Editorial

Renegatët e tryezës Rama-Basha

Tek ajo tryezë në Pallatin e Kongreseve që dje u shtua me 6 anëtarë, po mbytet në heshtje kauza e vërtetë, me të cilën Lulzim Basha çoi në kolaps sistemin dhe mori mbështetjen e të gjtihë atyre, të lodhur nga sistemi, e mbështetën për ta shembur atë.
Featured image of article: Renegatët e tryezës Rama-Basha
Përditësuar:

TIRANË- Fushata mbrojtëse e opozitës për tryezën e Reformës Zgjedhore, vetëm sa e shton skepticizmin për një plan të detajuar. Jo vetëm se projekti që paraqet opozita është rezoluta me 9 pika e Bundenstagut, por edhe për spekulimet me të cilën e shoqëron mungesën e projektit. Në kushtet kur 9 kushtet e Bundenstagut, nuk janë në fuqi për Shqipërinë, përsa kohë ishin kushte që do të aktivizoheshin në rastin e hapjes së negociatave, ky projekt bie.

Në vend të tij mund të ketë një marrëveshje të fshehtë, ose një garanci ndërkombëtare që mund t’i jetë dhënë opozitës në rast se do të kthehej në sistemin e kontrolluar totalisht nga Edi Rama.

Por edhe kjo teori konspirative bie kur përfaqësuesit e opozitës dalin të mbrojnë atë që po bëjnë dhe nuk ia lënë kohës të vërtetojë se kanë të drejtë. Sepse nuk e dinë nëse kanë të drejtë dhe nuk e dinë se çfarë do të sjellë koha.

Ata kujdesen sot të qetësojnë zemërimin e njerëzve që u zhgënjyen pasi i mbështetën në kauzën për zgjedhje të lira, duke ripërsëritur premtimet e zvetënuara tashmë për futjen në burg të atyre që janë kapur në përgjime duke deformuar votën.

Duke thënë se nuk e kanë betejën me Damian Gjiknurin, por me Edi Ramën dhe se beteja nuk është “me këlyshët por me bishën”. Premtojnë se do ta dënojnë edhe Damianin kur të vijnë në pushtet, duke treguar të njëjtin koncept për drejtimin e Shtetit që ka Edi Rama.

Çfarëdo maxhorance të marrë opozita, nëse do të vijë në pushtet së shpejti, i takon Drejtësisë të merret me Damianin, Ulsiun dhe gjithë ata që dalin në dosjen 184 që u internua në Dibër dhe në dosjen 339/1 që u myk në Tiranë.

E vetmja gjë që kishte në dorë PD, LSI dhe aleatët e tyre ishte ndëshkimi moral dhe politik i Damian Gjiknurit në rastin e Reformës Zgjedhore.

Ata nuk duhet të pranonin të uleshin në tryezë me të, përsa kohë ai nuk ka dalë i pafajshëm në një proces të besueshëm për zgjedhjet e 11 shtatorit 2016.

Opozita bëri të kundërtën, e rehabilitoi politikisht dhe moralisht, duke e konsideruar madje edhe koleg të vyer që mund të bëjë reformën dhe premton që do ta dënojë me Drejtësinë që, as e ka, as duhet ta ketë në kontroll.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Tek ajo tryezë në Pallatin e Kongreseve që dje u shtua me 6 anëtarë, po mbytet në heshtje kauza e vërtetë, me të cilën Lulzim Basha çoi në kolaps sistemin dhe mori mbështetjen e të gjithë atyre që, të lodhur nga sistemi, e mbështetën për ta shembur atë.

Nuk ka ndonjë precedent që sistemi shembet me Kodin Zgjedhor, por mbi të gjitha, për 1 vit që nga përgjimet e janarit 2019, Edi Rama nuk u akuzua për zbatimin e Kodit Zgjedhor, por për shkeljen e tij.

Ajo tryezë mund të nxjerrë një kod çudibërës, por shkelja e tij do të varet nga vullneti i Edi Ramës, që opozita premton se do ta eliminojë nëpërmjet qeverisë tranzitore.

Një qeveri 3 muaj përpara zgjedhjeve, e ka po aq të vështirë sa qeveria e maj-qershorit 2017 të asfiksojë një sistem të kapjes së zgjedhjeve, të ndërtuar për 24 vjet. As nuk mund të njohë strukturat politike që merren, as nuk mund të kontrollojë paratë e paligjshme që kalojnë edhe më herët se fillimi i mandatit të qeverisë tranzitore dhe as ndalon dot korrupsionin e votës që shpërndahet vesh më vesh e thes më thes.

Ndërsa kjo e qeverisë tranzitore mbetet gjithsesi një mundësi, zgjedhjet e parakohshme në pranverë duken si një tjetër premtim – boomerang i opozitës.

Nëse reforma miratohet në 15 mars dhe qeveria tranzitore krijohet në 16 mars, zgjedhjet mund të bëhen të paktën 3 muaj nga 16 marsi, pra në 16 qershor.

Kodi Zgjedhor as do të ketë mundësinë të implementohet, por mbi të gjitha situata politike e Edi Ramës do të ishte shumë më e favorshme. Ndërsa Komisioni Europian, për të mbështetur Zaev në zgjedhjet e prillit, po kërkon një vendim të shpejtë për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ky mund të jetë një rast oportun edhe për Edi Ramën që të shkojë në zgjedhjet e parakohshme me negociata të               sapohapura. Zgjedhjet e parakohshme mund t’i garantonin atij një tjetër mandat 4 – vjeçar, ndërsa opozitës një tjetër gisht në gojë.

Për këto arsye dhe ato që janë thënë më parë për një marrëveshje të gjerë përpara ndryshimit të Kodit Zgjedhor, opozita është përballë furtunës së atyre që e mbështetën pa qenë as anëtarë dhe as simpatizantë të saj dhe që sot po i quan renegatë. Ajo mbështetje nuk ishte për të zëvendësuar Ramën me Bashën, por për të shembur një sistem që prodhoi 30 vjet të mundimshëm dhe të dështuar, për të bërë një reformë të madhe politike, që t’i jepte fund tranzicionit. Këto kërkesa dhe domosdoshmëri, opozita i gjeti gati dhe i elaboroi gjatë rebelimit të 2019. Sot i quan pengesë për integrimin e vendit.

Shto Koment