Editorial

Edi Rama, Kryeministri aktor që bën popullin të qeshë

E gjithë vëmendja ishte tek “I love Tropoja”, shteti tashmë ishte në plan të dytë. Ramës i pëlqente më shumë të ishte aktor, pasi ashtu e ka imagjinuar veten e tij këto 6 vite, dhe Shqipërinë si një film, çdo gjë si një shesh xhirim, pasi kudo që ai shkonte kamerat e ndiqnin nga pas.
Featured image of article: Edi Rama, Kryeministri aktor që bën popullin të qeshë

TIRANË– Pak muaj më parë, në kohën kur ishte ende dimër dhe e qeshura ishte një mënyrë e mirë për t’u ngrohur, Edi Rama e kishte kuptuar më së miri këtë gjë dhe i shkrinte gazit të gjithë.

Kulmin e arriti në një miting në Elbasan, ku në 1 orë fjalim, më shumë se plane për bashkinë kishte batuta. I vogël e i madh, burrë apo grua, fëmijë apo plak të gjithë qeshnin me batutat e tij.

I karikuar në kulm, pasi përgatitej për fushatën elektorale, në të cilën Kryeministri shfrenon fantazinë me humorin, Rama “gajasi” të gjithë.

Merrte gjithmonë duartrokitje dhe i dukej vetja një aktor profesionist. Por sërish në çdo dalje publike, frika ekzistonte, djersët ishin prezente dhe ankthi e kaplonte.

Por teksa herët që dilte para publikut të tij më të dashur, që dhe kur nuk kishte diçka për të qeshur, qeshnin, dhe duartrokitjet sa vinin e shtoheshin, Rama u pikas nga një kineast i ri.

Aktori, regjisori dhe producenti Ermal Mamaqi, nuk mund ta linte talentin e Edi Ramës pa shfrytëzuar.

Kur fushata elektorale mbaroi dhe nisën pushimet, Mamaqi dhe Kryeministri nisën bisedimet që ky i fundit të ishte pjesë e filmit të ri që pritet të dalë në kinema.

Për të qenë sa më pranë rolit aktori Edi Rama, la mjekër dhe u zhduk nga jeta publike.

Shfaqej herë pas here, por rrallë, pasi kishte frikë se ikte nga karakteri i tij që ka në film dhe nuk donte të qëndronte në rolin e mandatuar nga populli, të qeverisë vendin.

Për më shumë se 10 ditë, Rama u zhduk, nuk ishte më Kryeministër, vetëm qeveriste nga Facebook, me foto e video të përgatitura nga stafi i tij.

E gjithë vëmendja ishte tek “I love Tropoja”, shteti tashmë ishte në plan të dytë. Ramës i pëlqente më shumë të ishte aktor, pasi ashtu e ka imagjinuar veten e tij këto 6 vite, dhe Shqipërinë si një film, çdo gjë si një shesh xhirim, pasi kudo që ai shkonte kamerat e ndiqnin nga pas.

Këtë herë është ndryshe shumë ndryshe. Këtë herë rriti mjekrën, vendosi paruke, njërit sy i vendosi mburojë kauçuku, ndryshoj gjithçka. Hyri në karakter dhe premton që të gjithë do thyejnë brinjët nga të qeshurat.

Edi Rama këtë herë harroi që është Kryeministër, që ka një rol, por u fut në rolin tjetër, në karakterin e fabrikuar nga Ermal Mamaqi. Edi Ramës iu plotësua dëshira e tij e madhe, të aktronte, të jetë komendian dhe të bëjë popullin e tij të qeshë. Këtë nuk mund ta bënte si Kryeministër.

Sepse ai e di që nuk mund ta dojë askush për atë që është. Por, kjo nuk është e gjitha. Ai e di që askush nuk mund t’a dojë më kurrë për atë që është e ka qenë. Tani kërkon të bëhet dikush tjetër, që njerëzit t’a duan. Gjithçka tjetër… nuk ka më rëndësi.

Shto Koment