Ekonomi

Raporti i plotë pas tërmetit, pasojat në ekonomi dhe në njerëz. A mund të ringrihet Shqipëria?

. Sipas raportit të përgatitur nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore, rezulton se tërmeti ka ndikuar jo pak në ekonomi, ku vetëm për vitin 2019, rritja ekonomike u ul me 05% nga parashikimi.
Featured image of article: Raporti i plotë pas tërmetit, pasojat në ekonomi dhe në njerëz. A mund të ringrihet Shqipëria? Foto ilustruese

TIRANË– Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi një dëm të konsiderueshëm për ekonominë shqiptare, duke u përllogaritur në 6.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërkohë që efekti i tij parashikohet të shtrihet shumë gjatë në kohë dhe e vetmja dritë jeshile mbeten donacionet e huaja. Sipas raportit të përgatitur nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore, rezulton se tërmeti ka ndikuar jo pak në ekonomi, ku vetëm për vitin 2019, rritja ekonomike u ul me 05% nga parashikimi, ndërsa pritet që rënie të ketë dhe për vitin 2020 dhe vitin 2021. Ndërsa nevojat më urgjente lindin për vitin e parë pas katastrofës, ku për programin e rindërtimit përllogaritet që vetëm për vitin 2020 duhen të paktën 544 milionë euro, ndërsa deri tani janë siguruar vetëm 164 milionë euro.

Ndikimi i tërmetit në makroekonomi

Porta Vendore ka siguruar raportin e plotë të përgatitur për pasojat e tërmetit, të cilin qeveria shqiptare do e paraqesë në konferencën e donatorëve më 17 shkurt, ku shpreson të mbledhë një fond sa më të lartë për programin e rindërtimit. Sipas këtij raporti, tërmeti vlerësohet të ketë shkaktuar efekte që janë ekuivalente me 6.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në dëme dhe në 1.1% të PBB-së në humbje. “Dëmet arrijnë në 26.4% të formimit të kapitalit fiks bruto që tregon një aftësi të kufizuar të Shqipërisë për të arritur rikonstruksion të plotë brenda një afati të shkurtër dhe të mesëm. Për sa i përket humbjeve, sektorët ekonomikë më të goditur ishin turizmi dhe pasuritë e paluajtshme, por dëme të konsiderueshme u shkaktuan gjithashtu në arsim, shëndetësi, infrastrukturë publike, prodhim dhe tregti dhe bujqësi”, deklarohet në raport.

Por si ka ndikuar në shifra tërmeti?

Pas një rritjeje prej 4.1% të PBB-së në vitin 2018, rritja vjetore ishte parashikuar të ngadalësonte në 2.9% në vitin 2019. Një rënie drastike e reshjeve në gjysmën e parë të vitit shkurtoi prodhimin e energjisë hidroelektrike në gjysmë dhe vlerësohet se uli rritjen e PBB-së. Me gjithë tensionet në rritje politike, zgjerimi i kërkesës së brendshme çoi në rritje të PBB-së në vitin 2019. Megjithatë, në raport cilësohet se si rezultat i tërmetit, rritja reale e PBB-së gjatë vitit 2019 dhe 2020 vlerësohet të jetë më e ulët me efektet e humbjes së kapacitetit që kufizojnë rritjen gjatë periudhës afatmesme. “Ekonomia shqiptare parashikohej të rritej me rreth 2.9% në vitin 2019, dhe 3.5% në vitin 2020 nga një bazë fillestare para tërmetit. Por pas tërmetit, ka pasur një frenim, ku vihet re se rritja ekonomike për vitin 2019 ishte 2.4%, pra 0.5 për qind më pak se parashikimi dhe 3.2 për qind për vitin 2020, ose 0.3 për qind më pak”, thuhet në raportin e dorëzuar për konferencën e donatorëve. Në terma nominalë, PBB-ja në vitin 2020 vlerësohet të jetë më e ulët me rreth 98 milionë Euro (12.06 miliardë lekë).

Po ashtu, në analizën e ekspertëve shpjegohet se tërmeti gjithashtu pritet të sjellë tendosje të mëtejshme në financat publike: ku deficiti fiskal vlerësohet të jetë më i lartë, pikërisht 0.7 për qind të PBB-së. Deficiti tregtar dhe deficiti i llogarisë rrjedhëse (CAD) pritet të përkeqësohen gjithashtu. CAD pritet të zgjerohet me rreth 0.2% të PBB-së, duke u rritur nga një parashikim fillestar para-tërmeti prej 7.1% në 7.3% të PBB-së në vitin 2020.

Ndikimi i tërmetit në PBB

Nga analizimi i dëmeve dhe humbjeve të shkaktuara nga tërmeti rezulton se turizmi dhe aktivitetet e pasurive të patundshme kanë qenë më të goditurat nga tërmeti. Po ashtu, dëme të mëdha janë shkaktuar në arsim, shëndetësi, prodhim dhe tregti. Nga ana tjetër, përpjekjet e rindërtimit dhe rimëkëmbjes pritet të kompensojnë pjesërisht efektin negativ në aktivitetin ekonomik përmes një rritje më të shpejtë të sektorit të ndërtimit dhe në një masë më të vogël, tregtisë dhe aktiviteteve profesionale. Vlerësimi i ndikimit të rritjes së PBB-së bazohet në humbjet e vlerësuara të prodhimit në nivel sektori, duke zënë fitime më të vogla ekonomike të sektorëve të tjerë.

Nga ana tjetër, riparimi i dëmit dhe rindërtimi, sipas raportit për tërmetin, ndoshta do të çojnë në një rritje më të lartë të investimeve sesa parashikohej më parë. “Nëse rindërtimi dhe investimet do të vazhdonin më shpejt me një mbështetje më të madhe nga donatorët, rënia e PBB-së mund të ishte më e vogël. Tërmeti pritet të mos ketë ndikim të rëndësishëm në inflacionin duke marrë parasysh inflacionin e ulët aktual në Shqipëri dhe në partnerët e tij tregtarë”, deklarohet në raport.

Dëmet sipas sektorëve

Tërmeti ka shkaktuar humbje të konsiderueshme ekonomike në disa sektorë kryesorë, veçanërisht në banesa dhe ndërtesa të tjera, akomodim dhe ushqim (turizëm), arsim, shëndetësi dhe prodhim. Pjesa e aktiviteteve të pasurive të patundshme në ekonominë e Shqipërisë është 5% e PBB-së. Humbjet e tërmetit në aktivitetet e pasurive të patundshme janë për shkak të aktiviteteve të prishura të qiradhënies dhe banesave të zotëruara nga pronarët me njësi banimi të dëmtuara nga katastrofa. Efektet totale (dëmet dhe humbjet) vlerësohen në 696.3 milionë euro (85.68 miliardë lekë), me dëmet totale në 662.3 milionë euro (81.5 miliardë lekë) dhe humbjet totale të vlerësuara në 34 milion euro (4.18 miliardë lekë).

Nevojat për rindërtim

Nevojat totale për rikuperim të dëmit të shkaktuar nga tërmeti janë përllogaritur në 1 miliard e 76 milionë euro (132.4 miliardë lekë) në të gjithë sektorët dhe për 11 bashkitë e prekura. Nevojat vetëm në sektorin e strehimit janë 802.86 milionë euro (98.8 miliardë lekë), që përfaqëson 75% të të gjitha nevojave. Rimëkëmbja e sektorit të arsimit do të kushtojë rreth 95 milionë euro (11.7 miliardë lekë) ose afro 9% të totalit dhe rikuperimi për sektorin e Infrastrukturës do të jetë 61 milionë euro (7.4 miliardë lekë) ose 6%. Brenda sektorit të Infrastrukturës, mbi gjysmën e nevojave të rimëkëmbjes janë në nënsektorët e Ndërtesave të Energjisë dhe Qeverisë, me 12.9 milionë euro (1.5 miliardë lekë) dhe 26.5 milionë euro (3,3 miliardë lekë). Në sektorin e Prodhimtarisë me 4.2% të të gjitha nevojave për rikuperim, ato janë të përqendruara në nënsektorin e Biznesit dhe Punësimit (Prodhim dhe Tregti) me 27.84 milionë euro (3.4 miliardë lekë). Mbrojtja civile dhe DRR kanë një pjesë të ngjashme të nevojave me 4.4%.

Nevoja për rimëkëmbje sipas sektorëve

Buxheti dhe donacionet

Aktualisht, fondi për përballimin e kësaj situate është shumë larg pritshmërive. Qeveria ka miratuar me Buxhetin e vitit 2020 një fond prej 164 milionë euro (20 miliardë lekë), ku 106.6 milionë euro (13 miliardë lekë) janë akorduar nga qeveria për rindërtim dhe 57.4 milionë euro (7 miliardë lekë) janë dhurime dhe grante, ku rezulton se shuma e donacioneve të kontribuara përmes llogarive të qeverisë është 15.2 milionë euro (1.98 miliardë lekë). E gjithë kjo është përveç marrjes së donacioneve në natyrë nga aktorë të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë (persona privatë, ndërmarrje, ekipe futbolli, organizata me bazë besimi, OJQ vendore dhe ndërkombëtare, qeveri dhe lloje të tjera institucionesh si shoqëritë e Kryqit të Kuq). Një numër i respektuar vullnetarësh dhe specialistësh gjithashtu kanë siguruar kohën e tyre në pjesëmarrje aktive në përpjekjet e ndihmës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Gjysma e fondit duhet për vitin 2020

Megjithatë, fondi i mbledhur deri tani për të përballuar dëmet dhe humbjet nga tërmeti nuk përbën as 1/3 e fondit që duhet për programin e rindërtimit për vitin 2020. Qeveria ka përllogaritur se vetëm për vitin 2020 duhen rreth 544 milionë euro, ndërsa deri tani janë në dispozicion vetëm 164 milionë euro. Ndërkohë, pesha kryesore e vitit të parë për programin e rindërtimit do të shkojë pikërisht për strehimin. Sipas të dhënave, rezulton se në vitin e parë (afatshkurtër) për strehimin duhen rreth 430 milionë euro, ndërkohë që për vitin 2021 (afatmesëm) janë përllogaritur rreth 372 milionë euro (shiko tabelën më lart). Pra, mungesa e fondeve për përballimin e vitit të parë të post tërmetit përbën një rrezik të mundshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja dhe të mëtejshme në perspektivën për vitin 2021 (periudha afatmesme). “Së pari, ekonomia mund të ngadalësohet më tej nëse përpjekjet e rindërtimit nuk përshpejtohen. Së dyti, duke pasur parasysh se burimet e buxhetit janë të kufizuara, rindërtimi varet gjithashtu nga reagimi i sektorit privat, si dhe investitorët e huaj në sektorë me ndikim kritik si turizmi. Rritja më e ngadaltë se sa pritej gjithashtu mund të rezultojë në humbje shtesë të të ardhurave fiskale e cila do të vonojë më tej rindërtimin. Më në fund, inflacioni mund të jetë pak më i lartë se ai që u supozua për shkak të ndikimit në materialet e ndërtimit”, thuhet në raport për rreziqet e mundshme.

Pasojat te njerëzit

Në raport cilësohet se efektet shkakësore të tërmetit për zhvillimin njerëzor dhe varfërinë janë të vështira për t’u vlerësuar në pasojat e menjëhershme të ngjarjes. “Përveç ndikimit të qartë dhe të menjëhershëm në ata që preken drejtpërdrejt nga humbja ose dëmtimi i pronës, dëmtimi dhe humbja e jetës, shumë më tepër njerëz vuajnë drejtpërdrejt dhe indirekt nga humbjet në aktivitetin ekonomik, përkeqësimi i shëndetit (përfshirë shëndetin mendor) dhe zvogëlimin e investimeve në arsimi”, deklarohet në raport.

Nga shifrat rezulton se pas tërmetit, rreth 9.2% e familjeve në rrethet e prekura u zhvendosën nga banesat e tyre, dhe afër një e treta e 9.2% nuk ​​ishin kthyer në fund të dhjetorit 2019. Aftësia e vetë-raportuar e familjeve për të paguar shpenzimet e nevojshme tregojnë një prirje në rënie pas tërmetit krahasuar me para tërmetit. Shkalla e privimit të materialeve ekstreme u rrit mesatarisht me 8.4 pikë përqindje, ose 25.4%, krahasuar me periudhën para tërmetit.

Midis këtyre dy periudhave, nivelet e varfërisë subjektive në rrethet e prekura u rritën me 2.3 pikë përqindje ose një ekuivalent prej 26,000 njerëz (18.9%). Kurse gjendja shëndetësore e vetë-raportuar e anëtarëve të familjes tregoi një përkeqësim pas tërmetit. Përkundër kushteve të mira shëndetësore të vetë-raportuara, rreth 5.6% e popullsisë në rrethet e prekura raportuan humbje të kujtesës dhe vështirësi në shikimi, dëgjim, ecje ose ngjitje dhe përqendrim pas tërmetit. Më e rëndësishmja, për shkak të tërmetit, 42.9% e njerëzve në rrethet e prekura raportuan lodhje emocionale, probleme me gjumin, depresionin dhe ankthin dy javë pas ngjarjes.

Vullnetarët, në aksion

Një ndihmë të madhe dhanë vullnetarët, me një përgjigje të shpejtë kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga qeveria shqiptare mësohet se u angazhuan për të përballuar situatën rreth 7 600 persona, ku 534 veta ishin vullnetarë dhe 278 të tjerë personel të trajnuar nga ushtria, posaçërisht për Kërkim-Shpëtim Urban. Ndërsa nga ndërkombëtarët mësohet se Shqipëria u mbështet si nga BE, ashtu dhe nga vendet jashtë BE.

Qeveria shqiptare ka një procedurë ekzistuese, efikase dhe të praktikuar mirë për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe për këtë arsye aktivizoi EUCPM (Mekanizmin Evropian për Mbrojtjen Civile) më 26 nëntor. Përgjigjet e para shqiptare u mbështetën nga 541 persona të urgjencës nga dymbëdhjetë vendet e BE-së dhe 304 persona nga tetë vende jo të BE-së.

Komuniteti ndërkombëtar ka mbështetur gjithashtu Shqipërinë për furnizime humanitare dhe mbështetje institucionale. Një Ekip i Mbrojtjes Civile të BE (EUCP) u vendos në Shqipëri në 27 nëntor. OKB mobilizoi një ekip të UNDAC për fazën humanitare dhe punoi në koordinim me Ekipin e EUCP dhe qeverinë shqiptare në kryerjen e një vlerësimi të dëmtimit të ndërtesave. Banka Botërore ndërmori një Vlerësim Global të Shpejtë të Dëmtimit pas katastrofës (GRADE) që dha një vlerësim paraprak të fushëveprimit dhe madhësisë së katastrofës.

Pasi të mbaronte faza më e menjëhershme humanitare, qeveria qeveritare kërkoi mbështetje nga Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore për të ndërmarrë një Vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të nevojave pas katastrofës (PDNA) për të identifikuar dëmet, humbjet dhe nevojat e rimëkëmbjes që lindin nga ngjarja.

Tashmë, Shqipëria i ka shtrirë dorën ndërkombëtarëve për një tjetër ndihmë, atë financiare, duke organizuar dhe një konferencë donatorësh me 17 shkurt. Eksperiencat e mëparshme për konferenca donatorësh tregojnë se ndihma nuk arrin më shumë se 20% e vlerës totale të dëmit të shkaktuar nga një katastrofë natyrore, megjithatë Shqipërisë i mbetet vetëm të shpresojë që më 17 shkurt do marrë një ndihmë të fortë, në pamundësi ekonomike për një rimëkëmbje të shpejtë nga pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Marrë nga Porta Vendore

(a.m/dosja.al)

Shto Koment