Rajoni

‘Eksodi 99’/ Përkujtohet në Mitrovicë 20 vjetori i tragjedisë, si i hapi dyert Kukësi për vëllezërit nga Kosova

Është përkujtuar sot në Mitrovicë 20 vjetori i eksodit të Kosovës, ku mori pjesë edhe Kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i cili falenderoi kuksianët për mikpritjen që u bënë vëllezërve nga Kosova.
Featured image of article: ‘Eksodi 99’/ Përkujtohet në Mitrovicë 20 vjetori i tragjedisë, si i hapi dyert Kukësi për vëllezërit nga Kosova

KOSOVË- Me moton “Përkujtojmë tragjedinë – Festojmë lirinë”, sot në Mitrovicë u shënua 20-vjetori i eksodit.

Kryetari i bashkisë, së Kukësit Bashkim Shehu mori pjesë në nisjen e manifestimit përkujtimor “Eksod ’99” në Mitrovicë, aktivitet i përbashkët me komunën e Mitrovicës në kuadër të 20 vjetorit të eksodit.

Në fjalën e rastit kryetari Shehu tha se 20 vite më parë Kukësi bëri një sakrificë të madhe për vëllezërit nga Kosova, duke i hapur dyert e duke i sistemuar në shtëpitë e tyre, pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike,  në të cilën ndodheshin.

20 vite me parë, Kukësi bëri detyrën në pritjen e madhe e bujare të vëllezerve të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre etnike. Sot jemi të vetëdijshem se ajo sakrificë e kontribut është kthyer në prosperitet e zhvillim të përbashket ekonomik, social, e kulturor drejt rrugës së integrimit europian. Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave e Shqipëria të ftesës për anëtarësim në BE. Dy shtetet e një kombi duhet të punojnë me shumë për integrimin e përbashkët dhe zhvilimin në të gjitha fushat. Sot Mitrovica është në qendër të vëmendjes kombëtare dhe bashkimi i saj është një obligim kombëtar, për të cilin urojmë të ndodhë sa më shpejt. Jam i privilegjuar që sot jam pikërisht në Mitrovicë, ku pas 20 vitesh situata ka ndryshuar dhe mund të themi se jemi në rrugë të mbarë e pa kthim prapa.” – përfundoi kryebashkiaku Shehu.

Vlerësime maksimale për pritjen vëllazerore dha edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri i cili falenderoi banorët e Kukësit për atë çfare bënë në një kohë, kur Shqipëria në përgjithësi e kuksianet në veçanti kishin vështirësi të shumta ekonomike, e megjithatë arritën të përballojnë të paimagjinueshmen, me më shume se 500 mijë të shpërngulur.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kjo sakrifice nuk mund të harrohet asnjëherë, ndaj iu falenderojmë me gjithë zemër.”- u shpreh Bahtiri.

Kryetari i komunës se Mitrovicës,  akordoi mirënjohje për bashkinë e Kukësit, për kontributin e dhënë gjatë luftës së vitit 1999. Gjate ceremonisë, të ftuarit ndoqën edhe një program artistik të përbashkët me artistët e Kosovës dhe rapsodët e Kukësit.

Ndërkohë, pritet që nesër të zhvillohet një koncert festiv në Kukës, në kuadër të 20-vjetorit të eksodit.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment