Kulture

Edhe emri i tij në peticion, flet parodisti i Vlorës: Teatri është i konsumuar, i lodhur. Trualli për mua s’ka rëndësi, le ta bëjnë…

I çuditshëm në këtë mes, është fakti, se disa prej artistëve, në emër të të cilëve parashtrohen disa kërkesa lidhur me këtë çështje,nuk kanë asnjë dijeni për peticionin. Ndër ta, është edhe aktori Afrim Agalliu, një nga Parodistët e Vlorës.
Featured image of article: Edhe emri i tij në peticion, flet parodisti i Vlorës: Teatri është i konsumuar, i lodhur. Trualli për mua s’ka rëndësi, le ta bëjnë… Afrim Agalliu

Një peticion i ri drejtuar Presidentit, Kryeministrit si dhe krerëve të partive opozitare, bëhet duke kërkuar një godinë të re, domosdoshmërish në traullin aktual të Teatrit Kombëtar.

I çuditshëm në këtë mes, është fakti, se disa prej artistëve, në emër të të cilëve parashtrohen disa kërkesa lidhur me këtë çështje,nuk kanë asnjë dijeni për peticionin. Ndër ta, është edhe aktori Afrim Agalliu, një nga Parodistët e Vlorës.

Por kjo nuk është një parodi, dhe e gjitha ndodhi dje, një ditë pas vendimit të beftë të Këshillit Bashkiak, ku kërkohet shembja e teatrit. Aktori vlonjat, nuk ka asnjë informacion për peticionin, ndonëse pohon se për çështjen e Teatrit, kanë diskutuar 2 vite më parë. Sigurisht, për të që ka parë degradimin e godinës aktuale, kur pyetet, nëse duhet të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar, qoftë për trupën e Tiranës, ashtu edhe për kombin, do të thotë: Po! Mirëpo ndryshe nga ç’kërkon peticioni, ku theksohet në mënyrë të prerë e pa lënë shteg diskutimi, se teatri duhet të jetë në kompleksin aktual, për Agalliun, i rëndësishëm nuk është trualli, por ekzistenca e një teatri të denjë me parametra evropiane. “Trualli fare s’ka rëndësi. Duan ta bëjnë në një vend tjetër, le ta bëjnë në një vend tjetër e ta ruajnë atë godinë”, thotë parodisti për “Panoramën”.

Zoti Agalliu, ditën e djeshme në medie është publkuar një peticion, në lidhje me kërkesën e disa artistëve, drejtuar Presidenit, Kryeministrit si dhe krerëve të partive opozitare, ku kërkohet një godinë e re Teatri, pikërisht në kompleksin aktual, pra rrjedhimisht, të shembet objekti ekzistues. Aty listohet edhe emri juaj. Keni dijeni për këtë?

Unë nuk di se ç’është ky peticion. Por, para dy vjetësh që ne kemi trajtuar këtë problem në institucionin tonë, në teatër, kemi qenë dakord për të ndërtuar një teatër të ri modern me përmasat e teatrove evropian. Kjo, sepse në këndvështrimin tonë, ai teatër na është dukur i lodhur, i konsumuar etj. Kështu që, është kjo ide, e cila ka ekzistuar që atëherë, kur ne e kemi dhënë mendimin. Unë dhe shumë kolegë të tjerë. Nuk e di se sa janë në këtë peticion, por secili ka mendimin e vet.

Ky është një mendim që ka ekzistuar dhe për mendimin tim unë them që të bëhet një teatër i ri në këtë prizëm. Por me çfarë po shikoj unë kjo ka marrë drejtim politik, dhe mua s’më interson fare, s’jam i politizuar. Unë jam një artist, e nuk dua të pleksem fare me këto, sepse kështu e mendoj. Nuk kam lidhje me politizimin. Ata që duan, që ta mbajnë atë ndërtesë ashtu siç është, është puna e tyre, prapë nuk i gjykoj, sepse ata janë artistë dhe e kanë shtëpinë e tyre. Unë gjykoj, prej këtej nga larg, nga Vlora.

Në këtë peticion, siç ju përmenda, thuhet se Teatri i ri duhet të jetë pikërisht aty ku është godina aktuale. Ndërkohë janë rreth 136 artistë të tjerë që kërkojnë një teatër të ri, por jo në atë godinë…

Është mendimi i tyre. Kjo pastaj, kërkon të diskutohet. Të mblidhemi, ta diskutojmë më gjerë e gjatë, e mandej ta vendosin. S’ka asgjë të keqe. Unë jam i këtij mendimi, që ai për mua është i konsumuar, i lodhur… dhe aty mund të bëhet një teatër modern shumë i mirë. Aq, më tepër që tani nuk janë sipërmarrjet private që të abuzojnë.

Zoti, Agalliu, shembja e godinës kërkohet në zbatim të Ligjit Special, pra sipërmarrjet private, janë ende në lojë…

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

S’më intereson fare kjo pikë. Dhe kur diskutohej, jo privat, jo shtet, mua s’më interesonte. Për mua e rëndësishme është që të jetë një teatër modern, me të gjitha parametrat, siç ka Europa.

Europa, ka edhe teatro të vjetër qindra, apo mijëra vjeçarë, të ruajtur qoftë si muze apo ende funksionalë…

Nëse e shohin të arsyeshme, që ky teatër të bëhet në një vend tjetër dhe ky të ruhet. Le ta bëjnë edhe kështu. Ç’rëndësi ka.

Për ju nuk ka rëndësi trualli, se ku ndërtohet, se peticioni i bërë edhe në emrin tuaj, thoshte “domosdoshmërisht” aty?

Jo, nuk ka rëndësi. Unë kam ardhur e kam parë teatrin, dhe duke pasur parasysh amortizimin aty, mu duk e drejtë që të bëhej një teatër i ri. Pastaj trualli s’ka rëndësi fare. Duan ta bëjnë në një vend tjetër, le ta bëjnë në një vend tjetër e ta ruajnë atë godinë. Ato janë punët e tyre, s’më takojnë mua. Unë flas në parim, s’kam punë me këto, e s’dua të përfshihem në këto ndasitë politike që janë evidentuar shumë.

Duke qenë se ju keni marrë përsipër të jepni një mendim, me siguri që keni dëgjuar edhe zërin e specialistëve. Janë mbi 80 arkitektë, inxhinierë, studiues, specialistë të trashëgimisë, organizata ndërkombëtare, që thonë se ky teatër mund të restaurohet dhe të ketë një qasje moderne…

Atëherë si ta shohin më të drejtë, më të arsyeshme. Le ta bëjnë si të duan. Unë një mendim kam dhënë dhe nuk varet nga unë absolutisht.

Marrë nga Panorama 

Shto Koment