
KUKËS-Klubi i Kukësit pas postimit të Ylli Shametit ku konfirmonte largimin e tij, ka postuar një njoftim ku zyrtarizon largimin e mbrojtësit gjirokastrit.
Klubi i Kukësit i është drejtuar qendërmbrojtësi me vlerësim maksimal për sjelljen e tij prej profesionisti.
Në njoftimin e tyre, klubi lë edhe një derë e hapur për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen si pjesë e stafit të Kukësit.
Njoftim zyrtar!
Futboll Klub Kukësi falenderon Ylli Shametin për kontributin e dhënë me fanellën tonë.
Gjatë 6 viteve me skuadrën kuksiane, ku shumicën e kohës si kapiten, qendërmbrojtësi ka qenë një nga futbollistët më profesionist në historinë e Klubit, si brenda ashtu dhe jashtë fushës së blertë.
35-vjeçari me skuadrën tonë arriti të fitonte Titullin Kampion, 2 herë Kupën e Shqipërisë si dhe Superkupën.
Në arenën ndërkombëtare ka luajtur rol kyç, pasi ka ndihmuar ekipin në kualifikimet europiane.
Me klasin dhe karakterin e tij prej lideri, ai i ka dhënë gjithmonë motiv bashkëlojtarëve, duke e çuar ekipin drejt sukseseve.
‘Mbreti’ i topave në ajër, por edhe shpesh herë autor golash, gjirokastriti do të jetë gjithmonë në zemrat dhe mëndjet e kuksianëve.
Një profesionist si Ylli Shameti do ta ketë gjithmonë derën e Klubit hapur, edhe si pjesë e stafit teknik.
Ndërsa Shameti shkruan në rrjete sociale se dëshira e tij ishte që të mbyllte karrierën te Kukësi, megjithatë, arsyet të cilat do t’i tregojë koha e detyruan që të largohet. Ai nuk ka harruar pa falënderuar të gjithë ata me të cilët ka punuar gjatë kësaj kohe, si edhe tifozerinë verilindore.
(D.K/Dosja.al)