Politike

Konferenca e fundit/ Rama: Ilir Meta do të shkatërrojë Reformën në Drejtësi, Lulin e kanë lidhur me zinxhir, pakti PD-LSI, pjesë e planit! Shqipëria ka gati pasaportën e vaksinimit, Brukseli, i kënaqur me ne

VIDEO
  • Presidenca i përgjigjet Ramës: Kush prek votën e lirë do t’i pritet dora bashkë me thonjtë
  • Kryemadhi: Durim, Edi! Nesër ta shpjegoj “gjerë e gjatë” fabrikën e parave
  • Edi Rama mbajti sot konferencën e fundit në sallën e hartave në Kryeministri. Kryeministri sulmoi kundërshtarët ndërsa quajti një sfidë personale sigurimin e vaksinës për të imunizuar popullatën. Rama mohoi kritikat në Bruksel dhe tha se Shqipëria ka mbështetjen e BE. 
    Featured image of article: Konferenca e fundit/ Rama: Ilir Meta do të shkatërrojë Reformën në Drejtësi, Lulin e kanë lidhur me zinxhir, pakti PD-LSI, pjesë e planit! Shqipëria ka gati pasaportën e vaksinimit, Brukseli, i kënaqur me ne Edi Rama, kryeminister

    TIRANE 53 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, për gati 3 orë, kryeministri Edi Rama zhvilloi sot konferencën e fundit me gazetarët për mandatin e dytë qeverisës nga salla e hartave në Kryeministri. Me sulme ndaj presidentit Ilir Meta, ironi dhe keqardhje për Lulzim Bashën, Edi Rama u shfaq sot i qetë para gazetarëve, nën premtimin se shteti në mandatin e tretë do të funksionojë tërësisht online dhe se zgjedhjet e 25 prillit janë ndarja e madhe mes shqiptarëve që duan drejtësi dhe opozitës që kërkon sabotimin e reformës në Drejtësi.


    “O me Drejtësinë, o me Ilir Metën”, -tha Rama kur u pyet për deklaratat e forta të presidentit Ilir Meta. Rama tha se beteja e Ilir Metës është shkatërrimi i Reformës në Drejtësi për ti shërbyer atij dhe Sali Berishës. Kryeministri Edi Rama i quajti Metën dhe Berishën dy ortakë të Partisë Demokratike, ndërsa Monika Kryemadhin “notere”, kurse Lulzim Bashën e quajti një “menaxher” i lidhur me zinxhirë.

    Kryeministri hodhi dyshimin se presidenti Ilir Meta me deklaratën e djeshme se nëse PS merr mandatin e tretë do të kalojë në krye të opozitës e ka pjesë të planit për të shkatërruar reformën. Por ai fajësoi Lulzim Bashën në këtë pjesë të dytë, që sipas tij, nuk ka “këllqe” për të parë atë që Ilir Meta do ti bëjë nesër.

    Kryeministri foli edhe për çështjen e vaksinimit dhe u zotua se Shqipëria do të nisë vaksinimin masiv. “Është ëndrra dhe çmenduria ime”-tha ai, teksa tregoi se edhe në Bruksel, debati për sigurimin e vaksinës është i madh. “Gjermania, një superstar, ankohet për vaksinat”,-u justifikua Rama kur gazetarët këmbëngulën për të marrë një datë për nisjen e procesit të vaksinimit.

    Edi Rama sqaroi edhe çështjen e ardhjes së vaksinave në të njëjtën kohë me kthimin e tij nga Brukseli. Rama tha se vonesa e vaksinës ndodhi për shkak të një keqkuptimi në gjuhën angleze të dy ministrave Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu. “Ndodhi me gishta në vesh, që  o do vinë sot o do vinë sot. Shumë e thjeshtë”, tha Rama.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Kryeministri deklaroi se personat e infektuar nuk do të votojnë ditën e zgjedhjeve dhe shtoi se procesi nuk do të sjellë rritje rastesh, bazuar në praktikat e vendeve të tjera.

    Rama mohoi që në Bruksel të kishte marrë vërejtje për investimin në Portin e Durrësit dhe i quajti lajmet në media si “fakte alternative të një bote paralele që bazohet në lajmet e rreme”.

    Më herët në konferencë, kryeministri  deklaroi se Shqipëria ka gati pasaportën për vaksinimin kundër COVID19 ndërsa pohoi se janë mbi 95% e shërbimeve shtetërore që kanë kaluar online. Rama tha se pasaporta do të jetë e disponueshme për të gjithë qytetarët që do të vaksinohen në rast se udhëtimet jashtë vendit kushtëzohen nga pajisja me një pasaportë. Rama tha se shqiptarëve iu janë kursyer 4 milionë euro dhe 472 vjet pritje në radhë.

    (a.b;f.g/dosja.al)

    • 14:10

      BIRN i zbuloi pasurinë e shumëfishuar, Rama: Nuk ka shans! Është lajm 100% i rremë, jo 99. Është produkt i dembelizmit aktiv

      Kryeministri Edi Rama mbylli konferencën e fundit të mandatit të tij duke iu përgjigjur pyetjes për pasurinë. Ishte gazetarja e cila i tha se nëse janë të verteta lajmet për shumëfishimin e pasurisë. Kreu i qeverisë e falenderoi për pyetjen pasi sipas tij nuk ka pasur mundësi që të fliste më parë për këtë temë. Rama tha se asnjë nga ato që kanë dalë nuk janë të vërteta, duke shtuar se pasuria e çdo banori në Tiranë rritet dhe nga prona që kanë. Në fund, kryeministri tha se nuk ekziston një pasuri e pajustifikuar.

      DEKLARATA:

      Faleminderit që më dhe mundësinë të flas për këtë temë. Ju nuk jeni as prokuror, as gjykatës, nëse ju thoni se pasuria nuk justifikohet ju mund ta thoni por nuk do të thotë se po thoni të vërtetën, Gjasat që po thoni të vërtetën janë 0. Janë 0 sepse, në Shqipëri ka një institucion të vecantë që quhet Inspektoriati i lartë i deklarimit të pasurisë.

      Eshtë institucion, ku të gjithë personat që merren me deklaratat e pasurive mbajnë përgjegjësi penale për cdo fshehje te fakteve. Përtej kësaj, ky institucion, bënte kontrolle te përgjishme, dhe me short, bënte kontrolle te imta, si kontrollet e imta, për cdo gjë, cdo detaj. Pasi kemi ardhur ne qeveri, bënë kontrolle të imta për të gjithë ne. Nëse do shikoni dokumentin e kontrollit të pasurisë së familjes time, janë faqe të tëra, dhe nëse shikoni dosje dhe deklarata dhe fatura e dokumente bashkëngjitur, do ju duhen dite. Ku banoni ju?E dini ju që pasuria juaj është rritur, si banore e Tiranës, është rritur vitet e fundit, sepse ne deklaratën e pasurisë nuk janë vetëm të ardhurat monetare por dhe vlera e pasurisë së patundshme. Vlera është rritur si asnjëherë më parë. Në Tiranë dhe zona të vecanta është rritur dhe qeveria ka bërë disa here vendime për rivlerësim pasurie. Ca do të thotë kjo, po të bësh kalkulime del se vlera e pasurisë së ministrave është rritur, por po të shohësh faktet nuk lidhet me vlera monetare që nuk justifikohet. Nuk ka shanc! Është lajm 100% i rremë, jo 99. Është produkt i dembelizmit aktiv, sic e quante Konica. Deklarata e pasurisë është konfidenciale, është me ligj. Jini shumë të qetë sepse është e pamundur që të ekzistojë e shkruar e deklaruar e me detaje një pasuri e pajustifikuar. Kjo nuk ndodh.

    • 12:23

      Pyetet për dosjen 184, Rama debaton me gazetaren: E pabesueshme si mund të bëni ju prokurorin suprem, unë nuk jam i besueshëm për burime të infektuara

      Kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar pyetjet e gazetares Rovena Cerka e cila e ka pyetur se ku është besueshmëria tek hetimi i dosjes 184 dhe 339, kur sipas saj, asnjë nga personat e hetuar nuk ishte politikan i rëndësisë së lartë. Rama tha se mediat kanë marrë vendin e prokurorisë dhe gjykatave.

      Edi Rama: Jam shumë kurioz që kur i bëni këto pyetje, i bëni vërtetë vetë, apo jua thonë pronarët. Është e pabesueshme që ju të bëni këtu prokurorin dhe gjykatësin suprem, ju keni emra, dhe keni pretendimin që nuk janë hetuar, ku e dini ju që nuk janë hetuar, si e dini ju që nuk janë hetuar, apo ku e dini ju që emrat që ju përmendni janë të përfshirë. Si e dini ju nga muhabetet e telefonat, se se kuptoj unë këtë është habi e madhe, ndërkohë që është prokuroria ajo që bën hetimin , dhe është prokuroria ajo që vendos se për kë ngre akuzë. Dhe ju kam thënë gjithnjë diçka, bëni sondazhe, sepse nuk ka shans që të përmbyset rezultati i një procesi elektoral kombëtar duke blerë, as fabrika e parave të LSI-së nuk e përmbys rezultatin, nuk ka shanse. Dhe sa i përket besueshmërisë sime, unë nuk mund të jem i besueshëm për burime të infektueshme informimi. Sesa të besueshëm jemi ne këtë e vendos populli shqiptar, për pronarët e disave prej jush.

    • 13:35

      Rama ia hedh fajin Ahmetajt dhe Manastirliut për koordinimin e ardhjes së vaksinave, kryeministri: Ndodhi ajo që ndodh me gishta në vesh…ata morën anagazhimin, o vijnë sot o sot!

      Kryeministri Edi Rama i ka dhënë përgjigje interesit të gazetarëve se pse vaksinat e Pfizer mbërritën në Shqipëri bashkë me të. Rama u shpreh se ndodhi ajo që ndodh me të dhe ata që flasin anglisht. Rama tha se ka dhe dy ministra të tjerë që merren me koordinimin duke përmendur ministrin Ahmetaj dhe ministren Manastirliun. Ai shtoi se përpos dozave të djeshme është marrë garanci për 30 mijë vaksina të tjera Pfizer që pritet të vijnë në muajin Prill.

      “Ndodhi ajo që ndodh gjithmonë me mua dhe ata që flasin anglisht dhe fatmirësisht në këtë pjesë jam i kënaqur që nuk jam vetëm se kam dhe dy të tjerë. Ndodhi ajo me gishta në vesh. Ndodhi ajo që o do vijnë sot, o do vijnë sot. Unë vërtetë jam lypësi më i madh por nuk jam lypës që kthej faqen tjetër. Jo vetëm ndodhi ajo por si rezultat i asaj ndodhi dhe tjetra. Morëm dhe angazhimin për 30 mijë vaksina të tjera nga Pfizer në muajin Prill. Sa i përket të parës jo nuk do të bëni gabimin që bën Ilir Meta”-tha Rama. 

    • 13:38

      "Çmenduria ime është..."/ Rama u jep shqiptarëve lajmet nga Brukseli: Diskutuam me miqtë atje, janë të tensionuar se s'kanë vaksina, por unë s'tërhiqem


      Kryeministri Edi Rama ka treguar se sfida e tij personale është sigurimi i vaksinave për të lehtësuar sezonin turistik. Rama tha se nuk ka një datë, pasi situata ndryshon me orë, dhe rrëfeu edhe atë që flitej pas dyerve të mbyllura në Bruksel.

      “Është ëndrra dhe çmenduria ime… që të kemi një lehtësim të madh të sezonit turistik dhe një promovim si vend free dhe të vaksinuar. Por pse them çmenduri? Se duhen sasi vaksinash. Këtë diskutuam dhe dje tek miqtë që na ftuan. Me shumë kënaqësi do t’ju kisha marrë në xhep të shikonit dhe të dëgjonit për të parë çfarë situate tensioni është për Evropën dhe të gjitha vendet që janë futur në menaxhimin e vaksinës. Megjithatë unë nuk tërhiqem nga kjo çmenduri dhe po bëj çmos që të kemi shifra të konsiderueshme vaksine. Por po se pashë para, nuk ia vlen kot që të flasim. Ju e patë vetë, ndryshojnë gjërat me orë. Thanë dje që se sjellim e sollëm. Imagjinoni vetëm kaq, janë 4 kompani ku janë drejtuar sytë e gjithë planetit. Shikoni Gjermaninë që është një superstar si shtet dhe ankohet se s’ka doza të mjaftueshme sipas planit të saj.”-tha Rama. 

    • 13:32

      Rama: Procesi zgjedhor nuk shoqërohet me rritje rastesh, e kemi parë në disa vende


      Kryeministri Edi Rama mohoi që dita e zgjedhjeve të ndikojë në rritjen e rasteve të personave të infektuar. Rama tha se është parë procesi në shumë vende dhe nuk është parë që të ketë rritje rastesh.

      “Për ata që janë pozitivë dhe nuk janë negativizuar duhet të karantinohen, është e vërtetë, e kemi parë si shqetësim, por të gjithë vendet e tjera kështu e kanë bërë. Kështu është vepruar. Sigurisht që janë të parët njerëzit që duhet të marrin përgjegjësinë për këtë, por është inkurajuese që s’ka patur të dhëna shqetësuese post elektorale për shëndetin e njerëzve, pra s’ka patur rritje të rasteve të infektimeve. Por respektim duhet i radhëve, s’ka patur problem se këtë e kemi parë me shumë kujdes.”-tha Rama. 

    • 13:25

      Ndryshimet në Reformën në Drejtësi, Rama: Besueshmërinë shiheni tek shkallimi i Ilir Metës

      Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur sot realizimin e reformës në Drejtësi dhe ka shtuar se për të parë besueshmërinë e procesit “Shihni shkallimin e Ilir Metës”. Kryeministri deklaroi se reforma po jep shenjat e para ndërsa thumboi Lulzim Bashën kur tha se ndryshimet e propozuara do të diskutohen me një opozitë tjetër, pasi “Luli nuk do këputë zinxhirin”.

      “Nuk ka nen që kalon pa u miratuar bashkarisht me amerikanët dhe europianët, dhe nëse një prej atyre thotë jo, është jo. Kështu që mos u shqetësoni për këtë, Reforma në Drejtësi është aq e besueshme sa shkallimi i Ilir Metës, shikoni Ilir Metën dhe aty e kuptoni se Reforma në Drejtësi po jep shenja domethënëse, që nuk janë fare mjaft, por që janë mjaftueshmërisht të qarta për të tensionuar Ilir Metën dhe Sali Berishën.  Është shumë e qartë që paketa është plotësisht e harmonizuar me partnerët, nuk diskutohet që me një opozitë tjetër, në rast se Luli nuk do këpusi zinxhirin padyshim që do të jetë shumë e vështirë.”-tha Rama.

    • 13:19

      "O pushtetin o kokën e Lulit", Rama komenton marrëveshjen PD-LSI dhe shpërthen kundër Metës: Do të shpërbëjë reformën, o me drejtësinë o me Ilir Metën, duan ta lidhin Lulin me zinxhirë, s'ka këllqe...


      Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot deklaratave të forta të presidentit Ilir Meta dhe komentoi marrëveshjen për koalicion paszgjedhor mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në konferencën e fundit me gazetarët, Rama tha se Meta ka sqaruar përfundimisht arsyen pse kërkon një “referendum popullor më 25 prill”, që sipas tij është shkatërrimi i Reformës në Drejtësi. Kryeministri tha se 25 prilli është dita kur shqiptarët duhet të zgjedhin “me drejtësinë apo me Ilir Metën”.

      “Ilir Meta duhet falenderuar se ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referundimit që ishte ekuacion i paplotë me vetëm njërën anë, që më 25 prill referendumi popullor do të shpërbëjë reformën në drejtësi. Tani, Ilir Meta i fton shqiptarët ku duhet të zgjedhin me drejtësinë apo me Ilir Metën, me Reformën në Drejtësi deri në fund apo me Ilir Metën. Zgjedhje më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë, shqiptarët nuk mund të kenë më 25 prill dhe Ilir Meta duhet falenderuar.”-tha Rama.

      Më tej, ai komentoi deklaratën e kreut të shtetit që tha se në rast se PS fiton mandatin e tretë do të dalë në opozitë. Rama tha se kjo është pjesë e planit për të shkatërruar reformën, dhe se Lulzim Basha është lidhur me zinxhirë. “Ai nuk ka këllqe”-tha Rama, të shohë se Ilir Meta do ti marrë vendin dhe se “amerikanët i kap për veshi”.

      “Përsa i përket marrjes së drejtimit të opozitës, kjo është e qartë për ata që shohin, mjafton të shohin firmosjen e marrëveshjes së djeshme. Plani është shumë i qartë, si mund të firmosin marrëveshje paraelektorale dy parti që garojnë vec e vec, e keni parë këtë në ndonjë vend? Pse për çfarë, është e qartë, është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Saliut dhe të Ilirit dhe pastaj, sigurisht ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë reformën në drejtësi, ose për të marrë kokën e Lulit. Ka më thjesht se kaq? Është shumë e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve, është shumë e qartë, por këtu problemi nuk është Ilir Meta, problemi është Lulzim Basha që nuk ka këllqe, s’ka karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë se çfarë do ti bëjnë të nesërmen, as kur aleati i tij i madh thotë unë amerikanët i kap për veshi, por s’ja kërkojmë dot se s’është lideri, është menaxheri i një shoqërie aksionere me dy ortakë, Ilir Metën dhe Sali Berishën dhe një notere dhe përmbaruese dhe përmbaruese, Monikën.”-tha Rama.

    • 13:05

      "Kush e bëri reformën në Drejtësi?"/ Rama i sulet gazetares që e pyet për listat e pastra: Gjuetia e shtrigave mbaroi në 1990, ç'janë këto pyetje, kush i bën ligjet? Kriminelët?

      Kryeministri Edi Rama nuk e ka pritur mirë pyetjen e gazetares Esiona Konomi në lidhje me pastërtinë e listave të kandidatëve për deputetë. Rama tha se kjo histori e stërzgjatur sipas tij, është e pranueshme për ndërkombëtarët, por jo nga të gjithë që sipas tij, hedhin baltë ndaj njëri-tjetrit.

      PJESË NGA FJALA E RAMËS:

      Unë kam përshtypjen që kujtesa më funksionon saktë kur them që komunizmi ka vdekur në 1990 dhe gjuetia e shtrigave ka mbaruar në 1990. Në Kuvend kam parë gra shumë të zonjat me të gjitha atributet për të qenë lartësisht të respektuara. Interesi ynë është ti japim shqiptarëve më të mirën. Ca janë këto pyetje është bërë banale e gjithë kjo histori. E kuptoj që miqtë dhe partnerët tanë ta kërkojnë, por procesi është i garantuar dhe ne s’duhet të bëhemi pre e gjithë kësaj baltovine ku zhysim përditë njëri tjetrin, sepse kanë kaluar në plan të dytë, të tretë, ata që janë njerëzit që bëjnë ligjet brenda Kuvendit të Shqipërisë, janë njerëz që punojnë. Kush e bëri Reformën në Drejtësi, kriminelët? Kush i ka bërë të gjitha reformat, kriminelët? Ca dmth kjo? Është realisht e tepërt, s’kam fjalë për këtë.

    • 12:52

      Brukseli i tërhoqi veshin për Portin e Durrësit? Rama e mohon dhe shfryn ndaj gazetares: Hidhni baltë si kolegia juaj, turpëruese, juve do t'ju ngrihen rrogat nga ai investim...

      Kryeministri Edi Rama ka mohuar që komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ti ketë shprehur shqetësim në lidhje me investimin për Portin e Durrësit. Në konferencën e fundit sot me gazetarët, Rama mohoi që të ketë patur shqetësim nga BE për këtë çështje, duke e quajtur pyetjen e gazetares Ambrozia Meta të bazuar në “fakte alternative të një bote paralele”. Rama sërish sulmoi gazetaren Erisa Zykaj dhe pyetjen e saj për deputetët e inkriminuar. Kryeministri e quajti dje Zykajn dhe pyetjen e saj si pjesë e një ‘aktivizmi dembel’, ndërsa sot tha ndërhyrja ishte si kërcitja e një dere të vjetër kur luhet një koncert.

      PJESË NGA FJALA E RAMËS:

      Faktet alternative s’janë fakte, megjithëse kanë hyrë në filozofinë njerëzore ndaj lajmeve të rreme. Në Bruksel s’kam dëgjuar asnjë ultimatum, por vetëm vlerësime pozitive siç i dëgjuan të gjithë ata shqiptarë dhe shqiptare që nuk jetojnë në botën paralele të fakteve alternative. Në referencën që bëre, ka gabim në objekt, pasi është referencë e shkuar e stërdiskutuar për një kohë të gjatë. Kështu që unë s’kam dëgjuar asnjë ultimatum dhe më vjen mirë që koha tregoi, e tregoi shpejt në fakt, që unë kisha të drejtë për reformën zgjedhore dhe që reforma zgjedhore ka marrë vlerësim maksimal edhe nga Komisioni i Venecias. Nëse ka pasur në Bruksel diçka që ka kërcitur njësoj siç kërcet një derë e vjetër në sfond kur luhet një koncert në sallë, ka qenë ndërhyrja e koleges suaj, një ndërhyrje e pavend, absolutisht e padobishme për të mos thënë turpëruese për kategorinë e gazetarëve, për të gjithë ju dhe për të gjithë ne faktikisht, bazuar në fakte alternative të botës paralele dhe për një kontrast për mua që isha atje, me kolegen e Maqedonisë së Veriut që në atë vend foli për vendin e saj. Nuk i ra vendit të saj me baltë të prodhuar nga faktet alternative të botës paralele. Po kaq e pavërtetë, kaq thellësisht e pavërtetë sa mungesa e një ultimatumit është ajo që dëgjova tani për Portin e Durrësit. As është folur as ështën diskutuar, as është prekur asnjë fjalë në lidhje me këtë temë. Është për të ardhur keq që kjo shpiket në Tiranë ndërkohë që ai investim është për të gjithë për të ardhurat tuaja personale, tuajat personale të juve që jeni këtu. E kam dëgjuar shumë këngën e Malit të Zi dhe Maqedonisë, Serbisë … që kanë investime të huaja, kanë investime të huaja dhe kemi paguar koston e një imazhi skandaloz të trashguar nga një traditë skandaloze dhe kur ne bëhemi gati të bëjmë investime të përmasave të mëdha dhe që kanë të njëjtin ndikim si në Malin e Zi që janë me pagat më të larta në rajon këtu prodhohet baltë dhe shpifet paturpërsisht për diçka që është e lidhur me interesin tuaj personal dhe familjar, dhe të atyre që kanë një mikrofon se rritja në ekonomi do të ndikojë tek ekonomia. 

      Dosja.al raportoi dje ekskluzivisht, debatin që ka ndodhur në Bruksel mes kryeministrit Edi Rama, me përfaqësuesit e lartë të BE në lidhje me marrëveshjen me sheikun Mohamed Alabbar për marrëveshjen e investimit prej dy miliardë dollarësh nga grup Emaar në Portin e Durrësit. Ramës i është shprehur shqetësimi se koncesioni shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimin dhe ai është tërhequr. Kryeministri ka premtuar korrigjim në këmbim të heshtjes nga Brukseli.

    • 12:35

      FOTO- Ja si do të duket pasaporta shqiptare e vaksinimit kundër COVID19

      Kjo është pamja e parë e pasaportës së vaksinimit që qeveria shqiptare do të lëshojë për të gjithë qytetarët pasi të marrin mbrojtjen kundër COVID19.

      Prezantimi u bë sot nga kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karcanaj.

      Aplikimi për pasaportën e vaksinimit do të bëhet përmes E-albania, ku qytetarët do të mund të rezervojnë oraret e vaksinimit për veten dhe fëmijën, më pas do të njoftohen me sms për datën dhe do të shkarkojnë me vulë elektronike kartelën personale të vaksinimit.

    • 12:30

      Drejtoresha e AKSHI-t: Së shpejti do të rezervohet orari i vaksinimit online, do ju vijë njoftimi për dozën e radhës


      Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karcanaj njoftoi se vaksinimi do të realizohet përmes një procedure e cila do të aplikohet tërësisht online. Karcanaj tha se shumë shpejt edhe spitalet rajonale do të aksesojnë online shërbimin, ndërsa qytetarët do të kenë gati edhe seksionin për të aplikuar për pasaportë vaksinimi.

      “Së shpejti dhe spitalet rajonale do të aksesojnë online. Do të bëjmë gati pasaportën e vaksinimit. Ata që vaksinohen kundër covid-19, do të pajisen me një dokument elektronik. Do rezervohet orari i vaksinmit, do të vijë njoftimi për vaksinimin e radhës. Do të kemi një kartelë personale të vaksinimit me vulë elektronike.”-tha Karcanaj.

    • 12:30

      Pasaporta dixhitale për vaksinimin, Rama: E kemi gati sistemin

      Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është gati për të lëshuar edhe pasaportën dixhitale të vaksinimit. Rama tha se është gati sistemi falë revolucionit dixhital.“Ne disponojmë falë revolucionit dixhital kemi një sistem që garanton transparencë dhe kemi pasaportën dixhitale të vaksinimit, duke u përgatitur për rastet kur vaksinimi të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit”, tha Rama.
    • 12:24

      Rama rendit arritjet e ‘e-Albania’, kryeministri: Mundësuam që marëdhënia e qytetarit me shtetin të jetë në xhepin e tyre, jo në dorën e zyrtarucëve

      Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme konferencën me në qëndër ekoniminë e vendit. Rama tha gjatë fjalës së tij se platforma e-albania është kthyer në një histori sukesi dhe është një instrument në duart e atyre që e përdorin. Ndër të tjera kreu i qeverisë tha se platforma ka mundësuar që qytetarët të kenë marëdhënie me shtetin dhe jo me zyrtarët të cilët i etiketoi si ‘zyrtarucë’.

      “Departamenti amerikan i shtetit e vlerëson axhendën dixhitale, duke theksuar se ndikon në luftën kundër korrupsionit. OKB e kanë renditur ne vendin e 31 per përballimin e krizës ndaj Covid. Të gjjtha këto për të thënë se është fakt i njohur. Platforma e-albania është kthyer në histori suksesi, është instrument në duart e atyre që e përdorin. Nga 1 janari kemi nisur zbatimin e ligjit të fiskalizimit. Do të kemi një sistem që praktikisht do të mundësojë leximin në kohë reale nga një tru elektronik i të gjitha transaksioneve në të njëjtin sekond, nga një biznes në biznes dhe te konsumatori, e nga një biznes te shteti. Shëndetësia sot transformohet në këtë aspekt, pasi janë disa procese që deri dje bëheshin me radhë të gjata, ndërkohë që sot bëhen me radhë. Janë të gjitha online. Ju e mbani mend tmerrin e certifikatave të gjendjes civile, sot ne e kemi në cdo moment që e duam ne kohë reale, nga kompjuteri. Sot dëftesat do të ofrohen online, sot dhe pse ka shumë për të bërë shërbimet shtetërore për ata që janë jashtë mundësojnë që 38 shërbime, duke i imponuar humbje kohe, harxhime, stres, janë online. Sot shtetasit e huaj që duan të punësohen në Shqipëri, procesin e kryejnë online. Do tu merrja kohë pafund, mirëpo drejtorja e AKSH-it do të bëjë një prezantim më të detajuar. Të gjitha janë online. Duhet ende kohë, jemi në një punë që duhet të vazhdojmë, duhen edhe disa vite brenda mandatit të tretë që ne të kryejmë të gjithë ciklin. Duke asgjësuar të gjithë korrupsionin, duke hequr një tmerr të madh që lidhet me administratën e pasjellshme, rryshfet marrëse, dhe duke e kthyer në një makineri mbrapa ekranit. E duke mundësuar që marrëdhënia e qytetarit me shtetit, të jetë në xhepin e qytetarit. Jo dora e zyrtarucëve. Në cdo moment me një smartphone të kryesh cdo veprim që do. Është realiteti i disa vendeve dhe do jetë dhe i Shqipërisë, brenda 4 viteve të ardhshme.”-tha Rama.

    • 12:02

      Rama: Shërbimet online i kanë kursyer qytetarëve 4 milionë euro, janë shkurtuar 472 jetë nga pritja në radha


      Kryeministri Edi Rama nisi konferencën e fundit për mandatin e dytë duke thënë se përgjatë këtij cikli kanë lënë pas një arritje të madhe, duke iu referuar kështu programit ‘E-Albania’. Rama u shpreh se i kanë kursyer qytetarëve 4 milionë euro, duke mos u sorrollatur e duke i evituar dokumentet e ndryshme. Ndër të tjera kreu i qeverisë tha se janë shkurtuar 472 jetë njerëzish nga pritja që mund të bënin në sportele.

      “Termeti dhe pandemia nuk do ishin përballuar sic janë përballuar, dy ngjarje të mëdha e gjetën Shqipërinë. Përfytyroni se cfarë mund të bënim nëse në momentin kur duhet të garantonim mbylljen e përgjithshme të një viti me parë, nuk do kishim mundësi që ti shërbenim të gjithë qytyetëve që të dilnim nga shtëpia. Po sikur të na kishte gjetur në kohën kur ky shtet kishte vetëm një përqind të shërbimeve online, 1 %. Dhe vetëm 50 mijë përdorues, ndërkohë që sot nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion, kemi 1207 shërbime dhe nga 50 mijë përdorues kemi 1, 87 milionë përdorues. Nga 51 mijë aplikime për shërbimin online ne vitin 2013, sot në vitin 2021 kemi 7, 7 milionë. Sot ka 55 databaza që e shkëmbejnë informacionin. Nga ana tjetër kemi bërë një llogari dhe pa këtë revolucion deri në këtë fazë ne dhe qytetarët shqiptarë do të kishin konsumuar, 472 vjet pritje nëpër radha, janë shkurtuar 472 jetë, kohë në radha. Janë kursyer 293 vite pritje, në total u janë kursyer qytetarëve përmes shërbimeve online 4 milionë euro që do kishin shkuar për tarifa për dokumente. Sot Shqipëria ka 95 të shërbimeve online.”-tha Rama.

    2 Komente në “Konferenca e fundit/ Rama: Ilir Meta do të shkatërrojë Reformën në Drejtësi, Lulin e kanë lidhur me zinxhir, pakti PD-LSI, pjesë e planit! Shqipëria ka gati pasaportën e vaksinimit, Brukseli, i kënaqur me ne

    1. Public Enemy ….go dye …zombie

    2. Dikur beje si dele, por ishe ujku, tani ta dine lekuren njerezit, nuk te pranojne me. Ndaj shiko gjej drejtimin e duhur, se ne Shqiperi zor te mbetesh vitin tjeter

    Shto Koment