Editorial

Enton Abilekaj: Çfarë ka mbetur nga opozita e vitit 2019?

I gjendur përpara shkeljes së parakushteve për negociata, Lulzim Basha nuk ka si ta mbrojë me konferenca shtypi bashkëpunimin e fundit me Edi Ramën. Deri në zgjedhje, kurdo qofshin ato, ai ka mundësinë të tregojë që ky proces do të sjellë ndryshimet për të cilat i futi institucionet politike në krizë
Featured image of article: Enton Abilekaj: Çfarë ka mbetur nga opozita e vitit 2019?

Vërtet pranuan të negociojnë me Damian Gjiknurin, përkundër kushteve me të cilat bojkotuan institucionet, vërtet u ulën në tryezë edhe pa u dënuar ata që blenë e vodhën votat e u telendisën nëpër përgjime, por ama nuk do të hyjnë në zgjedhje me Edi Ramën.

Kjo është fija e fundit që e mban lidhur në buzën e humnerës, atë aksion që futi vendin në krizë të rëndë institucionale dhe që deri sot jusitfikoi me një ndryshim të madh.

Ndryshimi i madh nuk do të ndodhë. Këtë lajm e dhanë dje me Damianin dhe Rudinën dy përfaqësuesit e opozitës dhe e konfirmoi Lulzim Basha, kur akuzoi të gjithë ata që deri në orën 13:00 të 14 janarit e mbështetën në aksionin radikal të daljes nga sistemi dhe pas orës 13:00 e gjetën vetën të zhgënjyer.

Nuk do të ketë reformim të sistemit politik, nuk do të ketë ndëshkim të atyre që dalin nga përgjimet si vrasës së votës së lirë, nuk do të ketë as ndryshim të sistemit zgjedhor, por një process rutinë të reformimit të Kodit, me ndryshimin e vetëm që këtë herë nuk do të bëhet vetëm nga Komisioni Parlamentar i Posaçëm, por nga Këshilli Politik.

Nuk është e vërtetë që tryeza e djeshme ishte mosnjohje e Parlamentit. Ajo që ndodhi ishte një process njohjeje, ku opozita jo parlamentare e njohu opozitën parlamentare si palë në tryezë me kushtin që maxhoranca dhe opozita parlamentare ta njihnin opozitën si palë të barabartë në një forum të ri vendimmarrës, që nuk mund të ishte Parlamenti edhe për arsyen e thjeshtë teknike se PD dhe LSI nuk kanë mundësi të jenë pjesë e Komisioni Parlamentar të Reformës Zgjedhore.

Në variantin e PS, të paraqitur në verën e 2019, PD dhe LSI mund të ishin vëzhgues më të drejtë vetojë, tani janë pjesë e një forumi të posaçëm që i imponohet parlamentit. Nuk është e vërtetë që në këtë proces që nisi dje ka garanci për ndëshkimin e atyre që kriminalizuan zgjedhjet e mëparshme.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Damian Gjiknuri ua tha në sy Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit se kjo gjë nuk do jetë pjesë e procesit. Ajo tryezë modeste me 4 karrige në Pallatin e Kongreseve ka një mandat fare të kufizuar – të ndryshojë Kodin Zgjedhor. Asgjë më shumë.

Nuk është e vërtetë që ky proces hap rrugën për zgjedhje të parakohshme. Rama e tha vetëm pak ditë më parë se zgjedhje të parakohshme mund të ketë vetëm kur të vendosë Partia Socialiste. Dhe zhvillimet që nga 16 shkurti i 2019, i japin të drejtë.

Opozita nuk ka as mundësinë e brendshme dhe as mbështetjen e jashtme ta detyrojë maxhorancën të shkojë në zgjedhje. Nëse PS, pra Rama, mund të vendosë në 29 shkurt për zgjedhje të parakohshme, me siguri do të jetë një plan i menduar mirë. Të hysh në zgjedhje vetëm me disa ndryshime në kodin zgjedhor, pa trembur as blerësit dhe as shitësit e votës, pa patur as kjo për implementimin e ndryshimeve në Kod, është si të përsëritësh 2017, pa ceremoninë e qepallës.

E vetmja fitore e opozitës do të ishte parashikimi në Kodin Zgjedhor i qeverisë tranzitore, si modeli i Maqedonisë. Aty Ministri i Brendshëm bëhet Kryeministër dhe opozita vendos Ministrin e Brendshëm. Nëse ndiqet ky model, ndryshimi nga 2017 do të jetë organizimi i zgjedhjeve nga Sandër Lleshaj jo nga Edi Rama, Nëse ky quhet hap përpara, atëherë opozita ka fituar diçka.

Lulzim Basha kërkoi mbështetje nga të gjithë drejtuesit e PD-së që i rreshtoi për të aprovuar atë që po thoshte. Përveç atyre thirri në ndihmë interesin kombëtar, që sipas tij, ishte ky proces. Në fakt ky proces është asgjë më shumë se ai që parashikonte marrëveshja e 17 majit, për fillimin e Reformës Zgjedhore në shtator 2017, ky është procesi që e refuzoi edhe në 16 shkurt, pasi dolën përgjimet e para, me pretendimin se nuk mund të bëhet një proces për zgjedhjet me vrasësit e zgjedhjeve, është ai proces që për ta shmangur cungoi parlamentin, u përplas për 6 muaj me gjithë elementët e sistemit, bojkotoi zgjedhjet.

I gjendur përpara shkeljes së parakushteve për negociata, Lulzim Basha nuk ka si ta mbrojë me konferenca shtypi bashkëpunimin e fundit me Edi Ramën. Deri në zgjedhje, kurdo qofshin ato, ai ka mundësinë të tregojë që ky proces do të sjellë ndryshimet për të cilat i futi institucionet politike në krizë. Përsa kohë zgjidhja pritet të vijë nga partitë e sistemit produkti nuk mund të jetë ndryshe nga ai i 28 viteve të fundit.

Një Koment në “Enton Abilekaj: Çfarë ka mbetur nga opozita e vitit 2019?

  1. Duket se te ka bere efekt mbyllja e portalit ….. bravo bir keshtu demaskohet opozita e jo si ai kaqoli Patozi qe e kupton edhe me injoranti sherbimin e tij…kot u mora me ate mut

Shto Koment