Opinione

E ‘ngriu’ nga PS, a do ta lërë kryeministri Shkodrën në duart e Valdrin Pjetrit?

A do të heqë vetë dorë Valdrin Pjetri nga drejtimi i Bashkisë së Shkodrës? Apo Pjetri do të largohet nga vetë Rama, i cili vetë e propozoi pas shkrirjes së Zyrës së Hipotekave, ku Pjetri mbante pozicionin e kryeregjistruesit?
Featured image of article: E ‘ngriu’ nga PS, a do ta lërë kryeministri Shkodrën në duart e Valdrin Pjetrit? Valdrin Pjetri dhe Edi Rama

TIRANË– Ditën e sotme Partia Demokratike publikoi dokumentin ku sipas të cilit kandidati i PS-së për Bashkinë Shkodër, Valdin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje dhe trafik droge.

Pak pas deklaratës për shtyp të PD-së, një reagim erdhi edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, njëherasi kryeministri Edi Rama. Ky i fundit pezulloi nga strukturat e PS-së, kandidatin për Bashkinë Shkodër, deri në momentin kur Prokuroria e Përgjithshme të sqarojë rastin.

Por përse Rama duhet të priste deri në publikimin e dokumenteve nga PD-ja për pezullimin e Pjetrit?

Përse nuk kërkoi vetë lidhur mbi të shkuarën e personit që i besoi marrjen e bastionit të PD-së, pikërisht para momentit kur më 1 qershor e thirri në zyrë dhe i komunikoi vendimin?

Me pezullimin e tij, Rama ka “ngrirë” Pjetrin nga strukturat e PS-së por ende ka lënë pa sqaruar se ç’do të bëhet me Bashkinë e Shkodrës.

A do të heqë vetë dorë Valdrin Pjetri nga drejtimi i Bashkisë së Shkodrës? Apo Pjetri do të largohet nga vetë Rama, i cili e propozoi pasi shkrirjes së Zyrës së Hipotekave, ku edhe mbante pozicionin e kryeregjistruesit?

Ky i fundit vetëm pak ditë më parë mohoi publikisht të gjitha akzuat e opozitës, duke publikuar një dokument që sipas tij tregonte se nuk kishte asnjë llogari të hapur me drejtësinë italiane.

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet lidhur me rastin e Pjetrit dhe pritet përfundimi i hetimeve për të vërtetuar pastërtinë e figurës së socialistit.

Ndërkohë ligji i dekriminalizimit e thotë qartë, kush gënjen ikën. Nëse dokumentat e PD-së janë të vërteta, Valdrini do të duhet të braktisë 10.33% të qytetarëve të Shkodrës që votuan për të, duke iu nënshtruar menjëherë proceset ligjore me Prokurorinë dhe Gjykatën.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rinisë puna për zëvëndësimin e kandidatit të PS-së në Shkodër ashtu siç edhe është parashikuar në nenin 10:

Veprimet e organeve kompetente kur verifikohen kushtet e ndalimit:

1. Kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, në përputhje me këtë ligj,
KQZ-ja kryen veprimet e mëposhtme:
a) refuzon kandidaturën e personit, kur kushtet verifikohen para procesit të pranimit të
kandidaturave, dhe i kërkon subjektit zgjedhor të interesuar të zëvendësojë kandidaturën
brenda afatit të parashikuar për dorëzimin e kandidaturave;
b) heq kandidatin nga kandidimi kur kushtet verifikohen para shtypjes së fletëve të votimit pa të drejtë zëvendësimi për rastin e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore apo për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e njësisë së qeverisjes
vendore;
c) kur kushtet e moskandidimit verifikohen pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para shpalljes së rezultateve:
i) shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse kur verifikohen
kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje të personit që ka të drejtën e mandatit të kryetarit
të njësisë së qeverisjes vendore, mbi bazën e votave të marra;
ii) shpall rezultatin për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, sipas këtij neni, për një kandidat që nuk është fitues, dhe
shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;
iii) përjashton nga përllogaritja e mandateve kandidatin e propozuar nga zgjedhësit për këshilltar në këshillin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe përllogarit mandatet, duke përjashtuar votat e marra prej tij;
iv) shpall fitues nga lista shumemërore kandidatin vijues në renditje dhe në përputhje me kuotën gjinore, si dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;

Ashtu siç kryeministri e përsërit gjithmonë, politika është një lojë shahu. Mirëpo kësaj herë është Rama ai që është kapur mat.

Lulzim Basha, lojtari më i dobët sipas kryeministrit, ka fituar me dy lëvizje. E para, rikujton kauzën e PD-së për dekriminalizimin, në një kohë që opozitës i duhet një motor i fortë i ndezur për shtatorin, kur ka mbetur pa asnjë bashki dhe pa asnjë përfaqësi në Kuvend.

E dyta, ndofta më e rëndësishmja, arrin të sensibilizojë ndërkombëtarët se PS dhe Rama nuk kanë vullnet për të zbatuar reformat që votojnë vetë, si dekriminalizimi. Duke mbjellë kështu një farë dyshimi edhe për reformën në Drejtësi.

Megjithatë si një lojtar i vjetër shahu, Rama ka deklaruar gjithmonë se ndodhet tre hapa përpara kundërshtarëve politikë. Presim prej tyre lëvizjet e radhës…

(dosja.al)

Shto Koment