Politike

Mbërrin në Shqipëri ambasadorja Yuri Kim, nesër nis punën si shefe e re e diplomacisë amerikane (VIDEO)

Pas një qëndrimi të shkurtër në terminalin VIP nga ku u prit prej stafit të Ambasadës ajo është nisur drejt Tiranës, për të nisur të enjten ditën e parë të punës si ambasadore.
Featured image of article: Mbërrin në Shqipëri ambasadorja Yuri Kim, nesër nis punën si shefe e re e diplomacisë amerikane (VIDEO) Yuri Kim ambasadore e SHBA në Shqipëri

TIRANË- Trembëdhjetë ditë pasi bëri betimin në Departamentin Amerikan të Shtetit, mbërrin në Shqipëri shefja e re e diplomacisë së Washingtonit në Tiranë. Kjo video tregon momentin e ardhjes, të Yuri Kim ambasadore e SHBA, fiksuar ekskluzivisht, nga kamera e operatorit të Top Channel Endri Kurti.

Pas një qëndrimi të shkurtër në terminalin VIP nga ku u prit prej stafit të Ambasadës ajo është nisur drejt Tiranës, për të nisur të enjten ditën e parë të punës si ambasadore. Pas Mariza Linos dhe Marcie Ries ajo është e treta diplomate femër që do të drejtojë selinë e Uashingtonit në Rrugën e Elbasanit.

Youri Kim vjen në Tiranë pasi e nominuara Shtëpisë së Bardhë përpara saj Kathleen Kavalec, nuk mundi të merrte dritën jeshile nga senati si pasojë e një lobimi kundra saj për të cilin Fiona Hill ish këshilltare për sigurinë e presidentit Trump tha në kongresin amerikan ,se erdhi nga një parti politike në Shqipëri. Pasaardhsja e Donald Lu, zonja Youri Kim ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.Gazetari Top Channel Muhamed Veliu thotë se Ambasadorja Yuri Kim në tre vitet e ardhshme do të udhëheq prioritet e SHBA për Shqipërinë, duke nisur nga konsolidimi reformës në drejtësi me SPAK dhe BKH, vijimin e ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar, minimizimin e veprimeve të Iranit në vendin tonë, përfshi influencën ruse, pa harruar shqetësimin më të fundit amerikan, përpjekjet e Kinës në kontrollim e disa sektorëve strategjik në Shqipëri.

Marrë nga Top Channel

(a.m/dosja.al)

Shto Koment