Blog

E thatë, e dogjët, e ngritë, e varrosët të gjallë, pse e urreni kaq shumë Valbonën?

Të merr të qarët kur shikon këtë bukuri, që nusëron në të bardha e s’ka kush ta shijojë. Të vjen të ulërish kur shikon se si ndryshon kryekëput situata, sapo kalon kufirin e hidhesh në Kosovë, ku Rugova është plot dhe nuk ka asnjë dhomë të lirë deri me 31 janar, ku dy flokë bore të bien nga qielli, vjen autokolona me borëpastruese, ku llamburisin dritat e gumëzhijnë turistët.
Featured image of article: E thatë, e dogjët, e ngritë, e varrosët të gjallë, pse e urreni kaq shumë Valbonën? Valbone

Nga Flora Xhemani Baba

VALBONA ka tri javë pa drita!

E morët vesh o shtet? O gazetarë? O media që mbushni portalet me telenovela? Valbona, destinacioni më i bukur dimëror i Shqipërisë, qyshse ra bora e parë, i ndërpreu lidhjet me civilizimin dhe po jeton nën pushtetin e akullit, pa drita dhe pa ngrohje.  Rrugët e Valbonës janë të shkreta, sepse turistët shohin që s’ka energji dhe kthehen mbrapsht ose nuk nisen fare.

Banorët e Valbonës janë strukur në shtëpitë e kullat e tyre, duke e ngrohur shpirtin e kallkanosur pranë zjarrit, njëjtë si një shekull më parë, kur për ta nuk ekzistonte elektriciteiti.

Çdo vit e njëjta histori; vjen bora ikin dritat, si armiq të përjetshëm, që s’duan t’ia shohin fytyrën njëri-tjetrit.  Sa kohë u dashka të rregullohet një defekt teknik? Të ndërrohet një transformator? Të shtrohen ca metra kabllo? Sa energji duhet për të ndriçuar Valbonën? Me siguri jo më shumë se sheshi “Skënderbej” për festa. Po pse pra, pse lihet një krahinë e tërë në terr, sikur të ishte përzënë edhe njëherë marsh me shqelma për në mesjetë?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Të merr të qarët kur shikon këtë bukuri, që nusëron në të bardha e s’ka kush ta shijojë. Të vjen të ulërish kur shikon se si ndryshon kryekëput situata, sapo kalon kufirin e hidhesh në Kosovë, ku Rugova është plot dhe nuk ka asnjë dhomë të lirë deri me 31 janar, ku dy flokë bore të bien nga qielli, vjen autokolona me borëpastruese, ku llamburisin dritat e gumëzhijnë turistët.

Shteti përballë Valbonës duket në rastin më të mirë, si ai prindi i papërgjegjshëm e pijanec, që rrogën e bën rrush e kumbulla dhe kalamajtë i ka lënë rrugëve të zbathur e të uritur dhe në rastin më të keq, si një tufë hienash që i janë sulur drenushës së bukur, jo aq për ta ngrënë, më shumë sesa për ta shqyer se u verbohen sytë prej hireve të saj.

Ia thatë damarët, ia shëmtuat fytyrën, ia shqyet gjoksin, e latë zbathur në errësirë e në të ftohtë dhe nuk do ngopeni derisa ta shinni të japë shpirt në këmbët tuaja., atë, shtojzovallen e Alpeve, që duhet të ishte diamanti më vezullues i turizmit që e keni prioritet.

Pse e urreni kaq shumë Valbonën?

Shto Koment