AktualitetFactcheck

Ekskluzive/ Drejt shkatërrimit Ishulli i Sazanit, kompania private kërkon të ngrejë stacion plazhi në zonën e mbrojtur

Dosja.al ka siguruar kërkesën që shoqëria “Hotel Regina-Group” i ka drejtuar institucioneve përgjegjëse ku kërkon dhënien e lejes për shfrytëzim të ishullit të Sazanit. Shezlon, bar, çadra, janë disa insfrastruktura që kjo shoqëri kërkon të ndërtojë në perlën e jugut, ende e paprekur nga ndërtimet.
Featured image of article: Ekskluzive/ Drejt shkatërrimit Ishulli i Sazanit, kompania private kërkon të ngrejë stacion plazhi në zonën e mbrojtur Ishulli i Sazanit dhe kërkesa e kompanisë private

#MbroniSazanin! Kjo është thirrja që ndoshta do duhet të dëgjohet më shumë nga sot e tutje. Pas shkatërrimit të Valbonës, parkut të Lurës, radha duket se i ka ardhur ishullit të Sazanit, një prej perlave më të bukura që Shqipëria e vogël bart në thellësitë e detit të kaltër Jon.

Një kërkesë vjen nga një shoqëri turistike, vetëm 15 ditë para hapjes së sezonit turistik.

Dosja.al ka siguruar kërkesën që shoqëria “Hotel Regina-Group” i drejton Bashkisë Vlorë, prefekturës Vlorë, ministrisë së Turizimit, Ministrisë së Mbrojtjes, drejtorisë së Përgjithshme Detare, Agjencisë së Bregdetit, dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, ku kërkohet që plazhi të vendoset në shërbim të kësaj shoqërie.

Kërkesa e kompanisë për të ndërtuar stacion plazhi në Ishullin e Sazanit

Skenari është i njëjtë me atë në Karaburun, ku privati ka marrë nën shfrytëzim gjiret me ujë të kristaltë, për t’i kthyer në një atraksion turistik për turistët, dhe për rezervatet e peshkut.

Në kërkesën që biznesmeni Vasil Bedinaj, pronar i shoqërisë iu ka drejtuar institucioneve thuhet saktësisht se në ishullin e Sazanit duhet të ndërtohet një stacion plazhi, por që nga mjetet e përshkruara është një shfrytëzim, për të cilin nuk ka as një raport për ndikimin që do duhet të ketë në mjedis.

“Shoqëria kërkon ngritjen e një stacioni plazhi në Ishullin e Sazanit, në vendin perëndimor të portit. Shoqëria jonë merr përsipër që të plotësojë të gjitha kushtet. Bazuar në këtë vendim, ne jemi në gjendje që brenda një kohe të shkurtër, të mund të kompletojmë një stacion model plazhi me të gjithë aksesorët si çadra, shezlone, dushe, shërbime higjenike, kabina zhveshje, kosha mbeturinash, vrojtues, beach bar”, -thuhet në kërkesë.

Kërkesa e kompanisë për të ndërtuar stacion plazhi në Ishullin e Sazanit

Kërkesa e biznesmenit Vasil Bedinaj, që vlonjatët e njohin për kandidimin e para 4 viteve si i pavarur bie në kundërshtim me ligjin për zonat e mbrojtura.

Parku Kombëtar-Karaburun-Sazan është një zonë e mbrojtur, ku bën pjesë edhe ishulli me këtë emër.

I shpallur në vitin 2010 zonë e Mbrojtur, kategoria 2, ky ishull bashkë me Karaburunin, ku ligji tashmë është shkelur do duhej të mos preken nga dora e njeriut për asnjë shfrytëzim.

Konkretisht, ligji për Zonat e Mbrojtura, në pikën 2 parashikon për paraqet kombëtare, se nuk duhet të shfrytëzohet nga njeriu, si edhe është e ndaluar shfrytëzimi që ndikon në biodiversitet, apo në ekosisteme.

Ligji për Zonat e Mbrojtura
Ligji për Zonat e Mbrojtura.

Me gjasë, njësoj si në Karaburun, edhe në Sazan, ndoshta do të lejohet shfrytëzimi i një plazhi të virgjër, me biodiversitet të rrallë, për llogari të dorës së njeriut.Po a mos, do të duhej që vetëm për një çast të llogarisnim, a do të ishte më mirë një zhvillim i qendrueshëm i këtyre zonave, e jo shfrytëzimi momental i tyre për të shkatërruar një ndër ishujt më të bukur që kemi në Shqipëri?

(f.g/dosja.al)

Shto Koment