Aktualitet

Dy të rinj kapen brenda një shtëpie në Tiranë duke vjedhur. Akuzat që rëndojnë mbi ta

Policia në një njoftim për mediat bën me dije se ata akuzohen për disa vjedhje që kanë ndodhur në kohë të ndryshme.
Featured image of article: Dy të rinj kapen brenda një shtëpie në Tiranë duke vjedhur. Akuzat që rëndojnë mbi ta Foto ilustruese

TIRANË- Dy të rinj nga Fushë Kruja kanë rënë në prangat e Policisë sot, pasi akuzohen për disa vjedhje. Ata janë arrestuar brenda një shtëpie në Tiranë ku ishin futur për të grabitur. Të dy janë kapur në flagrancë nga policia dhe u janë gjetur në këto momente paratë e grabitura dhe sendet me të cilat kishin thyer derën.

Policia në një njoftim për mediat bën me dije se ata akuzohen për disa vjedhje që kanë ndodhur në kohë të ndryshme.

NJOFTIMI I PLOTË

Operacion policor i koduar “Jail” nga Komisariati i Policisë Nr.6, për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë. Parandalohet vjedhja e një banese ku autorët janë kapur dhe arrestuar në flagrancë në momentin e vjedhjes së banesës. Zbardhen dhe katër raste vjedhjesh të tjera të ndodhura më parë në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr.6, ku dyshohet se autorë janë shtetasit e arrestuar. Komisariati i Policisë Nr.6 në kuadër të operacionit policor të koduar “Jail”, arrestoi në flagrancë shtetasit: Xh. H., 22 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Krujë. B. Z., 22 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Krujë.

Këta shtetas janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga shërbimet e policisë të komisariatit Nr.6 në momentin që po tentonin të vidhnin banesën e shtetases E. B., në zonën e terminalit të autobusave të jugut. Në momentin e kapjes në flagrancë policia iu ka gjetur dhe sekuestruar një shumë lekësh të sapo vjedhura në banesë dhe sendet me të cilat bën thyerjen e banesës. Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezulton se këta shtetas janë autorë të dyshuar edhe të katër vjedhjeve të mëposhtme: Vjedhjes së banesës me qera të shtetases E. N., të ndodhur më datë 04.08.2019; Vjedhjes së ndodhur më datë 06.08.2019, ku shtetasit B. K., në rruga “Shaban Bardhoshi” i kanë vjedhur varësen e floririt; Vjedhjes së banesës së shtetasit B. Sh., të ndodhur më datë 18.08.2019; Vjedhjes së banesës të shtetasit H. P., të ndodhur më datë 05.07.2019.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale të “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 134 dhe 22 të Kodit Penal.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment