Politike

FAKTET/ Të gjitha tentativat e dështuara të Astrit Patozit për të krijuar parti, pse u detyrua të dilte vetë hapur?

Nga takimet ‘rastësore’ me Aqif Rakipin, aleanca e dështuar me Boden dhe Topallin, tek vënia pas Rudina Hajdarit, të gjitha përpjekjet e dështuara të Astrit Patozit për të krijuar një parti. Sot s’ka më dilema, Patozi do e marrë vetë drejtimin e BD. “Xhindi doli nga llampa dhe po realizon dëshira”.
Featured image of article: FAKTET/ Të gjitha tentativat e dështuara të Astrit Patozit për të krijuar parti, pse u detyrua të dilte vetë hapur? Astrit Patozi, ish-nënkryetar i PD dhe Rudina Hajdare, deputete

Njëherë e një kohë, shumë shumë larg prej këtu përralla tregon se Aladini, i mbyllur në një shpellë u përball me një xhind, i cili doli nga llampa magjike dhe i plotësoi dëshirën për t’u bërë i pasur…

Ashtu si nëpër përralla edhe në historinë që do t’ju tregojmë sot, dëshirat janë të mëdha…dhe kur nuk gjejmë një “xhind”, i realizojmë vetë.

Që prej të shtunës të majtë e të djathtë janë nën ethet e diskutimit nëse vajza e ish-deputetit të vrarë të PD, Azem Hajdari, Rudina Hajdari do të bëhet me parti të re.

Mediat raportuan se sigla e zgjedhur është “Bindja Demokratike”.

Në krah të djathtë të saj u pozicionua qartë ish-nënkryetari i PD, Astrit Patozi, në një përpjekje të fortë për të zyrtarizuar krijimin e kësaj partie.

Nëse kthehemi pas në kohë, fiks dy vite më parë, në muajin prill 2017 situata është krejt tjetër.

Astrit Patozi, ende deputet i PD kishte nisur tentativat e para për të dalë kundër Bashës, dhe qëndrimit të demokratëve në çadër.

Pas formalizimit të përjashtimit nga listat, Patozi doli hapur kundër lidershipit të PD dhe akuzoi dyshen Berisha-Basha se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përgjegjësi për humbjen në zgjedhje.

Bashkë me të tjerë të pakënaqur, masa krijoi perceptimin se Patozi po planifikonte një parti të re politike.

Përpjekjet nuk munguan…

Që prej vjeshtës së 2017-ës, ish-deputeti Patozi u pa gjithnjë e më shumë me eksponentë të fortë të larguar nga PD dhe partitë aleate.

Portalet online nisën të publikonin foto nga kafet e ‘rastësishme’, që Aqif Rakipi, ish-deputet i PDIU, konsumonte me Patozin dhe Boden.

Aqif Rakipi, Astrit Patozi dhe Ridvan Bode, foto e shkrepur në 2017

Por pak e nga pak “friends with same benefits u larguan”.

Majlinda Bregu, u emërua si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Jozefina Topalli, u bë pjesë e delegacionit shqiptar në në një detyrë si eksperte e misionit të OSBE-së në Malin e Zi.

Ridvan Bodes iu dha posti i Këshilltarit në Këshillin Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë.
Aqif Rakipi iu bashkua PD nëpër mitingje duke u ndarë kështu nga bashkëpunimi me Patozin.

Në këtë situatë, projekti i Patozit me në krye Rudina Hajdarin ishte plani ideal.

Një parti që edhe nëse do të dështonte, kjo nuk do të ishte kosto për Patozin, por për Rudinën.

Plani që u prish nga Rudina Hajdari

Kryetarja e grupit parlamentar të deputetëve të ardhur nga listat e PD, Rudina Hajdari, sot i dha duart publikisht Patozit.

Burime për Dosja.al pranë Hajdarit thanë se ajo nuk do të jetë pjesë e partisë së Patozit, dhe shkak për këtë është bërë kundërshtia nga deputetët e grupit.

Në limitet e afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, Patozi doli vetë.

Media pranë tij publikuan lajmin se Patozi do të bëhet kryetar i Partisë “Bindja Demokratike”, dhe se pjesë e bordit drejtues do të jenë edhe Endlira Bushati, Fabian Topollaj, Leonard Olli dhe Ardian Kollozi.

Endlira Bushati, ish-kryetare e AMA-s, gjithashtu mohon publikisht se s’ka lidhje me partinë “Bindja Demokratike”.

Në kohën që PD është në rrugë dhe jo në parlament, Patozi nuk ka humbur kohë.
Me dëshirën e Aladinit për t’ju plotësuar ëndrra e të paturit një parti, një nga figurat e forta në PD në kohën e Berishës, merr përsipër koston dhe bëhet vetë kryetar…

A do të vlejë protagonizmi dhe përgjegjësia në terren, apo edhe BD do të jetë një dështim në një ‘politikë ujqërish’, kjo mbetet për t’u parë.

“Xhindi doli nga llampa dhe po realizon dëshira”…

Shto Koment