Blog

E dashur për një natë, sa bukur kur dashuron, qoftë dhe ca orë..

Fati sigurisht ka projektuar tjetër gocë për mua,por më tregoi se do e kem si Irena,andaj na afroi bashkë për pak kohë. Që ëndërrat t’i kem për sy magjepsës e për flokë maramendës. Sa bukur kur dashuron! Qoftë dhe ca orë...
Featured image of article: E dashur për një natë, sa bukur kur dashuron, qoftë dhe ca orë.. Agim Xhafka

Isha në vit të dytë gjimnaz. Thuajse çdo të shtunë,te salla lart në katin e katërt, organizoheshin mbrëmje vallzimi. Kërcenim veç tango e ndonjë vals,por ndjeheshim të lumtur. Digjnim adrenalinë e na mbushej truri me plot pérfytyrime e ëndërra.
Në një nga këto festa më vjen pranë shoqja e klasës,Irena. Një gocë me flokë rica rica,si mulate dhe me sy bojëqielli. Më dukej shumë e bukur,kaq e bukur sa kur rrija pranë saj më lëvizte lykthi nën gushë. Edhe doja ta kapërdija pështymën,edhe nuk mundesha. Por shkonim shumë mirë bashkë,ndjeheshim mirë me njëri-tjetrin.
-Do vish të bëjmë një shëtitje,-më tha.-Mbrëmje e mërzitshme po më duket. Ikim?
Nuk ia bëra fjalën dysh. Rrëmbeva pullovrin dhe nuk arrita të ngrihem vetë,më kapi prej dore dhe gati më hoqi zvarrë.
Jashtë ishte një ngrohtësi maji që të çorodiste ndjenjat. Por mua m’u zu fryma nga vapa që më vinte nga brenda gjoksit. Akoma Irena nuk ma kishte hequr dorën. Ecnim fiks si të porsa fejuar. Nga që shtëpinë e kisha pranë shkollës më vinte pak zor kur më shihnin plakat tek sofatet e shtëpive. Më njihnin e nesër do ia broçkullisnin mamasë.
Kur dolëm në bulevard Irena ma lëshoi dorën.
-Do fle nga gjyshja sot,-më tha.
Dhe ia mbajti lart për nga Banka. Hymë te një rrugicë me ndriçim të dobët. Nata sapo kishte rënë. Ajo nxitonte dhe shihte tek çdo derë.
-Nuk po gjen shtëpinë e gjyshes?-e talla.
-Jo,jo,por po më pëlqen kjo shëtitje me ty. Kthehemi dhe njëherë në krye të rrugicës?
Nuk priti përgjigje. Atë natë i ramë disa herë poshtë e lart asaj rrugice me drita të dobëta.
Pas një ore më tha befas:
-Do shkoj te shtëpia ime,më shoqëron?
-Po.
U kthyem dhe ecëm sërish poshtë drejt stadiumit. Arritëm te shtëpia e saj. Ndaloi,më pa me dhembshuri,më fërkoi lehtë mjekrën e më puthi në faqe.
-Sa i mirë që je!
Kaq dhe iku. Mbylli derën. Ngela si kërcu e më pas shkunda trupin që më dukej si i ngrirë. Besoja se Irena ishte dashnorja ime. Doja t’ja thoja Cales këtë lajm të madh,por ai e kishte shtëpinë larg. Tek banesa ime nuk më shkohej andaj hyra në xhiron e bulevardit e më dukej sikur të gjithë e dinin se pata ca çastesh kisha zënë të dashur. M’u duk Korça qyteti më i bukur në botë. Atëhere e besova se Parisit i thoshin Korça e Madhe.
Kur vajta në shtëpi i gjeta top në gjumë. Kishte kaluar mesi i natës. U shtriva të flija,por veç përpëlitesha në divan. Vëllai hungëriu nga bezdia që po i jepte zhurma ime andaj mbylla sytë me zor. M’u duk sikur më erdhi Irena te koka e më urdhëroi:”Shpirt,tani gjumë,shpejt!”
Sa u zgjova,rrëmbeva një copë bukë,e spëkata me vaj e kripë dhe vrap në klasë,tek Irena. Sa hyra kuptova që isha i pari. Ndërkohë po dëgjoja në korridor zërin e saj dhe u fsheha pas derës që të bëja sikur e trembja. Ajo hyri bashkë me Olin. Dhe flisnin të dyja me zjarr:
-Nuk erdhi Klementi dje në vallzim?- e pyeste Oli.
-Jo,më gënjeu. Prita e prita pastaj mora Agimin dhe i shkova te shtëpia.
-Ti qenke i çmendur pas tij,moj korbë.
-E dua shumë,-fliste Irena. -Bile i shkova pesë herë pranë shtëpisë,por nuk guxova të trokisja. Më erdhi keq se lodha dhe Gimin.
Gati më ra dambllaja. Doja të dilja përballe e t’i bërtisja,por këmbët sikur më ishin salduar në dysheme. Fat që erdhën nxënësit e tjerë e kur klasa gati u mbush shtyva derën dhe po bëja sikur po fshija dërrasën e zezë. Pastaj u ula tek banka në fund,vetëm fare.
Edhe më qahej,edhe më qeshej,edhe …Nuk dija çfarë të bëja e si të sillesha me Irenën. Bota qenka e padrejtë,i thosha vetes. Mbrëmë me dashnore,sot fillikat,si xha Ndoni që s’ka fëmijë,i vdiq dhe e shoqja.
Në këtë tollovi më erdhi ndër mend ngushëllimi klasik,që i shkonte fiks episodit tim. Gjeta një patkua,tani kali më mungon. Ose humori i babait,antenë kemi,televizor do bleme ndonjë ditë.
Gjithsesi u ndjeva mirë për një natë. Jetova vet i dytë,me të dashur të bukur e të mençur. Fati sigurisht ka projektuar tjetër gocë për mua,por më tregoi se do e kem si Irena,andaj na afroi bashkë për pak kohë. Që ëndërrat t’i kem për sy magjepsës e për flokë maramendës. Sa bukur kur dashuron! Qoftë dhe ca orë…

Shto Koment