Aktualitet

‘Dua të shkoj në shkollë’, 6-vjeçari i shkruan Ramën: Jam mërzitur në shtëpi, më ka marrë malli për Ejonën, e kam shoqe në klase

Letra është shkruar nga 6-vjeçari Ilves Selimani, i cili si fëmijët e tjerë në vendin tonë qëndron në shtëpi, pasi si pasojë e koronavirusit shkollat janë mbyllur.
Featured image of article: ‘Dua të shkoj në shkollë’, 6-vjeçari i shkruan Ramën: Jam mërzitur në shtëpi, më ka marrë malli për Ejonën, e kam shoqe në klase Ilves Selmani dhe letra

TIRANË- “I dashur xhaxhi kryeministër, Edi Rama. Unë që po të shkruaj këtë letër jam Ilves Selmani. Unë jam në klasën e parë, në shkollën “17 Shkurti”- Qesarak, Tiranë. Prej një muaji unë jam në karantinë dhe i kam zbatuar të gjitha këshillat që keni dhënë ju dhe doktorët. Edhe detyrat që m’i ka dhënë mësuesja nga telefoni i mamit i kam bërë përditë. Por unë dua të di nga ty xhaxhi Edi, kur do të mbarojë kjo situatë? Mezi pres të festoj “Festën e Abetares” , pasi festat e nëntorit nuk i festova për shkak të tërmetit. Të përqafoj nga larg”.

Kjo letër është shkruar nga 6-vjeçari Ilves Selimani, i cili si fëmijët e tjerë në vendin tonë qëndron në shtëpi, pasi si pasojë e koronavirusit shkollat janë mbyllur. Ilves dhe babai i tij Rigers, ishin të futar me anë të një lidhjeje në “Skype”, në emisionin “Shqipëria Live”. Ilves u shpreh se i mungon shkolla, mësuesja dhe shokët e shoqet e klasës. Ndërsa tani është në pritje të përgjigjes së kryeministrit.

“Jam mërzitur në shtëpi. Luaj me lodrat e mia që kam, bëj detyrat, vizatoj, kërcej. Kërcej valle popullore edhe valle jugu. Unë dua të di kur do të hapen shkollat që të shkoj dhe të festoj festën e Abetares. Më ka marrë malli për mësuesen edhe shokët e shoqet e klasës. Më ka marrë malli për Ejonën, e kam shoqe në klasë. Kryeministri ende nuk më ka kthyer përgjigje. Kur fillon shkolla?!”, u shpreh vogëlushi.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë babai i 6-vjeçarit u shpreh se ai është një fëmijë lajkatar dhe shpesh i dedikon atij letra të këtilla. Këtë herë, thotë Rigers, kishte shkruar këtë letër dhe më tha ta botoja, pasi unë punoj gazetar. E botova më shumë që të shërbente në formën e një kujtimi por ajo u bë shumë virale, shprehet ai.

“Ishte e diel dhe duke parë që është bërë e përditshme, për të parë kryeministrin, Ilves kishte shkruar këtë letër. Por është fëmijë lajkatar, mua shpesh më dhuron letra. Kishte grisur një letër dhe kishte filluar të shkruante, dhe më tha postoje, sepse unë punoj gazetar. Ky është i apasionuar që kur të rritet të bëhet doktor, por edhe kërcen. Më shumë ate e hodha që ta ketë si kujtim, por u bë shumë virale. Unë ia kam shpjeguar se koronavirusi është një person i ligë. Ndërkohë, Ilves zbaton këshillat, më thotë laj duart sa herë që vij në shtëpi”, u shpreh Rigers.

(Marrë nga Top Channel)

Shto Koment