Aktualitet

Vrasja e Vajdin Lames&Klodian Saliut/ Dëshmia e të penduarit Luftar Reçi rreston Ymerin, Taullain, e Shullazin, Lul Berisha dhe Dervishaj shpallen në kërkim ndërkombëtar, ish-‘kryetari’: S’kam lidhje!

EKSKLUZIVE
Rihapen dosjet e bujshme të dy vrasjeve që tronditën Shqipërinë në vitin 2005. Dosja.al ka siguruar ekskluzivisht dosjen hetimore. Dëshmia e të penduarit Luftar Reçi ka bërë që SPAK të lëshojë urdhër-arrestet për Lulzim Berishën, Viktor Ymerin, Emiljano Shullazin, Indrit Taullain dhe Plarent Dervishajn.
Featured image of article: Vrasja e Vajdin Lames&Klodian Saliut/ Dëshmia e të penduarit Luftar Reçi rreston Ymerin, Taullain, e Shullazin, Lul Berisha dhe Dervishaj shpallen në kërkim ndërkombëtar, ish-‘kryetari’: S’kam lidhje! Indrit Taullai, Emiljano Shullazi, Lulzim Berisha, Plaurent Dervish, Klodian Saliu dhe Vajdin Lamaj

TIRANË– Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), ka përfunduar hetimin dhe ka siguruar masën e sigurimit “arrest me burg” për Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin, Indrit Taullain, Viktor Ymerin, Luftar Reçin dhe Plarent Dervishajn.

Dosja.al ka siguruar ekskluzivisht dosjen hetimore në ngarkim të grupit që akuzohet për të paktën 2 vrasje të bujshme që kanë ndodhur në vitin 2005, ekzekutimi i Vajdin Lamajt bashkë me Artan Arsin dhe ai i rivalit të Lulzim Berishës, Klodian Saliu. Fillimisht (më 6 dhjetor) është arrestuar në Kosovë Indrit Taullai, i cili u la sot në masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 ditë, ndërsa dje në Dukat është prangosur daja i Edison Harizajt, Viktor Ymeri. Ndërkohë që për Emiljano Shullazin, është komunikuar masa e sigurisë në burg, duke qensë se ai tashmë është i arrestuar dhe ndodhet pas hekurave për vepra të tjera penale.

Ndërkohë Lulzim Berisha dhe kunati i tij Plaurent Dervishaj janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton se pak ditë më parë janë larguar nga vendi. Regjistrimi i procedimit penal është bërë më 21 tetorit 2020 nga SPAK dhe mbi grupin rëndojnë akuzat e “Vrasjes në rrethana cilësuese” për dy ose më shumë persona, të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe armëmbajtjes pa leje.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pak minuta pas publikimit të lajmit nga Dosja.al, SPAK publikoi njoftimit zyrtar duke konfirmuar rihapjen e dosjeve të bujshme. Në operacionin e koduar “Asgjë nuk harrohet” u përfshinë 60 efektivë policie dhe një tufë me prokurorë. Ky operacion ka marrë edhe përkrahjen e ambasadës amerikane në Tiranë. Vetë ambasadorja Yuri Kim shkruan se shpreson që SPAK të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla.  

(f.g/dosja.al)

  • 19:33

    MESAZHI/ Lulzim Berisha sfidon SPAK nga arratia: Nuk kam lidhje me vrasjen e Vajdin Lamaj dhe të Saliut, po më fusni në hasmëri me këto sulme për qëllime politike

    Lulzim Berisha i shpallur në kërkim ndërkombëtar si i përfshirë në vrasjen e Klodian Saliut dhe të Vajdin Lamajt, ka mohuar akuzat. Në një mesazh të dërguar në telefonin e gazetares Klodiana Lala, Berisha e ka cilësuar këtë urdhër-arrest si një sulm për qëllime politike. Ndër të tjera, sipas gazetares Lala, ai shkruan se kur ndodhi vrasja e Salit ishte për kurim në Turqi. Edhe për vrasjen e Lamajt, Bersha shton se nuk ka gisht. Ai deklaron ndër të tjera se e sfidon SPAK që t’i vendosë përpara prova dhe fakte për këto akuza, pasi në këtë mënyrë po e fusin në hasmëri me persona të ndryshëm. “Lulzim Berisha në një mesazh pak minuta më parë për Neës24 thotë se është i hapur për drejtësinë, po s’ka asnjë lidhje me ngjarjet kriminale. Thotë se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Klodian Saliut, pasi kur ka ndodhur ishte për kurim në një spital në Turqi. Faktet ja ka bërë të ditur Krimeve të Rënda. Për vrasjen e Vajdin Lamajt, ai e mohon kategorikisht implikimin. Kërkon nga SPAK t’i vërë në dispozicion prova dhe fakte që e implikojnë. E gjitha kjo thotë se është sulm për qëllime politike ndaj tij. Nuk dihet nëse do vetëdorëzohet, por deklaron se SPAK duhet t’i vendosë prova përpara sepse po e fut në hasmëri me persona të ndryshëm,”- tha gazetarja Lala. Berisha është shpallur në kërkim ndërkombëtar bashkë me kunatin e tij Plarent Dervishaj. Të dy akuzohen se janë përfshirë në vrasjet e ndodhura 15 vite më parë.

  • 19:11

    PROFIL/ Sot, i penduar! Kush është Luftar Reçi, ‘Tommaso Buscetta’ i bandës së Durrësit, mori pjesë në 2 vrasjet e bujshme dhe pranoi të rrëfehej tek prokurorët e SPAK

    Fotot e anëtarëve të bandës së Durrësit,

    Luftar Reçi, i njohur ndryshe si i ‘tmerrshmi i Dibrës’ është personi që me dëshmitë e tij ka bërë që të rihapen dosjet e bujshme të dy vrasjeve të bujshme të ndodhura në vitin 2005, ajo e Klodian Saliut dhe e biznesmenit Vajdin Lamaj. Reçi është vënë në pranga për nje tjetër krim, autorësinë e të cilit nuk e ka pranuar ende. Bëhet fjalë për një tjetër ngjarje të ndodhur më datë 12 maj në vitin 2005, vrasja e Maksim Lalës. Reçi u kap në Allias, në një banesë të marrë me qira në këtë zonë të kryeqytetit, në afërsi të serave. Bashkë me Reçin, për vrasjen e Lalës u la në burg edhe nipi i tij, Taulant Elezi, që akuzohej si bashkëpunëtor.

    Si ndodhi vrasja e Maksim Lalës?

    Mëngjesin e datës 8 maj 2005, rreth orës 03:30, peshkatarët e zonave që gjuajnë rreth liqenit të Ulzës, pak kilometra larg Burrelit, dalluan flakët e një zjarri. Në kthesë, ku rruga ndahet me një degëzim nga ajo kryesorja, segment ky që të shpie në Ulzë, te vendi i quajtur sektori C, pranë një lokali të thjeshtë bri rruge, vend ku dhe tregtohet peshk, një makinë tip “Opel”, po digjej. Katër ditë më vonë, në mbrëmje, një tjetër peshkatar njofton në polici për ekzistencën e një objekti të dyshimtë, vetëm 100 metra larg vendit ku ishte gjetur makina e djegur. Rreth orës 20:30 të datës 12 maj, policë e peshkatarë të afruar në bregun e liqenit me varkë zbuluan trupin e një të riu, rrobat e të cilit ishin të djegura plotësisht. Kufoma i përkiste 31-vjeçarit Maks Lala. Hetimet zbuluan se Taulant Elezi, 21 vjeç, kishte njohje me Lalën. Në atë kohë, Elezi ishte arrestuar për vrasjen e taksistit Veli Mema, ngjarje e ndodhur më 10 korrik të vitit 2006, ndërkohë që policia filloi ta hetojë edhe për vrasje të tjera. Gjatë hetimeve doli në skenë dhe vrasja e Lalës qëElezi kishte kryer në bashkëpunim me familjarin e tij, Luftar Reçin. Ky i fundit është vëllai i ish-biznesmenit Agim Reçi që është ekzekutuar në mënyrë mafioze. Elezi dhe Reçi u akuzuan se kishin vrarë me armë zjarri, duke e qëlluar në pjesën e pasme të kokës, Maksim Aleks Lalën. Pas kryerjes së këtij krimi të rëndë, të dy kanë djegur trupin e viktimës me napalm, duke e hedhur në vendin e quajtur “Ura e kallamishtesh” në Burrel.

    Luftar Reçi është vizituar shumë herë nga Agron Kuliqi në burgun e Burrelit, i cili sipas raportimeve të asaj kohe e ka marrë vetë në pyetje të arrestuarin për të zbardhur grupin që qëndronte pas tij. Në seancat gjyqësore të mbajtura, Reçi nuk ka pranuar të ketë avokat, duke u vetëshpallur i pafajshëm. Vite më pas, Reçi është dorëzuar, duke u rrëfyer para SPAK dhe duke zbardhur dy vrasjet e bujshme, duke e cilësuar veten si ‘Tommaso Buscetta’ i bandës së Durrësit, pasi ‘tradhëtoi’ miqtë.

  • 19:14

    Lëshoi 6 urdhër arreste/ Yuri Kim: SPAK mori përsipër një rast kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shpresojmë që…

    Pas lëshimit të 6 urdhër arresteve për bosët e botës së krimit nga SPAK ka ardhur reagimi i Ambasadores Amerikane në Shqipëri Yuri Kim. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Kim thotë se ditën e sotme SPAK ka marrë përsipër një rast  kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu ajo shpreson që SPAK të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla.  “SPAK ka marrë përsipër një rast tjetër të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky nuk është veprimi i parë i tillë nga SPAK, dhe nuk do të jetë i fundit. Shpresojmë që SPAK do të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla. “– shkruan ajo. 

  • 18:09

    Njoftimi zyrtar, SPAK konfirmon lajmin e Dosja.al: Është arrestuar Shullazi, Taullai, Ymeri dhe Reçi, Lul Berisha dhe Dervishaj shpallen në kërkim ndërkombëtar

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka konfirmuar lajmin e publikuar ekskluzivisht nga Dosja.al teksa me anë të një njoftimi zyrtar bën me dije se janë rihapur dosjet për dy vrasjet e bujshme të ndodhura 15 vite më parë, ajo e Klodian Saliut dhe e Vajdin Lamajt. Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale dhe ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve. Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.115 datë 02.12.2020 ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve: Berisha, P. Dervishaj, I. Taullai dhe L. Reci, të dyshuar për veprat penale të të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm Kleidi (Klodjan Saliu), si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal në dëm të Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit. Gjithashtu, po me këtë vendim Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, për Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin (Imeraj) për vrasjen e binznesmenit Lamaj dhe mikut të tij Arsi. Indrit Taullai u arrestua në Kosovë dhe pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, ndërsa dy të tjerët, Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Njoftimi i plotë. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka kryer hetime në funksion të procedimit penal nr.252 të vitit 2020. Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me dy ngjarje të ndodhura para 15 vitesh, autorët e të cilave nuk ishin zbuluar. Më konkretisht bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. Saliu, i cili po lëvizte me autoveturën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur shtetasi K. Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.  Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit V. Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima V. Lamaj, me adresë Kulla Nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë. Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rifilluar hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm. Pas rifillimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale. Më tej Prokuroria ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve. Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.115 datë 02.12.2020 ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve: Berisha, P. Dervishaj, I. Taulla dhe L. Reci, të dyshuar për veprat penale të të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan Saliu), “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78, 28/4, 278, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal. Gjithashtu, po me këtë vendim Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve E. Shullazi dhe V. Ymeri (Imeraj), E. Shullazi për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a të Kodit Penal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 07.12.2020 ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit V. Ymeri. Gjithashtu në datën 06.12.2020 falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Republikës së Kosovës u bë e mundur që të kapej në qytetin e Prizrenit shtetasi I. Taullai. Për këtë shtetas kanë filluar procedurat e ekstradimit të tij nga Republika e Kosovës. Ndërsa në datën 08.12.2020, Policia Gjyqësore ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit E. Shullazi (aktualisht i paraburgosur për një vepër tjetër penale). Nisur nga dinamika e hetimeve, në datën 07.12.2020 Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I. Rusi, i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 78, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Për shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet ngushtësisht me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Hetimet dhe ekzekutimi i masave të sigurimit janë kryer në bashkëpunim të ngushtë dhe shumë efikas me Drejtorinë Hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Zbulimi dhe përballja me ligjin e autorëve të veprave penale të rënda dhe akoma të pazbuluara ngelet një ndër prioritetet e Prokurorisë së Posaçme. Të gjithë qytetarët që kanë dijeni në lidhje me këto ngjarje kriminale janë të lutur që të deklarojnë në Prokurori duke i garantuar ata për seriozitetin dhe gatishmërinë e Prokurorisë së Posaçme për ti shkuar deri në fund të hetimit me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të autorëve.

  • 18:05

    Kush ishte Vajdin Lamaj, biznesmeni që u ‘shqetësua’ 15 vite pas vrasjes për të gjetur paqen e munguar, nën emrin e tij mësojnë sot 265 nxënës në Domje, historia e atentatit në ashensor që e mori bashkë me mikun Artan Arsi

    Vajdin Lamaj, edhe pse ka mbi 15 vite që ka vdekur, është ‘shqetësuar’ sot. Këtë herë, drejtësia ka gërmuar në historinë e biznesmenit Lamaj për të vënë pas hekurave përgjegjësit që i shpërthyen tritolin teksa ndodhej në ashensor mesnatën e 28 shkurtit të vitit 2005. Një emër mjaft i njohuar në atë kohë (dhe sot nuk ngelet pas), Lamaj mbeti i vdekur në një atentat me eksploziv në pallatin ku ai banonte. Pikërisht në momentin kur Lamaj, ish-Presidenti i Federates se Boksit dhe ish-Zv/president dhe bashkëpronar i “TOP Albania Radios” hyri në ashensor bashkë me mikun e tij të ngushtë Artan Arsi, eksplozivi shpërtheu. Sytë e personave që e donin të vdekur biznesmenin e fuqishëm në atë kohë, siç duket po e vëzhgonin dhe po numëronin sekondat për të shpërthyer lëndën plasëse që do t’i sillte vdekjen. Në këtë atentat vdiq dhe Arsi, miku i Lamajt.  Vajdin Lamaj pak muaj para vrasje i shpëtoi një tjetër atentati. Në 15 tetor të vitit 2004, Lamaj u shpëtoi plumbave ndërsa dilte nga një emision televiziv pasi ishte i ftuar në një nga televizionet e kryeqytetit. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur lehtë dy persona. Pavarësisht atentatit, gjurmët e Lamajt janë ende ekzistente, sidomos në fshatin Domje. Komuniteti prej 9 mijë banorësh në njësinë administrative Domje, ka gjimnazin e vet me emrin “Vajdin Lamaj”. Me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore në Tiranë, në shkollën për 265 nxënës, të vegjlit mësojnë nën emrin e biznesmenit të vrarë në atentat. Sot Lamaj është drejt rrugës për të gjetur paqen e munguar prej vitesh, bashkë me familjen e tij. Dosja.al raportoi ekskluzivisht rihapjen dosjeve të bujshme të dy vrasjeve që tronditën Shqipërinë në vitin 2005 duke siguruar dhe dosjen hetimore. Janë lëshuar urdhër-arrestet për Lulzim Berishën, Viktor Ymerin, Emiljano Shullazin, Indrit Taullain dhe Luftar Reçin. Mes tyre janë ekzekutuar vetëm dy, për Ymerin dhe Taullain e ndërsa Shullazi ndodhet aktualisht në burg. Kurse për Berishën dhe Reçin, ende nuk ka zë…

  • 17:26

    BANDA E DURRËSIT/ U arrestua sot, kush është Viktor Ymeri, daja i Edison Faqedjegurit, vrasja me Gaxhain e la në burg deri në 2019, tashmë rikthehet në qeli për ekzekutimin e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut

    Viktor Ymeri, personi që pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm ndodhet sërish pas hekurave nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Edhe pse fytyra e tij nuk është bërë publike, emri të tingëllon mjaft i njohur, sidomos kur shton detajin se është daja i ‘faqedjegurit’, Edison Harizaj që u vra në Durrës në një atentat mafioz të ndodhur në vitin 2018. Ymeri i cili tashmë është pas hekurave për dy vrasje mjaft të bujshme, atë të biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliu, pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, konsiderohej si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohuri me nofkën Gaxhai, me të cilin ekzekutoi me kallashnikov, Arben Pajën dhe Ilir Xhungën. Ymeri u dënua me burg të përjetshëm për këtë vrasje të dyfishtë dhe që nga viti 1999 qëndroi në burgun e Lushnjes, deri kur nisi projektimin e tij për lirinë, gjë që e arriti dhjetorin e vitit të shkuar.  Lirimi i Viktor Ymerit të njohur si Tori i Xhihanes ishte i pritshëm pas një verdikti të shpallur nga gjykata e apelit në Durrës, e cila përmbysi dënimin e përjetshëm për të akuzuarin dhe e dënoi atë me 25 vjet burgim. Pavarësisht lakimit të bujshëm të këtij vendimi që u konsideruar skandaloz, KLGJ nuk mori asnjë masë, pasi mungonte edhe Inspektorjati i Lartë i Drejtësisë, i vetmi institucion që mund të hetojë verdiktet e gjyqtarëve. “Gjykata e Apelit, duke ruajtur statusin e të  dënuarit që mbart në këtë rast personi ndaj të cilit rishikohet vendimi i formës së prerë, vlerëson se në kushtet e fajësisë nuk mund të cenohet cilesimi ligjor i faktit penal për të cilin ai është deklaruar fajtor më parë, duke e gjetur të drejtë deklarimin e fajësisë që ka bërë gjykata e shkallës së parë, për të njejtin fakt ligjor, në kushtet që prova e re e shqyrtuar gjatë këtij gjykimi, nuk çoi drejt bindjes për pafajësinë e të pandehurit,”- shpreheshin një vit më parë treshja e gjyqtarëve të Durrësit. Si ndodhi krimi i dyfishtë në qershor të vitit 1999? Më 28 qershor 1999, dy viktimat Arben Paja dhe Ilir Xhunga po udhëtonin në aksin rrugor Spitallë-Durrës. Mjetin e drejtonte Paja ndërsa pasagjer ishte Xhunga. Në kohën që ata kanë mbërritur në vendin e quajtur dyqani i “Dylit”, afër Policisë Durrës janë ndodhur përpara një prite të organizuar. Automjeti ku ndodheshin Paja dhe Xhunga u godit nga një predhë antitank dhe me breshëri kallashnikovi duke i lënë të dy të vdekur në vend. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur edhe persona të tjerë të cilët janë gjendur rastësisht në vendin e ngjarjes. Dëmtimet e tyre kanë qenë të lehta. Pas krimit të rëndë grupi i gatshëm “Çelik 1” ka ndjekur automjetin me të cilin po largoheshin të dënuarit Gazmend Braka dhe Viktor Ymeri si dhe bashkëpunëtoret e tjerë të tyre por rrugës ata braktisën automjetin me targa false ku lanë edhe armët me të cilin realizuan atentatin. Të dy ata u fshehën në katin e pestë të një pallati. “Jemi në besën tuaj,”- u thanë ata një çifti që sapo takuan dhe çifti nuk bëri zë pasi pa armët. Vendi u rrethua nga forca të shumta policie, hyrjet e pallatit janë kontrolluar nga grupi tjetër i gatshëm i policisë i emërtuar “Çelik 2” shkallmuan derën e jashtme të hyrjes së apartamentit dhe arritën të arrestonin dy të shumëkërkuarit. Viktor Ymeri është etiketuar shpesh si ushtar i bandës së Gaxhait, por pas dënimit të këtij të fundit është menduar se ka qenë daja i faqedjegurit ai që ka mbajtur gjallë jashtë burgut anëtarë të tjerë të grupit, ku bënte pjesë edhe Edison Harizaj. Për shkak të autoritetit ai ja doli mbanë të mbyllte ‘histori’ për të cilat mendohet që kishin ngelur të hapura që nga vrasja e të vëllait dhe që sollën në vite përplasjen me grupin e Didi Camit (kunati i të cilit është Fatmir Hyseni, Doqja, një tjetër i shumëkërkuar).

  • 17:18

    Ku janë gjurmët e Lulit&Lentit? Urdhër-arrestet janë prerë, por a janë njoftuar të akuzuarit/ Në burg Ymeri, Shullazi dhe Taullai

    Lulzim Berisha (Lul Berisha) dhe kunati i tij, Plaurent Dervishaj, i njohur edhe si Lenti, ende nuk janë mundur të gjenden nga Policia e Shtetit. Edhe pse SPAK i kërkon t’i arrestojë me akuzën e vrasjen të kryer në bashkëpunim për të paktën dy ngjarje, ekzekutimi i Vajdin Lames dhe ai i Klodian Saliut, dyshja nuk janë mundur që të gjenden. Dosja.al ka mundur të sigurojë dosjen ekskluzive të SPAK, ku argumentohet edhe kërkesa për arrest bazuar në këto dy vrasje, ndërsa po të njëjtat burime bëjnë me dije se ata nuk ndodhen në Shqipëri. A janë njoftuar apo janë larguar për të kaluar pandeminë jashtë vendit kjo nuk dihet, por prej të dyve nuk ka asnjë gjurmë.

    Të vetmit të arrestuar deri më tani janë Indrit Taullai, i cili ndodhet në Prizren, pas arrestimit nga Interpoli dhe autoritetet kosovare dhe Viktor Ymeri, i arrestuar në Tiranë, që tanimë ndodhet pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë. Ndërsa Luftar Reçi, personi i fundit që përmendet nga SPAK ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësisë, duke përfituar kështu statusin e të penduarit.

  • 17:09

    Dy atentatet që ‘fundosën’ Shullazin, Berishën&CO! Zbardhen pas 15 vitesh vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, miqtë u mblodhën dhe festuan pasi i i vranë

    Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Klodian Saliu

    Dosja.al ka siguruar ekskluzivisht një pjesë nga materiali i dosjes së (SPAK) për operacionin e bujshëm që ka nisur në Shqipëri dhe Kosovë, dhe ku deri më tani janë arrestuar Viktor Ymeri, Indrit Taullai, ndërsa Emiljano Shullazit i është komunikuar masa e sigurimit “arrest me burg” nga qelia ku po qëndron aktualisht për të tjera vepra penale dhe pritet arrestimi për Lulzim Berishën dhe Plaurent Dervishajn. Ndërkohë që Luftar Reçi është kthyer në bashkëpunëtorin e drejtësisë. 

    Por pse akuzohen këta emra të njohur të botës së krimit? 

    SPAK ka ngritur ‘stekën’ e hetimit dhe ka regjistruar procedimin penal më 21 tetor të 2020-ës për këta persona, ndërsa ka hetuar dy vrasje duke i akuzuar këta emra si bashkëpunëtorë. Bëhet fjalë për dy vrasje të bujshme që kanë tronditur Shqipërinë në vitin 2005. Ngjarja e parë kriminale është vrasja e Klodian Saliut, i njohur si rivali i Lulzim Berishës, e ndodhur më 26 shkurt 2005, ku Saliu u ekzekutua në Maminas dhe që prej asaj kohe gjithnjë është përfolur se pas ngjarjes qëndronte Lulzim Berisha.

    “Nga tërësia e provave krijohet dyshimi i arsyeshëm se të hetuarit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Luftar Reçi kanë konsumuar elementë të veprës penale “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Klodian Saliu”-thuhet në dosjen hetimore e siguruar ekskluzivisht nga Dosja.al. 

    Ngjarja e dytë kriminale, që SPAK akuzon grupin si ekzekutor është vrasja e biznesmenit Vajdin Lame. Biznesmeni u vra me lëndë shpërthyese më 27 shkurt të vitit 2005, dhe bashkë me të humbi jetën edhe Artan Arsi. “Nga tërësia e provave të analizuara krijojnë dyshimin e arsyeshëm se të hetuarit, Emiljano Shullazi në rolin e organizatorit, si dhe Viktor Ymeri, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taulla dhe Luftar Reçi, (këta të fundit në rolin e ndihmësit), kanë konsumuar elementë të veprës penale “vrasje në rrethana të një ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim”. 

    Por në ç’baza i akuzon prokuroria?

    Në materialin që SPAK ka referuar kërkesën për të siguruar urdhër-arrestet, organi i akuzës citon një dëshmitar i cili ka deklaruar se: Luli me rastin që i kishte shpëtuar atentatit kishte shpëtuar të gjithë shokët e tij. Në këtë lokal ndërmjet të tjerëve ka qenë Luli, Lenti, Indriti, G.M., M.K., dhe disa të tjerë që nuk i njihja. Unë u ula në tavolinë me Lulin, Indritin dhe Lentin. Në biseda në tavolinë, Indriti u shpreh se na kishte ecur mbarë disa kohë, ku e kishte fjalën për vrasjen e Vajdinit dhe Klodian Saliut.”

Shto Koment