Blog

E vërteta e hidhur që maskon ulja fiktive e papunësisë

Por a është ekonomia duke përjetuar boom punësimi ashtu siç sugjerojnë në pamje të parë shifrat e INSTAT? Përgjigja është jo. Përkundrazi, Shqipëria ka hyrë në një krizë të paprecedentë punësimi.
Featured image of article: E vërteta e hidhur që maskon ulja fiktive e papunësisë Klodian Tomorri, gazetar

TIRANË- Instituti i Statistikave raportoi se papunësia në Shqipëri shënoi në tremujorin e dytë të vitit nivelin më të ulët historik duke zbritur në 11.5 për qind. Sipas INSTAT, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar papunësia në vend ka rënë me gati 1 pikë të plotë përqindje, ndërsa numri i të punësuarve është rritur me 3.4 për qind.

Por a është ekonomia duke përjetuar boom punësimi ashtu siç sugjerojnë në pamje të parë shifrat e INSTAT? Përgjigja është jo. Përkundrazi, Shqipëria ka hyrë në një krizë të paprecedentë punësimi.

INSTAT përdor dy burime për të matur indikatorët e tregut të punës. Burimi i parë është Anketa e Forcave të Punës. Kjo anketë realizohet përmes një sondazhi që kryhet në rreth 8 mijë familje në shkallë vendi. Përgjigjet e marra nga ky kampion familjesh përgjithësohen në shkallë vendi dhe më pas INSTAT përllogarit shkallën e papunësisë dhe atë të punësimit në ekonominë kombëtare. Kjo është anketa, nga e cila nxirret dhe shkalla zyrtare e papunësisë.

Por veç anketës, ka dhe një burim të dytë për matjen e numrit të punësuarve. Ai është treguesi që del nga të dhënat administrative. Çdo tremujor Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore raportojnë tek INSTAT numrin e të punësuarve të regjistruar që paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore. Për shkak se nuk ka asnjë biznes, që të dorëzojë listëpagesa fiktive dhe të paguajë taksa për punonjës që nuk ekzistojnë, burimi administrativ është e dhëna më e besueshme dhe më e sigurtë e tregut të punës. Veçanërisht nëse pastrohet nga të punësuarit në fshat të sektorit bujqësore, të cilët për shkak se nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat nuk figurojnë në listëpagesat e tatimeve.

Por çfarë ka ndodhur numrin e të punësuarve në vend? Në harkun kohor qershor 2018- qershor 2019 numri i të punësuarve nga bizneset private jo bujqësore u rrit me vetëm 5 mijë vetë. Pra nga 504 mijë vetë që ishte në qershor 2018, shifra e të punësuarve në qershorin e këtij viti arriti në 509 mijë vetë. Ndërsa krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, numri i të punësuarve nga bizneset private jo bujqësore u rrit me vetëm 1 mije vetë.

Kjo është një nga rritjet më të ulëta të punësimit në histori. Në harkun kohor të dy viteve parardhës, pra në periudhën qershor 2016-qershor 2017 dhe atë qershor 2017-qershor 2018 numri i të punësuarve në ekonominë shqiptare sipas burimit administrativ është rritur respektivisht me 69 mijë dhe 35 mijë vetë.

Sipas INSTAT, në një vit forca e punës në shkallë kombëtare rritet mesatarisht me 30 deri në 35 mijë vetë për shkak të të rinjve që mbushin për herë të parë moshën e punës. Nëse përgjatë të njëjtës periudhë kohore, bizneset private shtojnë vetëm 5 mijë vende të reja pune, atëherë pjesa tjetër e të rinjve që hyjnë për herë të parë në forcën e punës, i shtohen armatës së të papunëve në vend. Edhe pse në vitet e para kjo rritje reale e numrit të të papunëve mund të mos shfaqet në shifrën zyrtare të papunësisë që kap Anketa e Forcave të Punës, ajo është aty.

Prej gati një vit e gjysmë ekonomia shqiptare nuk po prodhon më vende të reja pune. Një pjesë e ngadalësimit dramtik në rritjen e të punësuarve në vend mund të jetë e lidhur me mbylljen e lojrave të fatit. Por edhe nësë përllogaritet ky efekt sërish rritja e punësimit mbetet ndër më të ulëtat në histori, duke reflektuar ndoshta edhe ngadalësimin e rritjes ekonomike veçanërisht në gjysmën e parë të këtij viti. Dhe pavarësisht se Anketa e Forcave të Punës raporton uljen e papunësisë në nivelin më të ulët historik, ky është vetëm një mirazh. E vërteta është se bizneset nuk po shtojnë më vende të reja pune dhe ky është një problem, jo i vogël për ekonominë.

Shto Koment