Editorial

Drama e 300 shqiptarëve në Kakavijë, të braktisur nga Qeveria, Opozita dhe Presidenti

Qeveria ua ka mohuar të drejtën Kushtetuese të hyjnë në atdhe, një rast i paprecedentë në botë. Ata flasin aty por askush nuk do t'ja dijë, as opozita që e kaloi këtë skandal me një deklaratë për të larë gojën.
Featured image of article: Drama e 300 shqiptarëve në Kakavijë, të braktisur nga Qeveria, Opozita dhe Presidenti

TIRANË- Prej 3 ditësh në doganën e Kakavijës po luhet drama e qindra shqiptarëve që atdheu u ka mbyllur derën. Nuk dihet pse, nuk dihet kush e vendos dhe çfarë e ka shtyrë ta vendosë, por pleq, gra dhe fëmijë janë aty në ditët e ftohta dhe me dëborë, nën kërcënimin e motit, gjobave nga grekët dhe braktisjes nga shqiptarët. Qeveria ua ka mohuar të drejtën Kushtetuese të hyjnë në atdhe, një rast i paprecedentë në botë. Ata flasin aty por askush nuk do t’ja dijë, as opozita që e kaloi këtë skandal me një deklaratë për të lare gojën. Kryeministri që justifikohet se nuk mund t’i sjellë të gjithë ata që duan të kthehen se Shqipëria është vend u varfër, çfarë kostoje ka të hapë kufirin për shqiptarët që kanë ardhur me shpenzimet e tyre? Kryeministri që ka bërë kampe për pritjen e emigrantëve dhe refugjatëve, çfarë kostoje ka nëse i lejon të kthehen të gjithë me shpenzimet e tyre? Nuk mund të bëjmë si SHBA dhe Italia që janë vende të pasura, justifikohet Rama, por Italia i ktheu të gjithë shtetasit e vetë nga Shqipëria me kushtin që ta paguanin vetë biletën. Të njëjtën gjë bëri edhe një shtet më i varfër se Shqipëria. Kosova ktheu qindra qytetarë nga Gjermania dhe Zvicra, mjafton që ta paguanin vetë biletën dhe të pranonin të futeshin në karantinën shtetërore për 2 javë.

Ndërsa Shqipëria, d.m.th Edi Rama në rolin e pronarit të Shqipërisë ndoqi rrugën unike që me paratë e shqiptarëve të sillte rreth 1000 qytetarë të mbetur jashtë, duke lënë mijëra të tjerë pa përgjigje. Solli 125 studentë nga Londra me “Air Albania”, pa paguar asnjë kosto. Bëhet fjalë për fëmijët e të pasurve që kanë mundësi të paguajnë shkollat e shtrenjta britanike. Por nuk është kjo pjesa më e rëndësishme, problemi është pse zgjodhi këtë mënyrë? Kush e vendosi që duhet të ktheheshin 125 nga Londra dhe jo 200? Sa ishte kostoja e kthimit të tyre edhe kush do ta paguajë? Kush e vendosi që do bëheshin 8 fluturime dhe jo më shumë? Pse nuk iu dha mundësia qytetarëve të mbetur jashtë të paguanin vetë udhëtimin që mund të sigurohet vetëm nga marrëveshjet qeveritare në këto ditë?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sepse sot shteti shqiptar është i është dorëzuar një njeriu që e përdor si të dëshirojë. Presidenti që premtoi se do të zgjidhte problemin, u soll si zëvendësministër i Jashtëm i komanduar dhe i la në mes të rrugës, në mëshirën e fatit, në tekat e Edi Ramës. Ndërsa shqiptarët luftojnë me urinë e sotme dhe me urinë e nesërme. Urinë e sotme sespe një pjesë po mbetet pa mundësi financiare për të jetuar në kushtet e izolimit total të gjithë botës, me urinë e nesërme sepse ata që dergjen të vuajtur në Kakavijë, duan t’i shpëtojnë bllokimit të hyrjes në BE për shkak të tejkalimit të afatit 90-ditor, gjobave 50 euro në ditë që do t’i ndjekin përjetësisht. Ata nuk mund të rrinë pa shkuar në BE, se qeveria këtu nuk krijon terren për punësim por vetëm për emigracion. Tani po ua mohon dhe emigrimin sezonal. Ashtu si ata janë 300 punëtorë sezonalë në Suedi, 130 në Kroaci dhe mijëra të tjerë nëpër Europë që ende nuk kanë mundur të komunikojnë me mediat.

Sot jemi duke parë live, të izoluar në shtëpitë tona, bashkëkombasit tanë të braktisur nga ne. Askush nuk është me ta, të gjithë kemi mbyllur dyert tona me çelës me shpresën e kotë se kështu do ta mbajmë larg të keqen.

Shto Koment