Politike

Presidenti Meta dërgoi letër në Bruksel, Rama ‘i ashpër’ me të: Krizë e turpshme, u provokua nga Reforma në Drejtësi!

Presidenti Ilir Meta i dërgoi letër Komisionerit të Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi 3 ditë më parë. Reagon edhe kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili shkruan se "fajtore" është Reforma në Drejtësi.
Featured image of article: Presidenti Meta dërgoi letër në Bruksel, Rama ‘i ashpër’ me të: Krizë e turpshme, u provokua nga Reforma në Drejtësi!

TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me letrën që kreu i shtetit, Ilir Meta i dërgoi një ditë pas manifestimit të 2 marsit Komisionerit të Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi. (Lexo këtu)

Me anë të një statusi në Twitter, kreu i qeverisë shkruan se kjo është hera e parë, që nga krijimi i BE-së, që një president i dërgon letër Europës për të penguar integrimin e vendit të tij. “Fajtor” për protestat e opozitës e manifestimet e presidentit, Rama bën Reformën në Drejtësi, e cila sipas tij ka provokuar kriza të turpshme. 

“Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe Presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit…Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin. Shqipëria mund ta marrë mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Europian,por ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh,as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi!”-shkruan Rama. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë, ditën e djeshme presidenti Meta publikoi vetë letrën që i kishte çuar Varhelyi-t, të cilin e paralajmëronte për thellimin e krizës politike duke theksuar se Shqipëria po kalonte një situatë të vështirë.

Në letër bie në sy edhe data e dërgimit, e cila është pikërisht një ditë pas manifestimit të organizuar nga Meta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pikërisht në këtë manifestim, Meta paralajmëroi maxhorancën se ka kohë deri më 15 mars që të kalojë Reformën Zgjedhore, ndryshe ai do të shkojë në Kuvend dhe do të firmosë dekretin për shpërndarjen e tij. 

(k.m/dosja.al)

Shto Koment