Ekonomi

Financierët e qeverisë nuk përfillin ligjin e buxhetit, 78 milionë euro prokurime jashtë afateve, rrezikohet borxhi

Por Kontrolli i Lartë i Shtetit ka verifikuar se më 2019 pas kësaj date janë regjistruar 564 kontrata me një vlerë 9,7 miliardë lekë ose 78 milionë euro. Sipas KLSH këto veprime janë bërë nga entet publike në kundërshtim të plotë me ligjin.
Featured image of article: Financierët e qeverisë nuk përfillin ligjin e buxhetit, 78 milionë euro prokurime jashtë afateve, rrezikohet borxhi Foto ilustruese

Neni 51 i Ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”, përcakton se, asnjë ent publik nuk mund të nënshkruajë për investime të reja pas datës 15 tetor.

Por Kontrolli i Lartë i Shtetit ka verifikuar se më 2019 pas kësaj date janë regjistruar 564 kontrata me një vlerë 9,7 miliardë lekë ose 78 milionë euro. Sipas KLSH këto veprime janë bërë nga entet publike në kundërshtim të plotë me ligjin.

KLSH vë në dukje se nga auditimi me përzgjedhje mbi vlerësimin e projekteve të investimit u verifikuan veprime jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Qeveria ka merr përsipër investime pa pasur në dispozicion fonde buxhetore, veprime të cilat paraqesin një risk të shtuar në cenimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik pasi përcaktimi i limiteve trevjeçare të angazhimeve për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme bëhet në përputhje me parimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik.

Përgjatë vitit 2019, për 10 projekte investimi, janë ndërmarrë angazhimet pa pasur në dispozicion fonde buxhetore për vlerën totale për 3,4 miliardë lekë dhe për 19 projekte investimi, janë ndërmarrë angazhime përtej fondit të miratuar në vlerën për 1,978 milion lekë, ndërkohë që një pjesë e këtyre investimeve nuk kanë kaluar procedurat e miratimit të investimeve publike si dhe nuk janë pjesë e Listës së Investimeve Publike 2019-2021 të projekt buxhetit të vitit 2019.

Nga auditimi mbi detajimin e fondeve për investimeve publike me financim të brendshëm u konstatua, se përgjatë periudhës shkurt-tetor 2019, janë mbyllur pa realizim 129 projekte investimi me vlerë totale për 6,175 milion lekë të cilat përfaqësojnë 8% të Investimeve Kapitale të Realizuara duke reflektuar në këtë mënyre një planifikim të dobët të investimeve publike.

KLSH ka gjetur se, se, 43 projekte investimi me vlerë totale për 8,263 milion lekë, kanë pësuar një rritje të vlerës për 3,843 milion lekë ose janë rritur me 43%). Ky fenomen i cili ekziston prej vitesh dhe i trajtuar nga KLSH, në auditimet e mëparshme, sjell risk për stabilitetin makroekonomik të vendit si dhe për efikasitetin real të këtyre shpenzimeve.

Nga auditimi i të dhënave të projekteve të Investimeve Kapitale me Financim të Huaj me Kredi, u konstatua se, 2 projekte investimi në vlerën 180 milion lekë janë realizuar pa patur një plan buxhetor të miratuar me Ligjin e Buxhetit apo me Aktet Normative në zbatim të tij.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Referuar të dhënave të thesarit konstatohet se, ekziston një numër i madh projektesh të cilët sipas detajimit të fondeve buxhetore janë planifikuar në zërin 231 “Investime Kapitale të Trupëzuara”, ndërkohë raportimi i tyre në vlerën për 680 milion lekë në thesar është bërë në zërin 230 “Investime Kapitale të Pa Trupëzuara” pa patur plan buxheti.

Referuar të dhënave në thesar konstatohet se, i njëjti projekt investimi është çelur n, me më shumë se dy kode. Nga auditimi u konstatua se projekti i investimit “Projekti për Rimëkëmbjen e Energjisë”, është i çelur në SIFQ me 8 kode projekti.

KLSH nga auditimi i projekteve specifike me financim të huaj ka konstatuar në të gjitha projektet e audituara, rezulton se nuk është përmbushur afati i përcaktuar i zbatimit dhe realizmit të projekteve në përputhje me marrëveshjet financiare të ratifikuara me ligj në Parlament. Institucionet Shtetërore dhe Entet Menaxhuese nuk kanë arritur të koordinojnë dhe harmonizojnë veprimtarinë e tyre për të realizuar disbursimet sipas parashikimeve të përcaktuara në Marrëveshjet Financiare, shtyrja e afateve te disbursimeve ka sjellë shtesa në kontratat e konsulencës dhe mbikëqyrjes, duke shkaktuar efekte negative financiare në rritjen e kostos së projektit.

Njësitë e Zbatimit të Projektit nuk kanë realizuar dhe nuk kane ndërmarrë asnjë veprim për monitorimin e vazhdueshëm dhe mbikëqyrjen e kontratave të punimeve shërbimeve te konsulencës, duke sjellë për pasojë dëm ekonomik për punime të pakryera por të paguara, cilësi të dobët, shtim të volumeve të punimeve dhe vonesa të tej zgjatura dhe të pa argumentuara e justifikuara në realizimin projektit.

Njësitë e Zbatimit të Projekteve/ Njësitë e Menaxhimit të Projekteve, kanë shfaqur parregullsi në zbatimin e afateve të përfundimit të kontratave kryesisht për punimet e ndërtimit, si dhe nuk kanë zbatuar penalitetet për kontraktorët të cilët nuk kanë mundur të plotësojmë detyrimin e realizimit të kontratës brenda afateve të përcaktuara.

Marrë nga Monitor.al

Shto Koment