Aktualitet

SPAK/ Një ditë para skadimit të afatit, aplikojnë Donika Prela, prokurorja e Tahirit dhe 5 të tjerë (EMRAT)

Numri i aplikantëve për tu bërë pjesë e SPAK shkon në 23. Sipas kriterëve të vendosura me ligjet e Reformës në Drejtësi, për këtë pozicion mund të kandidojnë të gjithë prokurorët që kanë mbi 10 vite eksperiencë dhe nuk kanë pasur masë disiplinore në fuqi.
Featured image of article: SPAK/ Një ditë para skadimit të afatit, aplikojnë Donika Prela, prokurorja e Tahirit dhe 5 të tjerë (EMRAT) Mbledhje e KLP, Elisabeta Imeraj dhe Donika Prela, prokurore
Përditësuar:

TIRANË- Një ditë para skadimit të afatit të vendosur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, listës së aplikantëve për t’u bërë pjesë e SPAK i janë shtuar dhe gjashtë prokurorë të tjerë.

Në një njoftim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bëhet me dije se  sot kanë dorëzuar aplikimin e tyre prokurorët Altin Dumani, Enkeleda Osmani, Elida Kackini, Enkeleda Millonai, Maksim Sota, Donika Prela dhe Elisabeta Imeraj.

Aktualisht Dumani është prokuror në Prokurorinë e Apelit në Tiranë, ndërsa Enkeleda Osmani (Xhengo) prokurore në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Ndërkohë që Elida Kackini (Celami) është Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, ndërsa Enkeleda Millonai, Prokurore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan (Aktualisht më Urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme është në pozicionin e Drejtuesit të kësaj Prokurorie). Sota është Prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë.

Donika Prela është Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës. Aktualisht drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Ndërsa Elizabeta Imeraj, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Shtatë prokurorët që kanë dorëzuar aplikimin sot janë emrat e radhës që dëshirojnë të bëhen pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, ndërsa kështu numri i aplikantëve shkon në 23.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sipas kriterëve të vendosura me ligjet e Reformës në Drejtësi, për këtë pozicion mund të kandidojnë të gjithë prokurorët që kanë mbi 10 vite eksperiencë dhe nuk kanë pasur masë disiplinore në fuqi.

Aplikimet për SPAK duhet të ishin mbyllur në datën 6 shkurt, por  për shkak se numri i prokurorëve që kishin aplikuar nuk ishte më i madh se numri i prokurorëve do të ketë kjo strukturë, pati një shtyrje të afatit edhe me dy javë.  

Çfarë është SPAK ose siç njihet ndryshe Prokuroria e Posaçme?

SPAK është njësia që do të ndjekë çështjet penale në emër të shtetit shqiptar kundër korrupsionit të niveleve të larta drejtuese dhe krimit të organizuar. SPAK ka të drejtë të përfaqësojë shtetin në të trija shkallët e gjyqësorit siç janë Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë.

SPAK është e pavarur në funksionim dhe ushtron detyrën përmes prokurorëve të Posaçëm që do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Prokurorët e SPAK do të kenë një mandat 9-vjeçar dhe ky mandat mund të ndërpritet vetëm nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment