Aktualitet

Errësira “e transparencës” së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, asnjë informacion për lejet e hidrocentraleve

Mospublikimi informacioneve mbi projektet zhvillimore që ndikojnë në gjendjen e mjedisit prej AKM-së, favorizon bizneset të cilat shpërfillin plotësimin e detyrimeve që kanë për përmirësimin e gjendjes së mjedisit.
Featured image of article: Errësira “e transparencës” së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, asnjë informacion për lejet e hidrocentraleve Errësira “e transparencës” së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit

23 maj 2020/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Tiranë

Projekti për ndërtimin e digës së Kaliaçit në Vjosë, lumit më të rëndësishëm të Shqipërisë Jugore, i paprekur ende prej hidrocentraleve, është vetëm një hap larg marrjes së Deklaratës Mjedisore. Të dhënat e grumbulluara tregojnë se kompania koncesionare “Ayen Alb” ka aplikuar online në 2 prill 2020, përmes sistemit të vlerësimit mjedisor në Platformën e-Albania, duke i kërkuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), të shqyrtojë dokumentacionin teknik mjedisor i cili ka mbërritur në fazën e tij përfundimtare. Por ndonëse një projekt me ndjeshmëri të lartë publike, autoritetet kanë zgjedhur mospublikimin e dokumentacionit, çka i privon qytetarët dhe grupet e interesit nga reagimet.

Foto nga ndërtimi i hidrocentralit të Kalivacit.

Përmes Vendimit (VKM) Nr. 247, dt. 30. 4. 2014, Këshilli i Ministrave cakton AKM-në që të publikojë për 20 (njëzet) ditë rresht, në faqen e saj të Internetit, informacionin e plotë për secilin prej projekteve të prezantuara nga bizneset. Është ky mekanizëm ligjor që mbështet mundësinë e publikut për të reaguar qysh në fazat e para të vendimmarrjen mjedisore.

Duke vështruar në brendësi të listës së papublikuar, numrin më të madh të aplikimeve, rreth një të katërtën e tyre, e zënë guroret dhe hidrocentralet. Tre projekte ndërtimi hidrocentralesh referohen në territore me habitate të regjistruara si zona të mbrojtura. Fjala është për një hidrocentral në Lumin e Gashit (Tropojë), HEC Marinaj në Kuturman të Librazhdit dhe HEC Bushtrica në Përrenjas. Ndonëse autoritetet kanë detyrimin për të publikuar plotësisht materialet shoqëruese, faqja e Konsultimeve Publike e AKM-së nuk përmban asnjë njoftim për këto projekte.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

E drejta e publikut për t’u informuar mbi gjendjen e mjedisit është një e drejtë e cila sanksionohet në Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 56: “Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij”. Mospublikimi informacioneve mbi projektet zhvillimore që ndikojnë në gjendjen e mjedisit prej AKM-së, favorizon bizneset të cilat shpërfillin plotësimin e detyrimeve që kanë për përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

Qendra ResPublica, një organizatë që mbron të drejtën për informim të qytetarëve analizon prej vitesh problematikën e mospublikimit të informacionit mjedisor prej zyrtarëve të AKM-së. Qysh prej 2018-s kjo organizatë, duke hulumtuar nëpër faqet online të AKM-së, arriti në përfundimin se …ky institucion nuk informon publikun, siç kërkohet nga VKM nr. 247, dt 20.05.2014 “Për përcaktimin e rregullave… për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”. Organizata ia parashtroi faktet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, që ka në varësi AKM-në. Por ministria nuk bëri asnjë hetim lidhur me gjetjet. Raportet e mëpasshme (2019 dhe 2020) “Për të Drejtën për Informim” nga ResPublica reflektojnë të njëjtën mungesë transparence dhe llogaridhënie.

Në përfundim, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, administratori i vetëm i informacionit mjedisor, përmes mospublikimit online të informacionit, duke ia fshehur atë publikut, në kushtet e izolimit të shtrënguar prej pandemisë së Covid -19, ndihmon shtimin e mjegullnajës, por edhe të konflikteve mes grupeve të interesit, mbi ndikimet e mundshme negative të këtyre projekteve zhvillimore në atë që është dhe objekti i saj i punës: mjedisi. Marrë nga Portavendore.al

Shto Koment