
KOSOVË- Festa e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk ka kaluar pa incidente. Mediat në Kosovë bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit në parkimin e lokalit të natës “Duplex” ka ndodhur një konflikt mes disa personave, ku ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri.
Më tej mësohet se janë përdorur dhe mjete të forta, si thikë dhe një person ka marrë lëndime të shumta. Për sherrin që ka qenë një tentativë për vrasje ka reaguar dhe Policia e Kosovës, e cila në një njoftim sqaron situatën.
“Sot rreth orës 02:00, në stacionin policor Qendra në Prishtinë është iniciuar një rast vrasje në tentativë. Rasti ka ndodhur në rrugën “Rinia”, ku pas një zënke (ku dyshohet se ka pasur edhe të shtëna me armë), në mes të disa personave, lëndime nga arma e ftohtë (thike) ka pësuar viktima R. A. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka identifikuar tre persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre”, shkruan Policia.
Ky nuk është incidenti i parë i ndodhur në afërsi të “Duplex”, pasi dhe në nëntorin e vitit 2019 në dalje ka ndodhur një tjetër sherr, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, katër persona mbetën të plagusur.
(A.B. Dosja.al)