asgjë që do të cënonte qoftë edhe një fije jetën, sigurinë, të ardhmen tuaj.

E po ashtu kurrë, në asnjë rast të ngjashëm dhe për asnjë qëllim sado të lartë, siç është ky i çarmatimit të një kanibali që ka zhdukur si insekte 100 mijë njerëz si ju, unë nuk do të merrja një vendim pa e ndarë atë me ju, pa shkuar në parlament për të marrë votën e të zgjedhurve tuaj, pa pasur paqe në shpirtin tim për shkak të trazimit të shpirtit tuaj. Por dëgjojeni me vëmendje, as unë nuk do ta merrja këtë vendim pas shpinës suaj dhe as ma ka kërkuar kush që ta bëj një gjë të tillë për çështjen në fjalë.

Ju’a kam thënë të gjitha këto më parë.

Ju’a thashë edhe konkretisht për këtë çështje dy herë, edhe ditët e fundit. Por zhurma ishte shumë e madhe dhe shqetësimi i kallur brenda jush nga skenarët e sajuar të tmerrit, ishte shumë i thellë për t’u dëgjuar fjalët e mia të pakta. Po atëherë pse s’ju thashë dot më shumë?

Pse nuk ju tregova dot për çfarë po diskutohet mes nesh dhe aleatëve tanë të mëdhenj? Pse nuk e bëra më parë të ashtuquajturën transparencë të kaqkeqpërfolur nga ata që deri dje, ju jepnin plumbin ballit dhe ju quanin llumi i shoqërisë? Lejomëni atëherë, ta vazhdoj rrëfimin tim sot që e kam të mundur ta bëj një gjë të tillë dhe t’ju shpjegoj pse e kam pasur të pamundur deri mbrëmë.

Ky të dashur miq është një operacion i komplikuar, sa civil aq edhe ushtarak, dhe si i tillë përgatitja e tij nuk mund të jetë subjekt debati publik. Kjo nuk ndodh në asnjë vend serioz, ku qeveria, publiku dhe parlamenti thirren në debat vetëm kur ka një plan operacional e jo gjatë ndërtimit të planit operacional. Por, për më tepër, dua t’ju siguroj sot se në gjithë procesin e diskutimeve intensive të gjithë këtyre javëve, ne jemi përqëndruar me vëmendje e vullnet të madh përmes një grupi teknik, duke kërkuar nga ekspertiza e partnerëve përgjigje për çdo pyetje të ngritur nga ambientalistët, çdo shqetësim të shprehur nga ju, çdo argument ekspertësh apo pseudoekspertësh që ngrinin peshë mendjen tuaj nga ekranet e faqet e gazetave. Ndërsa unë jam përpjekur me shumë vullnet e pasion, të marr jo vetëm sigurinë e plotë për moscënimin e asnjë fijeje floku dhe mosmbetjen e asnjë mbetjeje në territorin shqiptar, po njëkohësisht edhe mirëkuptimin që në këtë përpjekje të madhe të fuqive të mëdha, supet e vogla të Shqipërisë të mos ngarkoheshin përtej mundësive të tyre.

Kemi gjetur përgjigje të njëpasnjëshme, kemi marrë garancira të njëpasnjëshme, por është dashur kohë.

E ndërkohë, përveç gatishmërisë në parim, siç ju kam thënë, nuk kam marrë asnjë angazhim përfundimtar, për ta çuar këtë çështje për vendim para qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë.

Sepse kam qenë gjithë kohën i vetëdijshëm se nëse do ta hidhja këtë hap, duhet të kisha bindjen më të plotë jo vetëm tek garancia plotë e sigurisë teknike, por edhe tek përfitimi që shoqëria jonë, vendi ynë, kombi ynë meritonte të nxirrte nga ky kontribut fantastik për mbarë njerëzimin.

Më vinte sot përmes dritares thirrja e përsëritur e protestuesve, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, dhe lejomëni t’jua them sot, hapur, në sy, se për këtë jam përpjekur tërë këto ditë e netë diskutimesh.

Këtë u kam përsëritur papushim miqve tanë të mëdhenj amerikanë dhe europianë, duke u thënë: Na ndihmoni t’i tregojmë Europës se ne jemi pjesë e saj dhe jo një kosh plehrash në mes të Europës!

Na ndihmoni të dalim më të pastër e më të fortë nga kjo histori që edhe ne t’ju ndihmojmë me çfarë kemi mundësi!

Na ndihmoni të kontribuojmë për të mirën e njerëzimit, duke kontribuar edhe ju për të mirën e njerëzve tanë!

Dua t’i pyes ata që me plot të drejtë thërrisnin sot, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, a e dinë që në Shqipëri ka 31 zona të rrezikshme mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara, të cilat nuk plasin po vrasin ngadalë? Janë zona që dihen prej vitesh, të shenjuara në listën e zezë të planetit, po Shqipëria e varfër, ashtu si çdo vend i varfër në këtë botë, nuk mund të lerë pa paguar rrogat e pensionet për të pastruar mbetje të tilla që kushtojnë qimet e kokës. Një nënë e re nga një pikë e tillë në Elbasan më çonte një mesazh, “O kryeministër, në fshatin tonë ka fëmijë me tumor çdo vit kurse ti do me na i vra krejt fëmijët”. Ky ishte njëri nga mesazhet që u lexova partnerëve tanë gjatë diskutimeve dhe në fund, të gjithë ranë dakord se Shqipëria e meritonte me patjetër që ekspertët më të mirë të botës, bashkë me teknologjinë më të shkëlqyer për mbetjet kimike, të mos shkuleshin nga Shqipëria me të mbaruar punë me mbetjet e Asadit – po të vazhdonin punën në Patos-Marinzë, Ballsh, Fier, Elbasan, Rubik, Laç, Berat, Lushnjë, Bajzë, Rrëshen, Fushë Arrëz, Prrenjas, Burrel, e me radhë të tjera, për të mbaruar punë njëherë e mirë, edhe me mbetjet e rrezikshme të pesëdhjetë vjetëve komunizëm, plus njëzet vjet barbarizëm mjedisor.

U kërkova edhe pastrimin e mbetjeve të mëdha inerte në gryka lumenjsh, nëpër rrugët kombëtare e nëpër plazhe dhe pak nga pak, u mirëkuptuam.  Po ashtu më në fund u mirëkuptuam edhe për kushtin e panegociueshëm të tërheqjes nga Shqipëria, të të gjitha mbetjeve që do të prodhonte faza e dytë e shkatërrimit të armëve kimike siriane.

Sepse o miq, në Shqipëri nuk do të na mbërrinin bombat e famshme të cilat çmontohen në Siri, po lëndët kimike të nxjerra prej tyre (pra jo fishekët po baruti).

Ndërsa djegia dhe varrosja e mbetjeve pas trajtimit të lëndëve që do të vinin këtu, të bëheshin gjetkë, në vende të tjera.

Kështu mbi tokën e Shqipërisë nuk do të mbetej më absolutisht asnjë thërrime lëndë kimike.

Siç po mundohem t’jua rrëfej të vërtetën me përpikmëri ndaj fakteve dhe besnikëri absolute ndaj jush, në gjithë këtë proces unë ju kam përfaqësuar ju dhe Shqipërinë, me respektin më të madh për Shtetet e Bashkuara po edhe përunjësinë më të plotë për interesin tonë kombëtar e publik.

E me besnikëri ju rrëfej se ashtu siç ju ka munduar juve, të gjithëve, përditë e më shumë, pyetja po pse vetëm Shqipëria(?), më ka munduar edhe mua.

Po në asnjë mënyrë jo sepse kam dyshuar ndonjë çast tek shfrytëzimi imperialist, siç për turpin e Shqipërisë kanë vënë kujën larteposhtë nëpër ekrane e gazeta, disa personazhe si ata të Kinostudios Shqipëria e Re kur luftonin nëpër filma kundër bazave sovietike;

Jo, kjo pyetje më ka munduar sepse Shqipëria që na kanë lënë është lehtësisht e atakueshme si një vend i varfër dhe i mbushur me plehra, e prandaj, edhe përfshirja e Shqipërisë si stacioni i vetëm më është dukur pengesa më e madhe.

Fakti është se tërë atë lumë poshtërues që u derdh nëpër media ndërkombëtare për ne si një vend plehrash, e prodhoi pikërisht e vërteta se duke qenë vërtet e mbushur me plehra, Shqipëria kishte një kosto të caktuar nga publiciteti negativ i një operacioni të tillë.

E kam ndarë me shumë sinqeritet me partnerët këtë pyetje. Me të njëjtin shqetësim si ju, jam përpjekur të shpjegoj se kjo pyetje e mundimshme kërkonte më shumë se sa përgjigjen e njohur, plotësisht të vërtetët e legjitime, që Shtetet e Bashkuara e shohin Shqipërinë si një aleat shumë besnik; e në fund të fundit s’po kërkojnë asgjë nga Shqipëria përveç një pike mbështetjeje në tokë – një bazë ushtarake tërësisht të izolur në dispozicion të tyre ku lëndët vijnë, asgjësohen dhe ikin për t’u djegur e varrosur gjetkë. Jashtë Shqipërisë.

Por as rritja e përgjithshme e tensionit këtu në vend, me ushqimin 24 orë në 24 të një pjese të medias ( e cila nuk u mjaftua me pasqyrimin e protestës qytetare, po u bë llogorja e hedhjes së një helmi pabesisht çoroditës për qytetarët ) dhe as afati që praktikisht skadon sot për një angazhim se Qeveria e Shqipërisë do konsiderojë rrugën e miratimit ligjor të këtij operacioni, nuk na dhanë më shumë mundësi e kohë për të ezauruar këtë aspekt shumë delikat.

E këtu tani, u vjen natyrshëm radha paraardhësit tim si edhe atyre që shkruan kapitullin më të turpshëm të marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, duke e çarë dje, për herë të parë në dy dekada politikën shqiptare në raport me Shtetet e Bashkuara, dhe duke e kthyer parlamentin në një skenë skizofrenie politike ku partneri ynë më i madh u trajtua njësoj si të ishte Asadi;

Dhe ku mbeti pa u thënë vetëm që Asadi do që të shfarosë sirianët, kurse Presidenti Obama do që të shfarosë shqiptarët. Unë e di sa ju dhemb zonja e zotërinj opozitarë jo thjesht humbja e 23 qershorit, po ende më thellë, sa ju dhemb humbja e pushtetit mbi paratë e shqiptarëve dhe goditjet e njëpasnjëshme që po merr bota e ulët e krimeve ekonomike, të cilën e ndërtuar si një mallkim damkosës në trupin e Shqipërisë.

Por që dhimbja juaj të ishte kaq e madhe, sa të kapeshit pas Asadit dhe bombave të tij, për të qëlluar me histeri edhe Amerikën përveçse qeverinë e mua personalisht, këtë vërtet nuk ma tha asnjëherë imagjinata.

Ashtu siç nuk e mendoja dot se ju, që hodhët verbërisht në erë një copë Shqipërie, duke vrarë 26 shqiptarëve të pafajshëm dhe përvëluar qindra familje, do të guxonit të shkonit aq larg sa të bëni thirrje që të mos na përsëritet Gërdeci!

Po pse, Shtetet e Bashkuara e shkaktuan Gërdecin, o “derra të kënaqun” migjenianë që sot luani rolin e “Sokratëve të përvuejtun” për këtë popull të cilin e latë rrugëve, mes plehrave, borxheve e përbuzjes së botës?

Po pse, biznes për djalin tim dhe për biznesmenët e panginjur të oborrit tuaj, është ky operacion humanitar o ju që në Gërdec, i çmontonit armët me nëna të dëshpëruara e Lula të vocërr të varfërisë që e mbollët si sëmundje rreth Tiranës e në çdo cep të Shqipërisë?

Po pse, çfarë janë Kombet e Bashkuara, çeta juaj e zullumqarëve që vazhdon rend pas një të marri, i cili, pasi e ktheu Shqipërinë në një kosh plehrash importi, nxjerr Lulin e vet të vocërr të zullumeve të mëdha për të kërkuar referendum popullor kundër Amerikës?

Nguleni në kokë sot dhe deri kur nuk do ta lini plakun në vetminë e vet, se referendumin popullor kundër plehrave Shqipëria e bëri në 23 qershor! Ku e keni vendimin që thatë se ishte marrë pas shpinës së shqiptarëve dhe do shpallej sot, të premten?

Asnjë vendim s’është marrë, sepse asnjë vendim nuk mund të merrte Shqipëria pa ata 1 milionë të cilët e bënë njëherë referendumin kundër plehrave dhe pa ato gra e burra që janë përfaqësuesit e 1 milionë shqiptarëve në parlamentin e vendit. Në këtë pikë dua t’ju them tani gjithë shqiptarëve, të mos lejojnë askënd të tallet me ta përmes krahasimit të shëmtuar mes plehrave që e mbytën Shqipërinë për biznes deri në 23 qershor, dhe lëndëve kimike të një lufte të njerëzimit kundër armiqve të tij të betuar.

Ju fola në fillim për pjesën e vështirë të rreshtimit krah për krah me të fortët e botës, si shqiptarë dhe si anëtarë të NATO-s.

Teksa po shkoj drejt mbylljes, dua t’ju pyes:

A nuk mendoni se pikërisht Shqipëria, po po, kjo Shqipëria jonë e vogël dhe e drobitur nga shumë padrejtësi e fatkeqësi, nuk mundet dot të ishte as e para, as e dyta dhe as tjetra me radhë që të refuzonte përfshirjen në këtë operacion, po duhet të qëndronte, deri në fund, e të përpiqej besnikërisht për krijimin e kushteve më optimale që do të mundësonin përfshirjen e saj(?) – sipas mundësive e nevojave të saj?

E pra, unë s’kam dilema për këtë dhe këtë bëra, në emrin tuaj e të Shqipërisë. Ne vërtet jemi të vegjël e të varfër, po ju siguroj se nuk bëhemi as më të mëdhenj as më të pasur, duke u ngutur të sillemi si të mëdhenj pa qenë të tillë dhe duke thirrur, “Shqipëri etnike pa armë kimike!”;

As duke u kuturisur të krahasohemi kot më kot me të tjerë, më të mëdhenj e më të fortë se ne, të cilët për arsye krejt të tjera mbajnë qëndrime të tjera nga tonat.

Të dashur të rinj protestues,

Protesta juaj në rrjetet sociale dhe në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë, ka qenë e vetmja dallandyshe shprese në qiellin e mbushur me tymin e zi të urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave, delireve, frikërave që shpërthyen në mesin tonë.   Edhe pse ju ka përfshirë në protestë mbingarkesa në shpirt prej gjithë kësaj propagande histerike, unë ndjehem shumë mirë për ju; ndjehem mirë sidomos për shumë prindër që deri dje i frikeshin protestës ndërsa sot dalin në rrugë me gjithë fëmijët e tyre, të pashqetësuar nga forca speciale e gryka pushkësh në dritaret e kryeministrisë; ndjehem mirë për këtë erë të freskët demokratike që solli 23 qershori. Kam plotësisht respekt për kurajon tuaj dhe njoh jo pak ndër ju që ishin përditë bashkë me mua deri në 23 qershor, në rrugën e paharrueshme të përpjekjes për Rilindjen që të ecim më shpejt drejt Shqipërisë që duam.

Asnjë problem, nothing personal siç më shkruante dje mikja ime Elsa Lila përpara se të hidhte videon e vet në youtube. Sot nuk është dita për t’ju ndryshuar mendjen,  e di këtë dhe nuk ju’a kërkoj.

Sot është dita për t’ju thënë bravo sepse pavarësisht se nuk jemi dakord në një gjë kaq të rëndësishme, jemi në një tjetër, gjithmonë shumë të rëndësishme, që Shqipëria siç ka nevojë për qeveritarë të mirë, ka nevojë edhe për protestues të mirë.

Por sot është dita që unë t’ju them vetëm këtë:

Shtetet e Bashkuara nuk vrasin njerëz, po janë vrarë e vriten, më shumë se të gjithë të tjerët, në fronte lufte për të mirën e njerëzimit.

Pa Shtetet e Bashkuara bota s’do e kishte mundur dot as Hitlerin e as Perandorinë Komuniste dhe Europa e Shqipëria kushedi si do kishin qenë sot.

Pa Shtetet e Bashkuara shqiptarët nuk do ishin kurrë të lirë e të pavarur në dy shtete siç janë sot.

Pa Shtetet e Bashkuara sot me siguri nuk do kishte në Shqipëri protesta për armët kimike, po kushedi s’do kishte pasur fare protesta në njëzet e tre vjetët e fundit dhe burgjet mund të ishin ende plot me të burgosur politikë.

Kështu që le t’i ndajmë gjërat miq.

Lërini në marrinë e tyre ata që duan ta bëjnë përsëri lëmsh mendjen e këtij populli duke nxitur një antiamerikanizëm që na turpëron si komb, si vend, si shoqëri, si shqiptarë e si qytetarë;

ata që duan t’ju helmojnë e çorodisin përditë me shpifje, gënjeshtra e mllefe gjithëfarë, siç kanë bërë me vite këtyre anëve;

ata që duan t’ju ngopin me lugën bosh të injorancës e të ligësisë së tyre të njohur ndaj këtij vendi.

E për t’i ndarë gjërat duke ndarë edhe gjënë për të cilën ju protestoni, ka vetëm një pikë ku unë u ndala pa mundur ta kapërcej dot në diskutimet me partnerët tanë:

Pamundësia për t’u përfshirë brenda afatit të përcaktuar, edhe të një a dy vendeve të tjera në zinxhirin e operacionit të shkatërrimit të armëve kimike – jo thjesht financiarisht apo me ekspertizë sepse të tilla ka, por flas për pjesëmarrje direkte.

Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë.

E askush s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria dhe as që ky operacion kërkon një vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme.

Por fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju njësoj si për mua, sot mungon.

Dhe prandaj, me besnikërinë e  plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion. Faleminderit!

(k.m/dosja.al)

Shto Koment