Blog

Dritëhijet e fjalimit të Bushatit, si një këmbanë për një parti që mund të shkojë për bronz

Pas muajve të lodhshëm për këtë të fundit me protestat e studentëve, artistëve, fermerëve, izolimin nga qeveritë e fuqishme perëndimore duket se ish-ministri i Jashtëm tashmë e ka mbështetur në cepin e ringut për t’i dhënë ish-shefit të tij goditjet e fundit.
Featured image of article: Dritëhijet e fjalimit të Bushatit, si një këmbanë për një parti që mund të shkojë për bronz Kryeministri Rama dhe Ditmir Bushati në parlament.

Duke dalë nga Parlamenti, unë jam i bindur se opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe kapitullimi, por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë. Kjo nuk mund të na bëjë ne të shpenzojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës“.

Në mesin e fjalimit të tij të djeshëm në Kuvend  teksa diskutohej ngritja e Komisionit të Posaçëm Zgjedhor, ish-ministri Ditmir Bushati ndërroi kursin e shigjetimit të tij nga opozita tek mazhoranca duke targetuar me mjaft finesë kryeministrin Rama.

Pas muajve të lodhshëm për këtë të fundit me protestat e studentëve, artistëve, fermerëve, izolimin nga qeveritë e fuqishme perëndimore duket se ish-ministri i Jashtëm tashmë e ka mbështetur në cepin e ringut për t’i dhënë ish-shefit të tij goditjet e fundit.

Pakënaqësitë e Bushatit sigurisht dolën mbi ujë pas shkarkimit të tij dhe zëvendësimit me Gent Cakaj, ndonëse ekzaktësisht me retorikën e një diplomati.

Por nën qerthullin e një situate të rrëmujshme politike, Ditmir Bushati nuk vonoi. Targetoi të gjithë klasën politike të 30 viteve, për t’u rikthyer tek aktualiteti politik, aty ku më së shumti po masin muskujt rilindasit dhe socialistët e dikurshëm:

Unë sot pyes, si ka mundësi Z. Ruçi, si kryetar i Kuvendit si politikan me eksperiencë, si ka mundësi Z. Ulqini, si ka mundësi Z. Majko e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë Parlament; përse kur grekët dhe maqedonasit e gjekan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi për të gjejmë gjuhën me njeri-tjetrin?

Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, ne jemi socialistë, demokratë, progresistë. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të mirë, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sallë“, u shpreh ai, në kërkim të një reagimi nga “socialistët e vjetër”.

Kjo pasi pakënaqësitë e Bushatit, sigurisht nuk janë vetëm të tijat. Shumë figura të njohura të PS-së kanë komentuar “nën zë” të gjithë sistemin e Ramës të katapultimit të drejtuesve pa background në PS.

“Rilindja” përcolli për në pensionin politik figura të njohura të PS-së së para 2013-s, por pak personalitete, ish ministra, ish-deputetë apo ish-drejtues të rëndësishëm të PS, patën reagime publike ndaj spostimit të tyre prej erës “Rilindja”.

E vetmja e cila prej kohësh deklaron publikisht se Edi Rama duhet të tërhiqet dhe të lërë Partinë Socialiste të rikthehet në identitetin e saj është Arta Dade.

Por me sa duket ligjërimi i djeshëm i Bushatit ka ndezur shkëndijat e para mes socialistëve.

Ish-zv.ministrja e Financave Irena Beqiraj në një status të sajin në FB shkruan: Fjalimi i Ditmir Bushatit sot në Parlament ishte një dritë per shpresën e ekzistencës së mendimit ndryshe, një thirrje për ti vendosur gishtin kokes. Asnjëherë nuk është vonë. Zgjohuni socialistë !

Me ç’duket në “rrugë” nuk është vetëm opozita, por dhe socialistët që nuk erdhën në pushtet me siglën e Rilindjes. Në Partinë Socialiste palët janë pozicionuar e sigurisht i pari në llogore duket Ditmir Bushati në dukje i përgatitur për betejën e ashpër, si ajo e “Plakut dhe detit” .

Por a do të mundte vallë Edi Rama të vononte në këtë përballje?!
I famshëm për shprehjen e tij që do çojë për skrap të gjithë kundërshtarët e tij, Rama për ish-vartësin e tij ka diçka tjetër në mendje: çuarjen për bronz, atje në qytetin e tij të lindjes, mes 5 Heronjve të Vigut të cilët shumë shpejt, sipas planeve të tij do të bëhen 6 .

Shto Koment