Sport

“Ekip pa gjak e pa dëshirë”, loja e Shqipërisë tërbon tifozat Kuq e Zi: Nuk lejojmë tallje me diçka që për ne konsiderohet e shenjtë!

Padyshim që kjo humbje djeg, sidomos për Tifozat Kuq e Zi të cilët kanë reaguar dhe janë të zhgënjyer nga mungesa e impenjimit dhe kanë dalë me një deklaratë
Featured image of article: “Ekip pa gjak e pa dëshirë”, loja e Shqipërisë tërbon tifozat Kuq e Zi: Nuk lejojmë tallje me diçka që për ne konsiderohet e shenjtë! Tifozat Kuq e Zi

TIRANË– Humbja kundër Lituanisë la një shije të hidhur për të gjithë. Një kundërshtar modest që kishte vite pa fituar në një ndeshje zyrtare, dhe pikërisht në “Air Albania” vendos diktatin për 90 minuta. Një ndeshje e dobët, me skuadrën kuqezi që u shfaq e lodhur fizikisht dhe e paorientuar.

Padyshim që kjo humbje djeg, sidomos për Tifozat Kuq e Zi të cilët kanë reaguar dhe janë të zhgënjyer nga mungesa e impenjimit dhe kanë dalë me një deklaratë, ku theksojnë se në fushë u pa një ekip pa gjak. Ata arrijnë deri aty sa kërkojnë që ndonjë edhe mund të ikë, nëse nuk e përballon peshën e fanellës.

POSTIMI I PLOTË

“Dashurinë për Kombëtaren nuk na e mohon askush, as rezultatet e as mos-impenjimet e protagonisteve që zbresin në fushën e lojës, apo atyre që sot mund të kenë marrë përgjegjësi për të administruar ekipin. Këtë dashuri e kemi dëshmuar edhe shumë herë të tjera, duke mos reshtur për asnjë moment së përkrahuri ekipin kombëtar.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ne do ta përkrahim gjithmonë e gjithnjë, pavarësisht rezultatit dhe dëshirës për të fituar, por edhe nuk do rrimë duarkryq, por kërkojmë përgjegjësi e llogari, ndoshta jo shumë për humbjen sesa për mos-angazhimin dhe ndjesinë e peshës së fanellës kuq e zi dhe asaj që ajo përfaqëson për neve. E pafalshme!

S’ka rëndësi rezultati, ka rëndësi transformimi nga një ekip i mirë para 96 orëve në Minsk, në një ekip pa gjak e pa dëshirë për lojë në Tiranë. Aspak profesionale mungesa e disiplinës nga lojtarët dhe atyre që ju japin leje që vetëm një natë me herët marrin pjesë nëpër festa, e të njëjtit mundohen të fshihen pas fatit.

Merrni përgjegjësinë, pasi ne nuk harrojmë. Nëse pesha e asaj fanellës është e rëndë, atëherë tërhiquni, pasi nuk lejojmë tallje me diçka që për neve konsiderohet e shenjtë!”, shkruhet në reagimin e Tifozave Kuq e Zi, pas humbjes së pësuar kundër Lituanisë në shtëpi.

E.Ç (Dosja.al)

 

Shto Koment