Sociale

“E drejta e cunguar e tubimit”, aktivisti gjobitet nga Bashkia Tiranë

Zënia e hapësirave publike është një nga 83 veprimet e paligjshme të miratuara nga Bashkia Tiranë në një vendim që hasi kundërshtimin e organizatave të Shoqërisë Civile, duke paralajmëruar cënim të të drejtës së tubimit.
Featured image of article: “E drejta e cunguar e tubimit”, aktivisti gjobitet nga Bashkia Tiranë Protestë në Tiranë

TIRANË– Me datë 25 qershor 2019, Organizata Politike mbajti një tubim paqësor në Tiranë, në zonën e njohur si “Ushtari i Panjohur”. Gjatë tubimit aktivistët shfaqën kundërshtitë e tyre rreth krizës që po kalon situata politike në Shqipëri.

Në parullat kryesore të varura në dy pemë pranë vendit ku zhvillohej tubimi, shprehej  kundërshtia ndaj sistemit dhe figurave politike të partive të kryesore në Shqipëri: “Arditin e vrau pronari dhe kryetari”, “Punë, Pagë dhe Perspektivë” dhe “Kjo nuk është lufta jonë”.

Nën moton e mësipërme, “Kjo  nuk është lufta jonë” aktivistët kanë zhvilluar takime informuese me qytetarë të ndryshëm, disa ditë para protestës duke i bërë me dije rreth tubimit që do zhvillohej dhe arsyes pse ajo po mbahej. Protesta ishte paqësore dhe zgjati rreth një orë.

Gjatë organizimit të protestës, Jani Marka, aktivist i Organizatës Politike dhe personi përgjegjës për mbarëvajtjen e protestës, u gjobit me një 20.000 lekë të reja nga Policia Bashkiake e Tiranës.

I pyetur nga Citizens Channel, aktivisti Jani Marka shpjegon se e gjithë procedura për marrjen e lejes dhe zhvillimin e protestës ishte bërë sipas rregullave të përcaktuara. Ai shton më tej se gjoba ndaj tij nuk u vendos nga Policia e Rendit, e cila është organi i përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimeve, por nga Policia Bashkiake.

“E vetmja fije ku mund të vareshin, ishin spangot ku ne si aktivistë të Organizatës Politike kishim varur, në dy pemë e një shtyllë, parrullat”, thotë aktivisti Marka.

Foto: Jani Marka, organizator i protestës dhe aktivist i Organizatës Politike

Gjoba me vlerën maksimale prej 20.000  lekësh të reja u vendos me arsyetimin se janë  zënë hapësirat publike pa miratimin e strukturave përgjegjëse.

Aktivisti pretendon se kjo masë është në kundërshtim me Nenin 7, pika 4 të Vendimit Nr. Të Këshillit Bashkiak të Tiranës, thuhet: “Ne rastin kur subjekti kundervajtjes rezulton, se eshte i padënuar administrativisht per shkeljen e konstatuar, atehere struktura konstatuese vepron duke vendosur fillimisht dënimin administrativ “Paralajmerimit me shkrim”.

Marka ka refuzuar ta firmosë gjobën e vendosur.

Zënia e hapësirave publike është një nga 83 veprimet e paligjshme të miratuara nga Bashkia Tiranë në një vendim që hasi kundërshtimin e organizatave të Shoqërisë Civile, duke paralajmëruar cënim të të drejtës së tubimit.

Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri i janë drejtuar me një letër të hapur Këshillit Bashkiak Tiranë dhe kanë kërkuar  të mos miratohen disa pika të projektvendimit siç është neni 12, pika 4/c ku nuk lejohën të vendosen tabela, pankarta dhe banderola pa leje. Deklarata e organizatave të shoqërisë civile pozicionohet qartazi kundra këtij projekvendimi: “Ne kundërshtojmë pikën c, pasi bie në kundërshtim dhe njëkohësisht cënon legjislacionin për tubimet si edhe lirinë e shprehjes. Mbajtja e banderolave, pankartave dhe tabelave përkohësisht, kur nuk shkakton shqetësime edhe pa marrë leje janë gjeste të mirëpranuara të kuadër të protestave paqësore edhe spontane“. Jani Marka shprehet se do ta ankimojë këtë vendim të padrejtë.

Marrë nga Citizens Channel

Shto Koment