Politike

“Nuk janë respektuar të drejtat e minoriteteve”, Vangjel Dule: Të bëhemi të bezdisshëm që qeveria të mbajë premtimet

Lideri i PBDNJ-së, Dule është shprehur se respektimi i minoriteteve është akoma një sfidë e pa përmbushur, duke përmendur këtu edhe problematikat e disa viteve më parë.
Featured image of article: “Nuk janë respektuar të drejtat e minoriteteve”, Vangjel Dule: Të bëhemi të bezdisshëm që qeveria të mbajë premtimet Vangjel Dule

TIRANË- Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ditën e sotme ka organizuar një takim në një tryezë të përbashkët, ku është folur për respektimin e të drejtave të minoriteteve. Në këtë takim kanë marrë pjesë jo vetëm aktorët politikë,  por edhe ata socialë, për të diskutuar mbi këtë çështje.

Lideri i PBDNJ-së, Dule është shprehur se respektimi i minoriteteve është akoma një sfidë e pa përmbushur, duke përmendur këtu edhe problematikat e disa viteve më parë.

“Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve është ‘litmus test’ është si letra e lakmuesit për lirinë dhe shtetin e së drejtës. Mund të kemi një shtet funksional, një parlament të zgjedhur me zgjedhje të lira, por nëse nuk kemi garantuar respektimin e të drejtave të minoriteteve ende do të jemi një sistem hibrid i cili nuk ka arritur atë që është thelbësore, barazinë. Garantimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të minoriteteve në hapësirën e Europës së sotme garantohet nga konventat. Strumbullari është konventa kuadër e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Ky dokument është ratifikuar nga vendi ynë në vitin 1999. Plot 21 vite. Ky është dokument kuadër dhe kërkon sanksionimin e aspekteve ligjore që ta bëjë të zbatueshëm. Prej vitesh kjo ka qenë kërkesa jonë. A mund të ecet ende me standarde të dyfishta? A mund të mendojmë se jemi luajalë ndaj frymës së konventave më frymën qeverisëse? Në asnjë rast nuk mund të ndodhë. Nuk mund të jemi në rolin e strucit modern duke futur kokën në rërë e duke bërë sikur të tjerët nuk e shohin realitetin tonë. Asnjë forcë politike, asnjë institucion. Mediat heshtin. Kur është ndonjë raport tjetër ndërkombëtar për fenomene të tjera politike vrapojnë, kur bëhet fjalë për raporte për shkeljet e të drejtave të minoriteteve, heshtin.”- ka thënë Dule.

Ndër të tjera, kreu PBDNJ-së ka theksuar se vendi nuk mund të integrohet pa respektuar si fillim të drejtat e minoriteteve, duke shtuar se antarësimi i Shqipërisë në BE, është shumë i vështirë pa respektimin e të drejtave të minoriteteve.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Jemi një vend që aspirojmë të jemi si të barabartë në familjen europiane. A mund të ndodhë kjo pa u europianizuar. Integrimi në BE do të thotë europianizim i vazhdueshëm në çdo fushë të jetës. Beteja jonë është një betejë komplekse, e vështirë. Ndërlikimi i situatës politike si aktualisht e bën dhe më të vështirë. Ne kemi aleatë kohën dhe durimin tonë. Respektimi i të drejtave të minoriteteve do të bëhet realitet se rrugë tjetër nuk ka. Në vitin 2017 me miratimin e ligjit problematik për ne u tha se deri në maj të vitit pasardhës do të ishin plotësuar të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave siç parashikohen në ligj. Ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Shikoni logjikën e cila nuk është e drejtpërdrejt, nuk është e sinqertë dhe as produktive. Pse u premtua maji i 2018 sepse prisnim çeljen e negociatave me BE. Pasi nuk po ndizej drita jeshile u neglizhuan këto aspekte. Nuk është çështje e vullnetit tonë por është diçka pa të cilën nuk bëhet për rrugën evropiane. Një shkallë që pa e ngjitur nuk mund të arrijmë në integrim.”- ka thënë Dule.

A.C;E.K/Dosja.al

Etiketa:

Shto Koment