Rajoni

Fitorja e shqiptarëve në Tuz, Rexhep Qosja: Ftoj pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë të mësojnë çka duhet mësuar

Në një letër publike të shpërndarë dhe në profilin e tij në Facebook, Qosja thekson se bashkimi siguroi fitoren dhe i dha një mësim të mirë të gjithë shqiptarëve.
Featured image of article: Fitorja e shqiptarëve në Tuz, Rexhep Qosja: Ftoj pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë të mësojnë çka duhet mësuar Moment gjatë festës së shqiparëve në Tuz

KOSOVË- Akademiku i njohur kosovar Rexhep Qosja me anë të një statusi në Facebook ka përshëndetur fitoren e shqiptarëve në Komunën e Tuzit. Në një letër publike të shpërndarë dhe në profilin e tij në Facebook, Qosja thekson se bashkimi siguroi fitoren dhe i dha një mësim të mirë të gjithë shqiptarëve.

Në apelin e tij që u bënë palëve, Akademiku shkruan se liderët në Kosovë e në Shqipëri, duhet të marrin mesazhin që duhet nga Tuzi.

“Bashkimi e siguroi fitoren. Por me këtë Bashkim ajo u dha mësim edhe qytetarëve shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë. I ftoj pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë të mësojnë çka duhet mësuar, prej shqiptarëve të Komunës së Tuzit, prej shqiptarëve të Malësisë së Madhe”, shkruyan Qosja ndër të tjera.

POSTIMI I PLOTË

Shqiptarëve të Komunës së Tuzit, shqiptarëve të Hotit e Grudës, shqiptarëve të Malësisë së Madhe, shqiptarëve të Malit të Zi, gjithë shqiptarëve kudoqofshin ata ua uroj Fitoren e Madhe: fitoren e shqiptarëve në Komunën e Tuzit në zgjedhjet komunale.

Malësia e Madhe kurrë s’ka qenë e madhe me sipërfaqe, por Malësia e Madhe, gjithmonë ka qenë, është e do të jetë e Madhe me etikën e saj, me atdhetarizmin e saj, me mendjen e saj, me nderin e saj, me burrërinë e saj e me shumë vlera të tjera që e kanë bërë të lavdishme në historinë e popullit shqiptar, që e kanë bërë të lavdishme në sytë e gjithe atyre të huajve që gjatë historisë vizituan Malësinë e Madhe.

Malësia e Madhe u tregua e madhe me virtytet dhe vlerat e saj edhe kësaj here: u tregua e madhe me bashkimin e forcave politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Bashkimi e siguroi fitoren. Por me këtë Bashkim ajo u dha mësim edhe qytetarëve shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë. I ftoj pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë të mësojnë çka duhet mësuar, prej shqiptarëve të Komunës së Tuzit, prej shqiptarëve të Malësisë së Madhe.

Kryetarit të komunës së Tuzit, z. Nik Gjeloshaj dhe deputetëve komunalë u uroj punë të mbarë në veprimtarinë e tyre politike për të mirën e gjithë qytetarëve të Tuzit, gjithë shqiptarëve të Malit të Zi.

Në zgjedhjet e mbajtura këtë të dielë, koalicioni i shqiptarëve “Malësia na Bashkon”, arriti të shpallet fituese, duke marrë 16 vende në këshill nga 32 që ka Komuna e Tuzit, ndërsa kryetari i kësaj Komune për herë të parë do jetë një shqiptar, Nik Gjeloshaj.

Tuzi u nda nga Podgorica në 1 shtator 2018. Për herë të parë në historinë e proceseve të tilla lokale, partitë politike shqiptare dolën të bashkuar në koalicionin “Malësia na Bashkon”. Me qëllim maksimalizimin e votave dhe arritjen e një rezultati fitues, tre partitë shqiptare Alternativa Shqiptare (kryetar: Nikë Gjeloshaj), Lidhja Demokratike Shqiptare (kryetar: Nikollë Camaj) dhe Unioni Demokratik Shqiptar (kryetar: Fadil Kajoshaj) u bashkuan në koalicionin parazgjedhor “Malësia na bashkon” duke ia arritur qëllimit.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment