Politike

Dosja Babale/ Prokuroria kërkon 1 vit e gjysmë burg për Salianjin. Basha: Kolë Hysenaj i shërbeu socialistëve

Prokuroria e Tiranës ka dhënë sot pretencën për të akuzuarit e dosjes "Babale".Për ish-deputetin e PD, Ervin Salianji kërkohet 1 vit e 6 muaj burg. Sipas Prokurorisë të tre të pandehurit kanë kryer kallëzim të rremë.
Featured image of article: Dosja Babale/ Prokuroria kërkon 1 vit e gjysmë burg për Salianjin. Basha: Kolë Hysenaj i shërbeu socialistëve Lulzim Basha, Kol Hysenaj, Ervin Saljani dhe Albert Veliu
Përditësuar:

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka dhënë sot pretencën për të akuzuarit e dosjes “Babale”. Organi i akuzës ka kërkuar dënimin me 3.6 vite burg për Albert Veliun, i njohur ndryshe si Babalja, 3 vite për Fredi Alizotin, 1.6 vite burg për ish deputetin Ervin Salianji dhe 1 vit për gazetarin Jetmir Olldashi. Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe ish deputeti Salianji janë marrë të pandehur me akuzën e kallëzimit të rremë, ku me anë të një audio përgjimi përfshin vëllanë e ish-ministrit Xhafa, Agron Xhafa në një bisedë për trafik droge. Sipas Prokurorisë të tre të pandehurit kanë kryer kallëzim të rremë. Jashtë ambienteve të Gjykatës, Salianji tha akuzat janë të montuara dhe prokuroria po përdoret politikisht. Ndërkohë që nënkryetari i PD, Edmond Spaho akuzoi prokurorin e dosjes Babale, Kolë Hysenaj se po i bën shërbimin e duhur mazhorancës duke kërkuar burg për deputetët.

Në ambientet e brendshme të gjykatës ishin të pranishëm edhe ish-deputetët e Partisë Demokratike,  të cilët ndoqën nga afër seancën gjyqësore ndaj Salianjit.

Çfarë është dosja “Babale”?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale. Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej. Në datë 6 mars të këtij viti prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’. Salianji është marrë i pandehur, pasi rezultoi si personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë. Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg.

(a.m;f.g/dosja.al)

ZHVILLIMET ORE PAS ORE PER DOSJEN BABALE

  • 21:42

    Pretenca për ‘Babalen’/ Kryemadhi del në krah të Salianjit: Sulm i orkestruar nga Rama, vendi po kthehet në diktaturë

    Ervin Salianji dhe Monika KryemadhiKryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me pretencën e Prokurorisë për 1.6 vite burg për ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianjin për dosjen“Babale”. Në reagimin e saj, Kryemadhi shprehet se e gjitha është e orkestruar politikisht nga kryeministri Rama, gjë që sipas saj u tregon qytetarëve se demokracia në vend është në rrezik. Ndër të tjera, Kryemadhi ka përmendur edhe kërkesën për azil të Agron Tufës, prishjen e godinës në Qytet Studenti dhe miratimin e paketës së Ndryshimeve Ligjore. Sipas saj, Shqipëria po shkon sërish drejt diktaturës.

    Postimi i plotë:

    Ky dhjetor i 29-të i demokracisë në Shqipëri, në vend që të na gjente me një shtet të konsoliduar të së drejtës dhe me demokraci funksionale, i cili do të ishte i denjë për familjen evropiane, fatkeqësisht po shohim se po rrëshqet drejt një sistemi autokratik. Pretenca e sotme e Edi Ramës, si autori real i saj, i lexuar nga dyshja e prokurorëve të telekomanduar Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, ndaj opozitarit Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, po i tregon qartë të gjithë shqiptarëve që demokracia në vend është në një rrezik eminent. Ky sulm i orkestruar politikisht duke përdorur gjithashtu edhe sistemin e drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët nën frikën e vettingut janë gati që të bardhën ta bëjnë të zezë, u parapri edhe nga ngjarje të tjera po kaq të rrezikshme në kurriz të demokracisë sonë të brishtë. Kërkesa për Azil e drejtorit ekzekutiv të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit z. Agron Tufa pas kërcënimeve të marra për shkak të punës së tij, prishja e qëllimtë, pikërisht në datë 8 dhjetor e godinës nr.15 në Qytetin Studenti, që mbart simbolin e revoltës studentore për demokraci si edhe paraqitja për miratim në Kuvend e Paketës së Ndryshimeve Ligjore për nënshtrimin e plotë të medias janë akte, të cilat po e rikthejnë Shqipërinë në vitet e errta të diktaturës. Nga një qeveri e ardhur në pushtet nga votat e blera dhe të rrëmbyera në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar dhe paratë e oligarkëve të PPP nuk mund të presësh as demokraci, as shtet të së drejtës, as zhvillim ekonomik, as integrim evropian. Opozita ka mision të saj parësor dhe kombëtar mbrojtjen e demokracisë, mbrojtjen e fjalës se lirë dhe medias, mbrojtjen e votës së lirë. Asgjë nuk është më e shtrenjtë dhe më me vlerë se liria. Opozita së bashku me qytetarët shqiptarë nuk do rreshtin së luftuari për një demokraci reale dhe funksionale. Sot pas 29 vitesh, fatkeqësisht, po i rikthehemi me forcë po të njëjtave thirrje, të cilat ushtuan nga studentët: “Poshtë diktatura” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

  • 19:38

    Dosja Babale, Salianji: Askush nuk më ndal, e vërteta triumfon gjithmonë

    Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji ka reaguar sërish lidhur me pretencën që Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës për dosjen “Babale 2”. Me anë të një statusi në Facebook, Salianji shkruan se askush nuk e ndal dot sepse lufta për të vërtetën triumfon gjithmonë.

    “Askush nuk më ndal dot! Lufta pa kompromis për të vërtetën dhe të drejtën përherë triumfon siç ndodhi dhe në këtë rast me largimin e ish Ministrit të Brendshëm Xhafaj, burgosjen e nje trafikanti Xhafaj dhe largimin nga vetingu të tre prokurorëve Osmani, Kulluri, Bajrami dhe dy gjyqtarëve të krimeve te renda Baku dhe Përnoca qe mbajtën në këmbë këtë farsë që pamë sot! Hilet, tradhëtitë, pabesitë dhe joshjet me para, pushtet apo kalim vetingu janë shumë të përkohshme. Beteja të tjera na presin,”-shkruan Salinji. 

    Statusin e tij, ish-deputeti e ka shoqëruar me foto nga salla e gjyqit, në të cilat shfaqej i qeshur krah mbështetësve të tij. 

  • 17:54

    Prokuroria kërkoi 1.6 vite burg për Salianjin, flet avokati i demokratit: Prokuroria po bën një sy qorr, s’dimë a është në burg Agron Xhafaj

    Ledio Braho, avokati i Ervin Salianjit

    Ledio Braho, avokati i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e sheh si një proces të montuar politikisht gjyqin në ngarkim të klientit të tij për dosjen “Babale”.

    Ditën e sotme, prokuroria lexoi pretencën për Salianjin, ku kërkoi 1 vit e 6 muaj burg, dënim që konvertohet në 3 vite shërbim prove.

    Për të folur rreth kësaj pretence isht i ftuar në studion e “FaxNews” Ledio Braho. Ai u shpreh se akuzat kundër Salianjit dhe gazetarit Sokol Olldashi nuk qëndrojnë.

    “Ka një audio-përgjim, ka edhe një akt-ekspertimi që është bërë edhe në Britaninë e Madhe. Akti i ekspertimit ka vetëm një fakt, që nuk merret parasuysh nga prokuroria, ka rezultuar se zëri i Agron Xhafës është i ngjashëm me zërin e Fredi i Alizotit. Ajo që është shkencore nuk është në përputhje me deklaratat e Fredi Alizotit. Por, prokuroria bën një sy qorr.

    Sa dubla ka bërë gazetari Olldashi për të gjetur një zë të ngjashëm me të Agron Xhafës? Si ka mundësi ka arritur një perfeksion të tillë? Po të vesh re pretencën e prokurorisë, nuk ka asnjë element që ngarkon me përgjegjësi penale Ervin Salianjin dhe Olldashin”, tha Braho.

    Ai deklaroi se është kërkuar që të thirren për të dëshmuar edhe kryeministr Edi Rama bashkë me vëllanë e Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, por shtoi se kjo kërkesë nuk u mor parasysh. Sipas tij, dërgimi i Agron Xhafajt për të vujatur dënimin në Itali pas publikimit të audio-përgjimit tregon qëllimin për ta bërë procesin gjyqësor jo-transparent.

    “Ne kemi kërkuar që të thërritet Edi Rama se ai është i pari që tha do të bëhet ekspertizë se ai nuk është zëri i Agron Xhafajt dhe ashtu doli. Ne kemi kërkuar të thirret Agron Xhafaj. Kërkesat tona nuk janë pranuar. Prokuroria ka thërritur 15-20 dëshmitarë, që kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni as Salianji dhe as Olldashi në lidhje me Fredi Alizotin.

    Prokuroria pretendon për një vlerë 200 mijë euro të premtuar për Alfred Veliun. Por përveç dëshmisë së Fredi Alizotit, kjo nuk del në asnjë vend tjetër. Të gjitha procat të çojnë vetëm në një përfundim: pafajësia e Ervin Salianjit dhe Sokol Olldashit. Çdo gjë tjetër është politike, kjo është një akuzë politike. Po cenohet liria e shprehjes. Është një linjë që po shfrytëzon mazhoranca, duke shfrytëzuar edhe vetingun. Realisht ne nuk e dimë nëse Agron Xhafaj është në burg në Itali.

    Gjykata as nuk tentoi ta lajmëronte Agron Xhafajn. Ajo e revokoi pa kërkesë. Siç ndodhi me Albert Veliun në Belgjikë që e arrestoi, duhet ta kishte bërë edhe me Agron Xhafajn. Duhet të ishte tentuar njofimi, nëse nuk do ishte njoftuar, atëherë duhet të ishte proceduar me revokimin. Por kërkesa u revokua për të mos dëgjuar zërin live të Agron Xhafajt”, deklaroi Ledio Braho për “FaxNews”.

    I pyetur se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të Ervin Salianjit, avokati tha se do të ndiqen të gjitha shkallët e gjyqësorit për të ankimuar.

    “Do të bëjmë ankim në Gjykatën e Apelit siç e përcakton ligji. Do të jetë kjo gjykatë që do të vendosë. Pastaj ka Gjykatë të Lartë, pastaj ka Gjykata Kushtetuese, pastaj ka Gjykatë të Strasburgut. Këto janë çështje që mbrohen nga Gjykata e Strasburgut se kemi të bëjmë me të drejtën e shprehjes.

    Vetë fakti se Agron Xhafaj shkoi në Itali të vuante dënimin pas audio-përgjimit, tregojnë se nuk kanë pasur qëllim të bëjnë një proces të rregullt ligjor. Seanca e radhës është të mërkurën në orën 10:00. Nga komunikimet me gjykatën, para Vitit të Ri do të ketë një vendimmarrje. Gjykata do të marrë kohën e saj për të shpallur vendimin para 31 Dhjetorit”, u shpreh Ledio Braho.

    Ai komentoi edhe propozimin e mazhorancës që të shmanget presidenti për të kryer betimet. Për avokatin, e gjitha kjo bëhet për të quajtur të ligjshëm betimin e Arta Vorpsit.

    “Betimi para presidentit është i përcaktuar në Kushtetutë. Por duke pasur atë shumicë në Parlament, mazhoranca është e gatshme të bëjë gjithçka. E gjitha kjo është bërë vetëm për rastin e Arta Vorpsit, i japin fuqi prapavepruese që të quhet që është në detyrë Arta Vorpsi.

    Shfrytëzojnë faktin që kemi një Parlament monopartiak për të bërë këto ndryshime. Ata mund të ndryshojnë edhe Kushtetutën. Betimi para presidentit është i përcaktuar në Kushtetutë”, tha Ledio Braho për “FaxNews”.

  • 17:27

    U kërkua burg për Salianjin/Balla sulmon Bashën: Shënjestroi një nga prokurorët e dosjes ku u përfshi edhe vetë

    Taulant Balla dhe Lulzim Basha

    Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka komentuar pretencën e prokurorisë për të dënuar me 1 vit e 6 muaj burg ish-deputetin Ervin Salianji.

    Në  një postim në Facebook, Balla dënon sulmin e ndërmarrë nga Lulzim Basha ndaj dy prokurorëve që morën vendimin për dosjen “Babale”. Balla shkruan në “Facebook” se sulmi i Bashës ndaj Prokurorisë është ripërsëritje ogurzezë e qëndrimit obstruktiv të PD ndaj drejtësisë.

    Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

    Reagimi i të pandehurit ndaj një pretence të Prokurorit është i falshëm dhe emocional kur bëhet fjalë për çështjen e tij.

    Por sulmi i Lulzim Bashës ndaj Prokurorisë sot është ripërsëritje ogurzezë e qëndrimit obstruktiv të PD ndaj drejtësisë.

    Prokuroria është e mirë kur ngre akuzë ndaj kundërshtarit dhe qenka e keqe kur akuzon ty apo anëtarin e çetës tënde?!

    Sulmi i Lulzim Bashës shënjestroi edhe një nga prokurorët e dosjes ku vetë Lulzim Basha është i pandehur. Kjo është e papranueshme dhe është një presion i hapur kundër Prokurorisë, e cila ende ka në hetim Kryetarin e PD.

    Përdorimi nga ana e Lulzim Bashës e pretencës ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, për sulme personale ndaj Prokurorisë e zhyt Partinë Demokratike edhe më thellë në baltën ku vetë mbytet prej shumë kohësh.

    Lulzim Basha është i vetëdijshëm batak-babalen ku u vetëpërfshi me dashje, bashkë me të tjerë si Ervin Salianji.

    Teksa vëmendja jonë është tek familjet e që prekura nga fatkeqësia që solli tërmeti dhe rindërtimi, ende shpresojmë se Partia Demokratike do të ndryshojë qasjen e saj ndaj drejtësisë dhe Shqipërisë sonë të përbashkët.

  • 16:47

    Kërkoi 1 vit e 6 muaj burg, Salianji akuza Kolë Hysenajt: Shërbëtor besnik i mazhorancës, synon të kalojë vettingun duke sulmuar opozitën

    Pasi Prokuroria e Tiranës lexoi pretencën e saj ku kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji, ky i fundit reagoi përmes një deklarate për shtyp.

    “Sulmet ndaj meje janë politike. Në gjasme pretence prokuroria bëhet pjesë me llumin. Asnjë pabesi nuk e mposht dot të drejtën. Prokuroria politike lexoi fiks atë që tha kryeministrin. Pala që përfaqësonte Xhafajn kishte të njëjtin qëndrim me prokurorinë. Prokuroria nuk mori parasysh asnjë provë që ne kemi paraqitur. Kjo nuk është drejtësia e re, janë prokurorë të drejtësisë së vjetër. Dënimi im është kërkuar që në momentin kur kam bërë publik rastin”, tha ndër të tjera Salianji.

    Ervin Salianji

    Ju kujtojmë se sot, për ish-deputetin Ervin Salianji, prokuroria ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg, që të konvertuara shkojnë në 3 muaj shërbim prove. Po kështu mbi pretencën në fjalë reagoi nga Gjykata e Apelit edhe Edmond Spaho.

    “Nga sa kuptuam nga referimi i prokurorisë, viktima kryesore paska qenë ish-ministri Xhafaj. Akuza u mbrojt nga prokurorë politikë, veçanërisht Hysenaj, shërbëtor besnik i mazhonrancës. Hysenaj synon të kalojë vettingun duke sulmuar opozitën. Prokuroria duhet të përfundonte hetimin se si u largua trafikanti Geront Xhafaj”, u shpreh Spaho.

    Pezullimi i dënimit me burg për Salianjin u kërkua vetëm nga prokurori Genci Qana, jo nga prokurori tjetër Kolë Hyseni.

    Sipas prokurorisë, të pandehurit duhet të deklarohen fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë”, kryer në bashkëpunim. Nga ana tjetër, për Albert Veliun kërkohen 3 vite e 6 muaj, pasi akuzohet për “kallëzim të rremë” edhe për “kalim të paligjshëm të kufirit”, e ndërsa për Fredi Alizotin, 3 vite.

    Audiopërgjigjimi “Babalja”, shkaktoi bujë të madhë për shkak se në të përmendej Agron apo Geron Xhafaj, vëllai i ish ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe pretendohej se ai ishte i lidhur me çështje të trafikut të drogës. Vëllai i ish ministrit, pasi depozitoi në prokurori fragmente nga zëri i tij, u vetëdorëzua pranë autoriteteve italiane, për të vuajtur një dënim të shumë viteve më parë./ Top Channel

  • 16:25

    U kërkua burg për Salianjin/ Berisha dënon ashpër procesin: Rama urdhëroi fallangat e tij të KÇK…

    Sali Berisha

    Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas leximit të pretencës nga Prokuroria për Ervin Salianjin, ku kërkonte 1 vit e 6 muaj burg për të.Në një postim në Facebook, Berisha e dënon ashpër këtë proces, duke e quajtur politik. Sipas Berishës, kryeministri Rama, urdhëroi sot fallangat e tij te KÇK, si çi quan ai ndryshe,  të denojne si kundërshtarë politiëk me proces kriminal dhe të turpshëm ish- deputetin Salianji dhe gazetarin investigativ Olldashi sepse ata iu faktuan shqiptarëve dhe botës lidhjet me trafiqet dhe drogën.

    Postimi i plotë i Sali Berishës: 

    Procesi politik Salianji – Olldashi i krye kreut te meduzes Edvin Mafia, nje kushtrim per shqiptaret! Te dashur miq, sot krye kreu i meduzes se narkoshtetit Edvin Kristaq Xhelati zgjodhi gjendjen e Fatkeqesise Natyrore dhe urdheroi fallangat e tij te KÇK te droges, bandave dhe krimit te kerkojne ne nje farse kriminale politike denimin me 1 vit e 6 muaj per Ish deputetin Ervin Salianji dhe nje vit heqje lirie per gazetarin e njohur investigativ Jetmir Olldashi.

    Edvin Kristaq Xhelati urdheroi sot fallangat e tij te KÇK te denojne si kundershtare politik me proces kriminal dhe te turpshem is deputetin Salianji dhe gazetarin investigativ Olldashi sepse ata ju faktuan shqiptareve dhe botes lidhjet me trafiqet dhe drogen te Edvin Kristaq Droges, Faqezi Droges, Agron Geron Dorges, Ardi Geron Droges dhe piramides se droges se narkoshtetit, drejtore lokal dhe qendror te policise, oficere te SHISH, narkoprokurore, dhe gjer tek narkoministri i brendshem dhe krye kreu i meduzes se narkoshtetit shqiptar, vet Edvin Mafia.

    Ne kete proces te shemtuar politik u denua me 3.5 vjet burg Alfred Veliu, i cili si bashkepuntor i gazetarit investigativ Jetmir Olldashi, por edhe i vet SHISH dhe Prokurorise, faktoi me prova te pakundershtueshme se klani i droges i narkoministrit Fatzi Xhafa konkretisht Agron Geron Xhafa vazhdonin trafikun e droges nen mbrojtjen e narkoshtetit.

    Denoj me ashpersine me te madhe procesin e turpshem politik Salianji-Olldashi te Edvin Kristaq Droges dhe klanit te tij kriminal dhe ju bej thirrje shqiptareve dhe komunitetit nderkombetar te ndeshkojne ashper kreun e narkoshtetit shqiptar per kete akt kriminal qe shkel rende kushtetuten dhe konventat nderkombetare te lirive dhe te drejtave te njeriut. sb

  • 15:42

    Basha akuza të forta: Kolë Hysenaj dhe Genci Qana prokurorë të korruptuar, shërbëtorë të Ramës

    Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas leximit të pretencës nga Prokuroria për Ervin Salianjin dhe kërkonte 1 vit e 6 muaj burg për të.

    Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se akuza është ngritur nga dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që sipas tij kanë zbatuar skenarin për t’i mbyllur gojën opozitës.

    Më tej nurmi një i PD shton se askush nuk do arrij të mbyll gojën opozitës e as Ervin Salianjit dhe beteja e tij me krimin do të vijojë.

    30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës. Për të dënuar Ervin Salianjin, që denoncoi me fakte, përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në trafik droge, Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit.

    Askush, nuk do të arrijë kurrë t’i mbyllin gojën as Ervin Salianjit dhe asnjë përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike. Beteja jonë me krimin e organizuar, dhe denoncimi i lidhjeve të krimit të organizuar me Qeverinë e Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij në drejtësi, nuk ka për tu ndalur”, shkruan Basha.

  • 14:57

    Çështja ‘Babale’, Prokuroria kërkon që 3 të pandehurit të shpallen fajtorë, ja sa vite burg rrezikojnë

    Albert Veliu, Ervin Salianji dhe Fredi Alizoti

    Prokuroria e Tiranës ka  kërkuar që 3 të pandehurit e çështjes “Babale” të shpallen fajtorë.

    Për Fredi Alizotin është kërkuar 3 vite burg, për Ervin Salianjin 1.6 vite burg dhe 3.6 vite burg për Albert Veliun .

    Për ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji, Prokuroria ka kërkuar sot 1 vit e 6 muaj pezullim nga funksionet politike dhe 3 vite shërbim prove, lidhur me audio-përgjimin për çështjen ‘Babalaja’, ku u fajësua për trafik droge vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Xhafaj, Agron Xhafaj.

    Prokurori i çështjes, Kol Hysenaj ka kërkuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për Albert Veliun, i cili akuzohet për ‘Kallëzim i rremë’ dhe ‘kalim të paligjshëm të kufirit’, ndërsa për Fredi Alizotit, 3 vite burg. Ndërkohë për gazetarin Jetmir Olldashin vit burg, dënim ky që të zëvendësohet me 200 orë pune publike të detyruara. Sipas Prokurorisë të tre të pandehurit kanë kryer kallëzim të rremë.

  • 14:57

    PD reagon për seancën gjyqësore ndaj Salianjit: Akuza politike e montuar, prokurori Hysenaj shërbëtor i maxhorancës

    Edmond Spaho

    Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho në një deklaratë për mediat  hodhi akuza drejt prokurorit Kolë Hysenaj, se vendimet e tij për dosjen “Babale” janë politike.

    Spaho theksoi se prokurori Hysenaj është një shërbëtor besnik i maxhorancës dhe mendon të kalojë vettingun duke luftuar drejtuesit e PD.

    “Të vendosur në qëndrimin e tyre për t’i shkuar linjës së kryeministrit Rama. Një akuzë thellësisht politike, e montuar, qesharake. Nga sa kemi kuptuar nga referimi i prokurorisë, viktima kryesore e këtyre veprimeve paska qenë Fatmir Xhafaj, ish-ministri i Brendshëm. Konkluzion të cilin e konfirmoi dhe avokati i tij. Një akuzë e mbrojtur nga prokuror politik dhe veçanërisht nga prokuroi Hysenaj, shërbëtor besnik i maxhorancës, që mendon të kalojë vettingun duke luftuar ashpër PD dhe drejtuesit e saj.”, tha Spaho.

  • 14:57

    “Sot nuk u kërkua dënimi im’, Salianji flet pas pretencës: Askush s’mund të më pengojë dhe kërcënojë (VD)

    Në përfundim të seancës sotme gjyqësore, Ervin salianji ka thënë para gazetarëve se denimi që ka kërkuar sot Prokuroria është një masë e kërkuar ndaj tij që nga dita kur ka bërë publikimet e dosjes “Babale”.

    “Unë jam bërë në Prokurori si njëri prej jush ku paraqitem dhe raportoj, organi i akuzës ka cituar një akt duke mos marrë asnjë provë në shqyrtim nga ato që kemi depozituar. Prokuroria politike në vend që të dënojë ata që janë marrë me drogë dhe korrupsion, merren me ata që denoncojnë. Sot nuk u kërkua dënimi im, dënimi im është kërkuar që në momentin kur kam bërë publikimet. Askush nuk mund të më pengojë dhe kërcënojë me këshillat personale të Partisë Socilaiste.Nuk i druhem fare e kam thënë që në filim, shpesh në gjykatë edhe unë edhe ju jam bërë koresponendent, janë sulme politike, sot nuk pati asnjë fakt prove të re, por pati një devijim të cështjes nga denimi per trafik i vellait te ish ministrit te Brendshem, drejt ne një gjasme pretence kur prokuroria bëhet pjesë me llumin, por asnjë intrigë asnjë pabesi, tradheti s’ja del të mposhtë dot të vërtetën.”, u shpreh Salianji.

5 Komente në “Dosja Babale/ Prokuroria kërkon 1 vit e gjysmë burg për Salianjin. Basha: Kolë Hysenaj i shërbeu socialistëve

  1. Bravo! atje po denacove u futke brenda! Qenka rrotuluar bota tani ose me sakte bota para e ju 1000 vjet pas! falenderim qe na mbushet mendjen qe ne ate rend fisnor s’ duhet te kthemei me pas!

  2. E njejta formule e SHQUPIT sa here akuzohen zyrtarisht, denohen apo ndaj tyre rendon dicka e madhe zene e shajne cte gjejne prepara. Ulni koken e te pakten pranoni fajin e nje inskenimi idiot dhe te ulet me personazhe llum te shoqerise tone

  3. Po reagoni mblidhuni aty krekosuni per te nxjerre budallalleqe nga goja, shkoni edhe 10 veta atje gjoja per te mbeshtetur salianjin. Shkoni shantazhoni edhe prokuror e gjykates per tja hedhur nga shpifja e paskrupullt qe bet

  4. Plerat si puna jote e kane shume pak kete denim, paç kemben e mbare per shoket e tu!

  5. se kuptoj ku e kane hallin, eshte shume pak per te ky denim, meriton shume me shume.

Shto Koment