Kulture

Reportazh/ Festivali i Jugut në Borsh, dashuri për vendin dhe motiv për punë të mira (Foto+VD)

Vetëm 400 metra larg detit, në fushën e madhe rrëzë malit ku shtrihet fshati Borsh, pranë ullishteve ku kuajt kullosin dhe aroma e barit të njomë nga vesa e pranverës u ngrit madhështore skena e ‘South Outdoor Festival’.
Featured image of article: Reportazh/ Festivali i Jugut në Borsh, dashuri për vendin dhe motiv për punë të mira (Foto+VD) Nga 'South Outdoor Festival', Borsh , Vlorë.

Do të mendoni se kjo është Coachella tipike amerikane, por jo! Ky është festivali magjik, që mblodhi rreth vetes 14 mijë të rinjë shqiptarë e të huaj në fushën e madhe të fshatit piktoresk, Borsh. Për treguar qartë se Shqipëria ka potencial në çdo fushë dhe të rinjtë spikatin, si e ardhmja që ngre kryet mbi çdo pamundësi dhe shijon muzikën, mposht frikën me zhytje në detin e thellë të Gjipes apo fluturimin mbi malet ku shtrihet madhështor e i qetë, fshati Borsh.

Përpos qëllimit të krijimit të një modeli të qëndrueshëm, i cili do të bënte të mundur zgjatjen e sezonit turistik, duke nxjerrë në pah atraksionet e fshatit Borsh, motivimi dhe eksperiencat që përjetuan të rinjtë sollën një tjetër kuptim të festive në jugun e Shqipërisë.

Të huaj a shqiptarë nuk kishte dallim, muzika, sporti, aventurat, vallet, ushqimi dhe një gotë birrë pranë zjarrit ishin motivi në sytë e të rinjve, të cilët kishin vetëm një qëllim ta bënin këtë festival të paharrueshëm.

Për të tretin vit radhazi, tradita e festivalit të jugut i ‘theu’ të gjitha pritshmëritë e një feste me të rinj, muzikë, birrë dhe aktivitete në det, tokë dhe ajër. Këto ditë pranvere fshati piktoresk i njohur për potencialin agro- turistik, historinë, kështjellën mbi kodër, ullishtet dhe prodhimin e vajit, mikpriti rreth 14 mijë pjesmarrës në aktivitetet sportive apo kulturore, muzikë, traditë, natyrë dhe kuzhinën tipike të fshatit.

Kinemaja e hapur, çadrat e camping-ut, makinat e ‘Jeep Safari’ dhe velat e kontrollit të fluturimit të Trike Flying apo balona me buzëqeshjen gjigande që i shoqëroi të gjithë në shëtitjen e qetë përgjatë perëndimit të diellit.

Dritat e zbukuruara në gjethet e ullinjve ndriçonin në stendat e çadrave ku promovohej mjalti, reçeli dhe vaji i ullirit që kultivohet në fshatin Borsh. Për herë të parë këtë vit u mundësua organizimi i festës së Pashkëve, grupe me fëmijë dhe të rinj i ngjyrosën vezët dhe gatuan bukën së bashku nën drejtimin dhe koordinimin e shefit të kuzhinës, Sokol Prenga. ‘Këtu ushqehet fshatçe‘, ishte kjo motoja nga stenda më e madhe në këndin e fushës, pranë skenës, aty ku tavolinat shërbenin ushqimin e gatuar me shijen tradicionale të fshatit bregdetar.

Në skenën magjike të festivalit të jugut, tre mbrëmje me radhë u ngjitën këngëtarë shqiptarë, ku performuan muzikën dhe tingujt që i shkonin për shtat festivalit, Asambli ‘Bejkë e Bardhë’ e Pilurit, Elita 5 dhe Venera Lumani dhe Lindi Islami.

Dosja.al udhëtoi drejt Borshit në këto katër ditë të festivalit, për ta bërë më të prekshme kulturën dhe traditat e fshatit, muzikën isopolifonike dhe aktivitetet e ndryshme që i zhvilluam në ajër, në det dhe në tokë.

Në mbrëmjen e parë skena mirëpriti grupin e ‘Ansamblit Bejkë e Bardhë e Pilurit’, me pjestarë Kristo Çipa, Luljeta Çipa, Valentina Gërdhuqi, Petraq Gërdhuqi, Dhimitraq Bala, ASgron Kreku, Themistokli Polo, Ilia Gjokrushi dhe më të voglën, Eleni Prifti.

Në një përshëndetje për Dosja.al grupi i muzikës isopolifonike të fshatit Pilur, treguan se ata kanë qenë pjesë e këtij organizimi në të tre edicionet e festivalit të oranizuar nga GIZ. Ata u shprehën të lumtur që muzika isopolifonike shqiptare e mbrojtur nga UNESCO  vazhdon të promovohet dhe trashëgohet brez pas brezi në vendin tonë. Shembullin më të mirë e kishin pikërisht aty, Eleni Prifti, 15- vjeçarja nga Himara e cila i është bashkuar grupit isopolifonik që në moshën 10-vjeçare me shumë ambicie për të vazhduar këngën e bukur të Pilurit edhe në të ardhmen.

Trike Flying ishte aktiviteti risi i këtij edicioni bashkë me xhiron në Hot Air Balloon, ku përpos Paragliding ishte hera e parë që pjesmarrësve iu ofrohet mundësia për të fluturuar dhe shijuar festivalin jo vetëm me muzikë apo kërcim, por duke shijuar mrekullinë dhe organizimin e gjithçkaje edhe nga ajri.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në fluturimin me Trike e mposhtëm frikën nga lartësitë dhe kjo ishte mundësia më e mirë. Velat e fluturimit të vendosura në një bastion hekuri me tre rrota e shtyrë nga helika, bënte të mundur qëndrimin për dy persona. Kështu fluturuam përgjatë vijës bregdetare, pranë tokave të punuara nga banorët e fshatit, përshëndetëm pushuesit anës detit, fluturuam mbi fushën ku të rinjtë përgatiteshin për mbrëmjen me muzikë.

Xhonatan Islami, njëkohësisht sportisti i viti 2018 dhe 2019, i përpiktë, i saktë dhe shumë i kujdesshëm fluturoi me ne për të na treguar se puna e bërë me dashuri kërkon sakrificë, por shijon pamjen që ke poshtë këmbëve në ato momente.

Sportet e detit nuk mund të mungonin, duke nisur nga zhytjet në gjirin e virgjër të Gjipes, Jalë, Gara Stand Up Paddling, Sailing, Paddleboard Yoga si dhe Individual Stand Up Paddling aktivitete që i shoqëruan të rinjtë përgjatë katër ditëve.

Viti i parë që FlyBoard u zhvillua në bregun e Borshit, nën drejtimin e Tonit, profesionisti që i mësoi të gjithëve se argëtimi në det bëhet në mënyrat më të çmendura dhe më interesante, jo vetëm të notosh, por të qëndrosh mbi ujë.

Përpos aktiviteve të organizuara dhe tureve që u zhvilluan në kalanë e fshatit Borsh apo Porto Palermo, pas Hiking në shkëmbinjtë e maleve dhe Jeep Safari deri në fshatin Nivicë,  interesante ishte vizita në ullishtet e fshatit aty ku merret ulliri i pastër për të gatuar, ushqyer apo për të shijuar çajin special që nënat e Borshit na servirën në sofrën e shtruar në hijen e ullinjve.

Festivali u realizua nga GIZ Albania, në bashkëpunim me operatorët turistikë shqiptarë që punojnë prej vitesh në sektorin e turizmit, mbështetur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjensia Kombëtare e Turizmit dhe Bashkia Himarë.

*Foto: Armand Habazaj

Montazh: Alket Spata

Shto Koment