Politike

“Enver Hoxha dhe komunizmi kishin anë pozitive”/ Luljeta Bozo ‘tërbon’ rrjetin me deklaratën e saj, Tufa dhe Robelli: Në një vend tjetër ka ligj për ata që lavdërojnë, dhe lartësojnë regjimin kriminal

Në statuse në rrjetet sociale si Tufa dhe Robelli shkruajnë se në një vend me shoqëri aktive civile dhe media të pavarura, ka ligje ku dënohen persona që jo vetëm lavdërojnë e lartësojnë regjimin komunist, por dyshojnë në kriminalitetin e këtij regjimi. Madje Tufa shton: Nuk e di si do përgjigjej kjo 81-vjeçare nëse shorti do t'i shtinte për pjesë njërëz të pushkatuar në familje, të dënuar politikë dhe familjen të internuar në Tepelenë apo baltrave të Myzeqesë…
Featured image of article: “Enver Hoxha dhe komunizmi kishin anë pozitive”/ Luljeta Bozo ‘tërbon’ rrjetin me deklaratën e saj, Tufa dhe Robelli: Në një vend tjetër ka ligj për ata që lavdërojnë, dhe lartësojnë regjimin kriminal Enver Hoxha, Luljeta Bozo, Agron Tufa dhe Enver Robelli

TIRANË– Deklarata e inxhinieres Luljeta Bozo, kandidates për deputete në listat e Partisë Socialiste në Tiranë, e cila tha një ditë më parë se Enver Hoxha dhe komunizmi kishin më shumë anë pozitive se negative, nuk ka kaluar si diçka “normale”. Agron Tufa ish-drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri dhe gazetari e analisti Enver Robelli e kanë kritikuar këtë deklaratë të Bozos.

Në statuse në rrjetet sociale si Tufa dhe Robelli shkruajnë se në një vend me shoqëri aktive civile dhe media të pavarura, ka ligje ku dënohen persona që jo vetëm lavdërojnë e lartësojnë regjimin komunist, por dyshojnë në kriminalitetin e këtij regjimi. Madje Tufa shton: Nuk e di si do përgjigjej kjo 81-vjeçare nëse shorti do t’i shtinte për pjesë njërëz të pushkatuar në familje, të dënuar politikë dhe familjen të internuar në Tepelenë apo baltrave të Myzeqesë…

Statusi i Agron Tufës:

Garderoba e pluhurosur e nostalgjisë enveriste, mis Luljeta Bozo, na vuri në balancë të mirat dhe të këqijat e regjimit të lugatit Enver Hoxha. Dhe për këtë relikte të rekuizitës staliniste regjimi komunist kishte më shumë të mira.  Nuk e di si do përgjigjej kjo 81 vjeçare nëse shorti do t’i shtinte për pjesë njërëz të pushkatuar në familje, të dënuar politikë dhe familjen të internuar në Tepelenë apo baltrave të Myzeqesë. Megjithatë 1 të mirë e ka pasur ai regjim dhe ne po ia themi mis Bozos: – E vetmja gje pozitive gjate regjimit të diktatorit Hoxha ka qenë renia e reshjeve (shira të larmishëm, borëra, bryma e breshëri) si dhe ndërrimi i pandalshëm i stinëve. Çdo gjë tjetër u gjymtua. Madje dhe natyra! P.S: në vendet ish-komuniste të BE ekziston një ligj për ndjekje penale jo vetëm për ata që e lavdërojnë, por dhe për ata që e vënë në dyshim natyrën kriminale të diktaturës komuniste.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Statusi i gazetarit Enver Robelli:

Domethënë gati 80-vjeçarja Luljeta Bozo, të cilën Edi Rama e ka përzgjedhur si kandidate “socialiste” për ta futur në Parlament, thotë në një intervistë se Enver Hoxha ka pasur më shumë anë pozitive se negative. Inxhinierja Luljeta Bozo e thotë këtë në vitin 2021, kur tashmë ka mjaft të dhëna mbi atë se sa njerëz ka pushkatuar regjimi i Enver Hoxhës, i cili është krimineli më i madh që ka nxjerrë ndonjëherë kombi shqiptar. Gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri janë vrarë rreth 6000 veta, pra gati po aq sa në Srebrenicë nga kriminelët serbë. Vetëm në Shkodër u burgosën 2890 veta, prej tyre 601 u vranë, 136 nuk mbijetuan nga torturat. Eshtrat e shumë viktimave në Shkodër ende janë të shpërndarë nëpër zona me bërllok. Dhe del “shoqja” Bozo dhe thotë: E. Hoxha kishte anë pozitive. Dhe krejt kjo në Shqipëri kalon si diçka “normale”. Në një vend të organizuar dhe me shoqëri aktive civile dhe media të pavarura presioni do të ishte aq i madh, saqë simpatizante të diktaturës si “shoqja” Bozo jo vetëm që do t’i jepnin fund ambicieve politike dhe do të kërkonin falje, por edhe do të ballafaqoheshin me drejtësinë për lartësimin e një regjimi kriminal. Por akrepat e orës në Shqipëri qëmoti ecin në drejtim të gabuar, andaj e pamundshmja bëhet e mundshme. Andaj prej “shoqes” Bozo nuk distancohet Partia Socialiste dhe heshtin edhe shumë intelektualë, të cilët nuk do të duhej të heshtnin. Andaj arena e poshtërsive dominohet nga tipa njerëzish si Bozo që historinë e bëjnë bozë.

Deklarata e Bozos u bë pak ditë më parë. E pyetur për kohën e komunizimit në studion televizive të “Dekalog”, Bozo u shpreh me bindje se periudha e regjimit komunist kishte më shumë të mira sesa efekte negative në vend.

(f.m/dosja.al)

Një Koment në ““Enver Hoxha dhe komunizmi kishin anë pozitive”/ Luljeta Bozo ‘tërbon’ rrjetin me deklaratën e saj, Tufa dhe Robelli: Në një vend tjetër ka ligj për ata që lavdërojnë, dhe lartësojnë regjimin kriminal

  1. Me gjithe respektin per zonjen por nuk mund te mdertohet demokracia kapitaliste me idet e E.Hoxhes…eshre kontraditore .
    Keta jan kandidat te zgjedhur per te bete per vete ate pjese nostalgjike te atij sistemi…
    Manovra elektorale…

Shto Koment