Politike

Ende në Vetting, Meta nxiton të emërojë Besnik Muçin, gjyqtari betohet si anëtari i parë i Kushtetueses

Ceremonia e betimit të tij është zhvilluar pasditen e sotme para presidentit dhe përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit, Gjyqtari Muçi u betua mbi Kushtetutën e Shqipërisë.
Featured image of article: Ende në Vetting, Meta nxiton të emërojë Besnik Muçin, gjyqtari betohet si anëtari i parë i Kushtetueses Besnik Muçin dhe Ilir Meta

TIRANË–  Anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi është betuar për detyrën e re para presidentit Ilir Meta ende pa kaluar Vettingun.

Ceremonia e betimit të tij është zhvilluar pasditen e sotme para presidentit dhe përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit, Gjyqtari Muçi u betua mbi Kushtetutën e Shqipërisë.

“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!,”– tha Muçi.

Në dekretin e emërimit të tij, Meta bënte me dije se Muçi plotësonte të gjitha kriteret për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese dhe shtonte se emri i tij kishte ardhur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Por duke iu referuar një njoftimi nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, Besnik Muçi nuk ka mbyllur ende llogaritë me Vettingun, pasi vendimi për të do të jepet më 4 nëntor. 

Nëse prokurori nuk do të kalojë Vettingun, dekreti për emërimin e tij rrëzohet dhe gara për vendin bosh në GJK do të rinis edhe njëherë duke zvarritur sërish procesin e ringritjes së kësaj gjykate.

Anëtarët e tjerë  të Gjykatës Kushtetuese u shkarkuan nga KPK ose dhanë dorëheqjen pas nisjes së procesit të Reformës në Drejtësi. Ringritja e Gjykatës Kushtetuese nga ana tjetër ka qenë gjithmonë në sytë e ndërkombëtarëve, sidomos në momentin kur është pikërisht ky institucion që do të vendosë për shkarkimin apo jo të kreut të shtetit. 

PS kërkon shkarkimin e presidentit pas shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, të cilat u zhvilluan vetëm nga maxhoranca pa praninë e opozitës së bashkuar. 

(k.m/dosja.al)

Shto Koment