Dikur

‘Ekzekutorët do të kapen para se Xhindi të varroset’/ 10 vjet nga premtimi i pambajtur ndaj deputetit socialist

10 vjet nga vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindit. Deputeti socialist u ekzekutua mbrëmjen e 2 majit 2009, në qendër të Roskovecit, pranë banesës së tij. Pas 10 vitesh, autorët ende nuk janë kapur.
Featured image of article: ‘Ekzekutorët do të kapen para se Xhindi të varroset’/ 10 vjet nga premtimi i pambajtur ndaj deputetit socialist 10 vjet nga vrasja e Fatmir Xhindit

Dita e sotme shënon 10 vjetorin e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindit. Deputeti Xhindi u ekzekutua mbrëmjen e 2 majit 2009, në qendër të Roskovecit, pranë banesës së tij.

Në momentin e atentatit, 49-vjeçari ishte duke parkuar automjetin në oborrin e shtëpisë, pas një takimi elektoral. Atë vit, Shqipëria do t’i nënshtrohej zgjedhjeve parlamentare në muajin qershor. Rreth orës 21:15 të asaj nate, deputeti është qëlluar me një breshëri automatiku nga autorë të paidentifikuar edhe sot pas plot 10 vitesh.

Edhe pse u dërgua menjëherë nga familjarët në spitalin e Fierit, Xhindi sërish nuk i mbijetoi 6 plumbave që kishte marrë pas shpine.

Atë natë Ministria e Brendshme në Tiranë vuri në dispozicion të atyre që japin informacion mbi këtë ngjarje një shumë prej 250 mijë eurosh, si dhe dy numra telefoni të posaçëm.

Asnjë rezultat…

Edhe ditën e ceremonisë së varrimit, shumë premtime u dhanë nga politkanët. Madje ata premtuan se vrasësi i tij do të kapej para se ai të shkonte në banesën e fundit.

Kryeministri i asokohe, Sali Berisha e përshkroi vrasjen e deputetit të PS-së si një akt kriminal dhe barabar që shkoi jo vetëm qytetin por gjithë Shqipërinë.

“Vrasja e Fatmir Xhindit është një akt i shëmtuar kriminal, i cili ka shokuar jo vetëm familjen por edhe të gjithë Shqipërinë,”-tha Berisha.

Fjalim para politkanëve dhe familjraëve të pranishëm, mbajti edhe kryetari i Partisë Socialiste, ku Xhindi bënte pjesë.  Në fjalimin e tij, Rama tregoi “me zemër në dorë” se as ai dhe as kolegët e tjerë nuk kishin vënë gjumë në sy pas marrjes së lajmin për atentatin ndaj tij. Edhe ai si të gjithë politikanët e tjerë betohej për kapjen e autorëve, akt që edhe pas 10 vitesh ende nuk ka ndodhur, edhe pse prej 6 vitesh vendi qeveriset nga ai.

“Askush nga ne nuk ka fjetur dot mbrëmë dhe të gjithë ne duam të dimë se çfarë kanë parë sytë e tu para se të mbylleshin përgjithmonë. E vërteta e kësaj mizorie nuk të kthen dot në jetë miku im por pa dalë ajo në dritë ti do ta kesh të pamundur që të prehesh i qetë në terrin e banesës ku do të kyçesh përgjithmonë. Ndërsa për të gjithë ne të tjerët gropa e padrejtësisë që të mori jetën do të mbetet e hapur si varr për shpresën tonë se ky vend mund të bëhet i drejtë me të gjithë dhe për të gjithë.”

Sot pas 10 vitesh, ndonëse politika e ka “harruar” në retorikën e saj të përditshme premtimin për kapjen e autorëve të vrasjes së Xhindit, për familjen plaga është ende e hapur.

Në 10-vjetorin e vrasjes së tij, djali i Xhindit, Andueli ka ripërsëritur apelin për drejtësi për kapjen e autorëve.

“U bënë 10 vite që kur im atë është ndarë nga jeta, dhe drejtësia se ka dhënë fjalën e saj. Ne na mundon pyetja, kush e vrau Fatmirin dhe pse. Gjej rastin t’ju bëj thirrje institucioneve, që të gjithë ne të biem rehat, dhe shpirti t’i prehet qetësisht. Kanë qenë vite të vështira pa të, por ne gjejmë rastin të falenderojmë të gjithë ju këtu, për mbështetjen që na keni dhënë.”-ka thënë deputeti Anduel Xhindi.

Fatmir Xhindi, baba i tre fëmijëve, ishte një nga themeluesit e PS në qarkun e Fierit. Nga viti 1997, për tre legjislatura rradhazi, ai ka qënë deputet në këtë zonë. Vrasja e tij ishte rasti i dytë kur arma qëlloi mbi politikanë. Më herët , më 12 shtator 1998 pranë selisë së PD, në qendër të Tiranës, u vra deputeti Azem Hajdari.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment