EkonomiSociale

Ekspertët e Vjenës: Shqipëria sakrifikoi shëndetin për rritjen ekonomike, projeksioni rritje 4.5% këtë vit

Ekspertët e Vjenës mendojnë se rritja do të nxitet nga një kombinim i rritjes së eksporteve të mallrave dhe shërbimeve dhe rritjes e konsumit.
Featured image of article: Ekspertët e Vjenës: Shqipëria sakrifikoi shëndetin për rritjen ekonomike, projeksioni rritje 4.5% këtë vit Pamje nga Tirana
Shumica e vendeve të Ballkanit, sidomos Shqipëria, e sakrifikuan shëndetin e popullatës në kohën e pandemisë për rritjen ekonomike.

Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës publikoi parashikimet e reja për perspektivën ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Juglindore, në të cilin u vu në dukje se, shumë vende kanë sakrifikuar shëndetin publik për rritjen ekonomike muajt e fundit. Ekspertët e Vjenës parashikojnë rritje prej 3.8% për Europën Lindore në 2021, por vendet e Ballkanit dhe Shqipëria do të rriten më fort.

Për vitin aktual, rritja më e fortë do të jetë në Malin e Zi (6.5%), Turqi (5.8%), Serbi (5%), Kosovë (4.8%), Kroaci (4.5%) dhe Shqipëri (4.5%).

Përmirësimi i normave të vaksinimit dhe moti më i mirë do të ulin intensitetin e pandemisë deri në fund të pranverës, duke i hapur rrugën aktivitetit ekonomik që do të vijë me rritje. Ekspertët e Vjenës mendojnë se rritja do të nxitet nga një kombinim i rritjes së eksporteve të mallrave dhe shërbimeve dhe rritjes e konsumit.

Gjatë tre viteve të ardhshme, ekspertët e Vjenës parashikojnë që të gjitha ekonomitë e CESEE të rimëkëmben ekonomikisht nga humbjet që krijoi pandemia, por me ritme të ndryshme.

Vendet e Rajonit të Europës Juglindore e përdorën politikën fiskale me efikasitet më të madh se gjatë krizës financiare të vitit 2009. Normat e ulëta të interesit i kanë bërë më të lira huatë publike. Bankat qendrore, gjithashtu luajtën rol të rëndësishëm në zbutjen e pasojave këtë herë, përmes uljeve së normave të interesit sidomos në Turqi, Ukrainë dhe CIS, dhe nëpërmjet lehtësimit sasior në të gjithë rajonin CESEE.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Treguesit e tregut të punës sugjerojnë gjithashtu një krizë më pak të ashpër këtë herë. Sidoqoftë, ekspertët e Vjenës hedhin dyshimin se të dhënat zyrtare maskojnë një realitet më negativ. Pasi një pjesë më e madhe e ekonomisë gri është prekur shumë nga pandemia, por kjo nuk pasqyrohet.

Shqipëria, që zbatoi karantinë vetëm në valën e parë të pandemisë dhe më pas në valët e tjera kishte kufizime minimale, e ka kaluar pandeminë, të paktën deri tani, me pasoja shumë të rënda në humbjen e jetëve.

Për shkak se nuk aplikoi kufizime në lëvizje në dy valët fundit të pandemisë, Shqipëria ka përjetuar fatalitete të larta në raport me vendet e tjera të Europës.

Nga të dhënat vendase dhe ato të Eurostat shihet se gjatë 14 muajve të pandemisë, në 5 prej tyre (korrik- gusht- nëntor- dhjetor 2020 dhe shkurt 2020), Shqipëria ka shënuar rritjen më të fortë të fataliteteve, duke pasur dhe numrin më të lartë të valëve më vdekjeprurëse. 

Marrë nga Monitor.al

Shto Koment