
LEZHË– Një 32-vjeçar me dy emra është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi ishte shpallur në kërkim nga Italia. Për shqiptarin Patrick (Edmir) Shyti (Paloka), Gjykata e Monzës në Itali kishte kërkuar 8 vite burg, pasi akuzohej për ‘pastrimin e produkteve të veprës penale’. 32-vjeçari është prangosur ditën e sotme me qëllim ekstradimi në Itali.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Kapet dhe ndalohet një 32-vjeçar i dënuar me 8 vite burg, me qëllim ekstradimi në Itali.
Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Interpol Tirana, nga shërbimet e Policisë Rrugore në DVP Lezhë është bërë lokalizimi, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit shqiptar:
Patrick (Edmir) Shyti (Paloka), 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi Gjykata e Monza-s, Itali, në maj 2019, e ka dënuar me 8 vite burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
(k.m/dosja.al)