Editorial

Durim inteligjent

Edi Rama me idetë e tij të reja për porta që do t’i hapen Shqipërisë nga qielli e nga deti, ka gjetur formulën e marketingut për të mbushur njerëzit me iluzionin e një "fillimi të ri" në politikë, me atë të “politikanit të palodhur e punëtor”.
Featured image of article: Durim inteligjent

Në shumë biseda për të ardhmen e vendit dhe demokracinë e tij, papritmas dikush thotë fraza të tilla si: “Harrojeni, këta do të qeverisin edhe 20 vjet të tjerë”. Dhe pastaj e vazhdojnë frazën ” duhet të armatosemi me durim” ose dhe më keq akoma “duhet të përshtatemi, ose të ikim nga sytë këmbët se s’kemi ç’të bëjmë “. Unë kam nxjerr një përfundim tjetër: Nëse themi këto frazat më sipër, ky është përfundimi që regjimi kërkon të nxjerrim.

Unë refuzoj të pranoj që njerëz si unë, që luftojmë përditë për jetën tonë dhe të fëmijëve tanë të mos shohin më dritë në fund të tunelit. Unë nuk jam duke u dorëzuar, aspak, sepse kjo është ajo për të cilën pushteti ka nevojë. Megjithëse e di shumë mirë se betejat për të rimarrë demokracinë pluraliste do të jenë të vështira sepse tashmë pas një mandati të tretë, ne të gjithë do jemi më të prekur nga ky regjim autoritar: duke filluar nga mungesa e mundësive për vende pune; mungesa e reformave arsimore dhe shëndetësore, borxhet publike që do të duhet të paguajmë, koncensionet dhe PPP-të që po i marrin frymën buxhetit të shtetit, etj etj.

Edi Rama me idetë e tij të reja për porta që do t’i hapen Shqipërisë nga qielli e nga deti, ka gjetur formulën e marketingut për të mbushur njerëzit me iluzionin e një “fillimi të ri” në politikë, me atë të “politikanit të palodhur e punëtor”.

Të gjithë, mendoj se, jemi koshient se këto porta detare e ato qiellore drejt “parajsës” që na pret, nuk mund të bëhen nga buxheti i një shteti i cili nuk mundi të jepte as ndihmat më minimale për bizneset e prekura nga pandemia, por gjithmonë do të jenë në varësi të borxheve dhe lëmoshave të të pasurve arabë, erdoganistë apo të tjerë, të cilët asnjëherë nuk japin lëmoshë pa marrë diçka në shkëmbim.

Kjo qeveri është duke na gënjyer dhe nuk ka asgjë më të rrezikshme për një regjim populist sesa një brez i zhgënjyer.

Kështu që unë nuk e pranoj tezën e 20 viteve të tjerë që ky regjim do të na zgjasë, jo vetëm sepse atëherë ndoshta nuk do të isha më gjallë për të parë rilindjen e demokracisë, por sepse ky regjim që sot po feston tjetërsimin e vullnetit të popullit nuk është as më shumë e as më pak se një sistem klientelist dhe autoritar dhe si i tillë e ka të pamundur të parandalojë krizat shoqërore që gjenerojnë pakënaqësi dhe zhgënjim.

Dhe kur kjo së shpejti të ndodhë, opozita duhet të jetë e përgatitur dhe e gatshme për ta kthyer pakënaqësinë dhe zhgënjimin në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e popullit. Ne do të ishim njerëz pa vizion madje do të ishim frikacakë nëse nuk fillojmë të punojmë që sot, ditë e natë, në mënyrë që të krijojmë kushtet për të kthyer demokracinë pluraliste, me organe të pavarura dhe që duhet të jenë kundërpeshë të pushtetit ekzekutiv.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ne na duhet durim. Durimi që na duhet nuk është të durojmë për 20 vjet këtë qeveri autoritare dhe politikat e saj populiste. Ky nuk do të ishte durim, por dorëheqje dhe dorëzim. Na duhet durim për të rindërtuar opozitën, si në parti ashtu edhe në shoqërinë civile; për të fuqizuar udhëheqje të reja që janë gjithmonë të gatshme kur populizmi në pushtet ngatërrohet në improvizimet, kontradiktat dhe gënjeshtrat e tij.

Na duhet durim dhe mençuri. Mençuri dhe inteligjencë. Inteligjencë dhe organizim. Organizim, afërsi dhe ndjeshmëri me njerëzit dhe për njerëzit. Ndjeshmëri dhe aftësi për të komunikuar. Të gjitha këto dhe lidership. Lidership lokal. Lidership sektorial. Lidership kombëtar.

Sot ne mund t’i vërsulemi Lulzim Bashës e ta akzuojmë si të vetmin fajtor të asaj që ndodhi por, nga kjo nuk fitojmë asgjë. Në radhët e Partisë Demokratike, padurimi për të gjetur fajtorin u shfaq edhe tek ata që deri tani janë dukur si më të duruarit si Nishani, Ristani, Imami etj, ish drejtuesit e partisë, që vetë nuk mundën në asnjë moment të fitonin ndonjë betejë, u lëshuan të linçojnë Lulëzim Bashën pa pritur që KQZ të thotë fjalën e fundit në lidhje me zgjedhjet, madje ndonjëri doli dhe kandidati rival si Maqo Lakrori përballë Fatos Nanos.

Unë nuk jam pro qëndrimit të Lulëzim Bashës në krye të PD-së, por mendoj se i duhet dhënë koha, atij që drejtoi fushatën më të civilizuar të 30 vjetëve demokraci, që edhe dorëheqjen e tij (nëse do ketë të tillë) ta jap në mënyrë të civilizuar. Unë mendoj se nëse kjo parti ka nevojë të vazhdojë të jetojë, duhet që proceset ti zhvillojë me inteligjencë dhe qetësi e jo me presione.

Sot, detyra e opozitës është të krijojë kundërpeshën e pushtetit, sepse nga sot ne ndodhemi përballë një qeverie e cila në mandatin e kaluar (me ndihmën e braktisjes që opozita i bëri parlamentit) arriti të heq kundërpeshat e pushteteve duke i kaluar të gjitha në dorën e saj. Opozita ka një detyrë të vështirë por jo të pamundur. Ajo duhet të mbrojë qytetarin dhe biznesin të cilët shumë shpejt do të bëhen shënjestra e sulmeve pushtetare, presioneve dhe zhvatjeve politike në stilin alla Bollino.

Përballë kësaj makinerie vjedhjeje dhe korrupsioni duhet strategji dhe durim inteligjent.
Në këtë durim inteligjent secili nga ne ka një rol. Jemi një armatë e tërë me profesionistë, akademikë, sipërmarrës, luftëtarë të çështjeve sociale, qytetarë të thjeshtë të mençur e të mbushur me dituri praktike etj etj.

Nuk është e thënë që të jemi protagonistë, apo domosdoshmërisht udhëheqës, por secili nga ne mund të kontribuojnë me mençurinë e tij lëvizjet opozitare. Ne e dimë vlerën e durimit, të unitetit, të tolerancës, të pluralizmit. Ne e mësuam vlerën e këtyre parimeve gjatë përpjekjeve dhe gabimeve tona. Të rinjtë e sotëm nuk ka pse të jenë të dënuar të paguajnë përsëri të njëjtat kosto që ne kemi 30 vjet që po i paguajmë./Dosja.al

Shto Koment