Bota

Rënie historike e eksportit gjerman në prill

Prilli i kaluar do të futet në historinë e tregtisë gjermane - për të keq! Eksporti gjerman ka rënë për më shumë se 30%, krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë, prej vitit 1950.
Featured image of article: Rënie historike e eksportit gjerman në prill Foto ilustruese

Kriza e Coronës e ka goditur ekonominë gjermane në prill me tërë fuqinë. Shutdown për shkak të epidemisë ka filluar në mars, por prilli ishte muaji kur ekonomia gjermane ka përjetuar një rënie historike, për shkak të mbylljes së kufijëve, kufizimeve në udhëtime dhe pengesave në trasnportet tokësore, ujore dhe ajërore. Si pasojë, eksporti gjerman ka shënuar në prill një rënie në krahasim me një vit më parë prej 31,1 %.

Volumi i tregtisë së jashtme ka qenë vetëm 75,7 miliardë Euro, kumtoi Enti i Statistikave të martën në Wiesbaden. Ishte kjo rënia më e madhe e eksportit gjerman gjatë një muaji që prej fillimit të matjeve statistikore në vitin 1950. Krahasuar me marsin e vitit 2020, eksportet në prill kanë rënë për 24,0%.

Kina, Evropa, Amerika

Eksportet gjermane kanë rënë varësisht nga tregu dhe vendet e botës. Eksportet në Kinë kanë rënë në prill të vitit 2020 më pak se në rajonet tjera, me një minus prej 12,6 %. Virusi Corona është paraqitur për herë të parë në Kinë. Por në mars ai është përhapur me tërë fuqinë në Evropë dhe SHBA. Këtë e tregon edhe bilanci i eksporteve. Më së shumti është prekur eksporti në Francë me një minus prej 48,3 %, pastaj në Itali minus 40,1 dhe SHBA minus 35,8%, në krahasim me një vit më parë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Shumë ekonomistë kanë llogaritur me një rënie të madhe të eksportit gjerman, pas rënies në mars prej 11,7 %. Por rënia në prill ka qenë edhe për ta më e madhe sesa që është menduar. Eksporti gjerman ka rënë në tre muajt e fundit në mënyrë konstante. Ndaj ekspertët janë kureshtarë të shohin se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të vitit.

Iran Kachiran Nähmaschinenherstellung (picture-alliance/dpa/A. Taherkenareh)
Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë në Gjermani llogaritë se në vitin 2020 mund të ketë një rënie të eksporteve prej të paktën 15 %. Edhe Shoqata Federale e Industrisë (BDI) pret një minus prej rreth 15 % të eksporteve. Ekspertët thonë se nga bumi i 10 viteve të fundit në eksport ka mbetur pak. Por pas lehtësimeve të fundit të masave mbrojtëse, në Gjermani ka filluar të përmirësohet gjendja.

Marrë nga DW

Shto Koment