Politike

DOSJA POLITIKË/ Dritat e kuqe të Brukselit për negociatat, djegia e mandateve, ‘zgjedhjet’ e ngërçet që s’u zgjidhen gjatë 2019-ës. Ilir Meta si ‘dirigjent’ i përplasjeve me palët

Me shpresën se viti 2020 do jetën më mirë se 2019 urojmë që politika të 'ulë armët' e të ngre lart forcën e arsyes, që dhe nga Bashkimi Evropian të kemi një dritë jeshile për negociatat.
Featured image of article: DOSJA POLITIKË/ Dritat e kuqe të Brukselit për negociatat, djegia e mandateve, ‘zgjedhjet’ e ngërçet që s’u zgjidhen gjatë 2019-ës. Ilir Meta si ‘dirigjent’ i përplasjeve me palët Përmbledhje e politikës gjatë vitit 2019 me një foto

TIRANË- Nëse politika shqiptare gjatë vitit 2019 do përmblidhej në një fjalë ajo do ishte fjala “ngërç”. U nis që në ditët e para të janarit me një ngërç politik dhe degradoi deri në një ngërç kushtetues, ku tashmë në “luftë” kanë ndërhyrë dhe ndërkombëtarët, por dhe këta të fundit janë dorëzuar. Për 12 muaj me radhë politika në Shqipëria ka qenë njësoj si makina në trafik, por që gjithmonë qëndron në vend se përpara del ngjyra portokalli e semaforit. Politika ka ecur, por nuk ka lëvizur nga vendi, pasi lufta mes palëve nuk është shuar, por është shtuar.

Përplasjet kanë mbetur pezull dhe viti 2020 pritet që të jetë më agresiv se viti 2019, pasi situata politike pas tërmetit të 26 nëntorit është bërë shumë agresive. Lufta mes palëve është nisur për një dekret dhe po me dekret përfundoi. Që në ditët e para të janarit, Presidenti Ilir Meta ktheu dekretin për emërimin e Gent Cakajt si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe vijoi me nxjerrjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve dhe caktimin e 13 tetorit si ditën kur shqiptarët duhet të votonin për kryetarët e rinj të bashkive, e në fund u zhvillua dhe beteja për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por le ti marrim me radhë të gjitha betejat e zhvilluara… 

Çështja e dekretimit të Gent Cakaj

Kryeministri Edi Rama në fund të vitit 2018 bëri një rikompozim të kabinetit të tij qeveritar, ku largoi ministrat që kishin 6 vite që qeverisnin bashkë me të dhe solli emra të rinj. Një prej tyre ishte dhe i ri në moshë, por shkallët e karrierës i kishte ngjitur shumë shpejt. Gent Cakaj, kërkohej nga Rama që të bëhej ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Që në momentin e parë të propozimit të emrit të tij si pasardhës i Ditmir Bushatit, pati një rrudhje buzësh nga Presidenca e cila lajmëronte në heshtje një betejë të parë kurrë më parë. Ilir Meta e kishte bërë të njëjtën gjë dhe për dekretimin e Sandër Lleshajt si ministër i Punëve të Brendshme, por u tërhoq nga pozicioni i tij kur dokumentet që kërkoi iu vunë në dispozicion dhe Lleshaj rezultonte i pastër.

Gent Cakaj, Edi Rama dhe Ilir Meta

Me Gent Cakaj ishte ndryshe, me argumentin se ai ishte pro ndryshimit të kufijve, i ri e i pakualifikuar, Presidenti Ilir Meta refuzoi të firmoste dekretin që e bënte atë ministër të Jashtëm. Meta kërkoi dhe takim me Kryeministrin Edi Rama, për t’ia thënë argumentet dhe ballë për ballë, të cilin e realizoi dhe nuk u tërhoq kurrë nga pozicioni i tij. Por kur u duk se Rama ishte me shpatulla pas murit dhe duhej të dorëzohej përballë Presidentin, ai bëri një lëvizje që shumë pak e prisnin. Dërgoi emrin e tij që të bëhej si ministër i Jashtëm dhe pas dekretimit nga Presidenti, i la të gjitha kompetencat Gent Cakaj, duke e bërë Ministër në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme me kompetenca të plota. Ky ishte dhe guri i fundit i lëvizur nga Rama që e la Metën të befasuar, por nuk e kapi dot mat.

Protestat e opozitës dhe djegia e mandateve

E teksa nuk ishte tharë ende boja e luftës me shkresa mes qeverisë dhe Presidentit, opozita për të marrë vëmendjen e humbur nisi stinën e protestave. Pranvera ende nuk kishte ardhur e lulet nuk kishin çelur, por opozita çeli pranverën e protestave. Data 16 shkurt shënoi dhe tubimin e parë, ku pjesë marrja ishte shumë e madhe dhe ekzaltoi në kulm kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, pasi mori vendimin e pa precedentë atë të djegies së mandateve. Pas protestës së parë falënderoi të gjithë opozitarët që mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe një ditë më pas (17 shkurt) deklaroi për herë të parë se do propozonte djegien e mandateve. Orët kalonin dhe bindja mes opozitarëve po shtohej se djegia e mandateve do të ishte rruga e duhur për zgjidhjen e krizës politike që ishte rrëmbyer nga viti i kaluar.

Pamje nga tportestat e opozitës dghe Lulzim Basha teksa dorëzon dorëheqjet e deputetëve

Një nga një në një mbrëmje të ftohtë shkurti, të gjithë deputetët, nga Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e Sali Berisha firmosën dokumentin se ata hiqnin dorë nga mandati dhe privilegjet e deputetit. Por vetëm Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe Lefter Koka dolën jashtë vullnetit të opozitës së bashkuar dhe refuzuan të linin mandatin e tyre, gjë që shkaktoi shumë debate në radhët e opozitës.

Nga ana tjetër Lulzim Basha në nxitim e sipër, siç bëri me vendimin e djegies së mandateve, mblodhi të gjithë kandidatët për deputetë nga lista e PD dhe u kërkoi atyre që të mos pranonin mandatin që do u servirte KQZ. Të gjithë i premtuan se do ia dëgjonin fjalën, por shumica veproi ndryshe nga sa premtimi. Tashmë një pjesë e tyre janë në Parlament, ku po kanë formuar frontin e opozitës së re.

E teksa deputetët e rinj shtoheshin në Kuvend, opozita tashmë jashtë parlamentare, shtonte protestat e saj nga një për çdo muaj, tashmë njerëzit tubonin çdo javë. E shtuna ishte dita kur kreu i opozitës, Lulzim Basha , i printe njerëzve dhe me thirrjet “Rama ik”, kërkonte largimin e Edi Ramës dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Javët kalonin, protestat shtoheshin në numër, por qeveria nuk tërhiqej dhe ishte e sigurt drejt zgjedhjeve të 30 qershorti, me një opozitë të rilindur, si kërpudhat pas shiu (protestës së parë dhe djegies së mandateve të opozitës). 

Deputetët e rinj të “opozitës së re”

Rudina Hajdari, Mylsim Murrizi dhe Lefter Koka, ishin deputetët “rebel” që nuk dogjën mandatin e tyre dhe do ishin grupi që më vonë formoi opozitën e re. Në Kuvend deputetët që do uleshin në anën e djathtë do shtoheshin javë pas jave dhe tashmë kanë krijuar dy grupe parlamentare Grupi Parlamentar “Demokrat” dhe “I pavarur”.  Me Kujtim Gjuzin, Ralf Gjonin, Halit Valterin, Nimet Musain, Lefter Maliqin etj., deputetët e rinj do kërkonin ndryshimin e sistemin zgjedhor në vend, por në fund u bënë vet pjesë e sistemit të vjetër.

Deputetët e opozitës së re

Në shumë raste ata janë tallur, përbuzur, përçmuar e ironizuar nga Kryeministri Edi Rama. Ata janë anatemuar nga publiku për zgjedhjen e tyre, por sërish vijuan të qëndronin në Kuvend dhe në shumë raste ngritën kartonët jeshilë për ligje që opozita jashtë parlamentit ishte shprehur kundër. Opozita e re në Kuvend ishte një paketim i ri, i një produkti të vjetër, ku asgjë nuk ndryshoi në jetën parlamentare të vendit, pasi sërish qeveria sa herë që flisnin ata mbyllte sytë e veshët, ose largohej nga salla duke u dhënë kënaqësinë e madhe atë të monologimit me sallën bosh.

Ftesat e Ramës për dialog dhe refuzimi i opozitës

Në një kohë kur zgjedhjet e 30 qershorit donin ende javë që të mbërrinin, kriza mes maxhorancës dhe opozitës thellohej. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe aleatët opozitarë ishin shprehu kundër marrjes pjesë në zgjedhje nëse ato do zhvilloheshin me Edi Ramën Kryeministër. Afet Kushtetuese ishin në limite dhe retorika politike arriti kulmin, e cila reflektohet dhe në dhunë gjatë protestave të opozitës. Ndërkombëtarët të gjithë u drejtuar nga Shqipëria me vullnetin e mirë për të ulur palët në dialog dhe të fusnin opozitës në zgjedhje, por çdo tentativë apo ultimatum i tyre shkoi dëm. Nga ana tjetër dhe Edi Rama bëri përpjekjet (nuk dihet sa të sinqerta kanë qenë) e tij për t’u ulur në një tryezë me opozitën, pa kushte, për të gjetur një rrugë drejt zgjedhjeve me kundërshtarë përballë.

Edi Rama, Lulzim Basha dhe postimi i Kryeministrit

Opozita nën një zë refuzonte çdo ftesë, pasi bënte Ramën përgjegjës për vjedhje votash në Dibër e Durrës, e zëri i tyre kumbonte më shumë dhe me publikimet e përgjimeve të Bild. Maxhoranca përbuzte ato përgjime, të të cilët dëgjohej zëri i Ramës, Gjiknurit, Manjës, Tahirit, Qefalisë dhe zyrtarëve të tjerë lokal në Durrës e Dibër, që merrni dhe urdhra nga të persona të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Përgjimet e Bild, retorika e fortë politike, dhe kërcënimet e liderëve të opozitës për maxhorancën arritën kulmin dhe ulën Ramën para tastierës së kompjuterit. Në një letër, që do pasohej dhe nga pesë të tjera, Rama shtrinte dorën e dialogut drejt opozitës, por që aty gjente gjithmonë derën e mbyllur dhe refuzim. Protestat e opozitës vijonin çdo të shtunë me një retorikë të fortë, flakadën, tymuese, përplasje me policinë, të plagosur, të arrestuar e të dhunuar. Në këto kushte Presidenti Ilir Meta, i lënë në gjysmë hije gjatë përplasjes opozitë-maxhorancë, bëri një lëvizje që askush nuk e mendonte askush.

Anulimi i 30 qershorit nga Meta

Pas përfundimit të vizitës së tij në Berlin, Presidenti Ilir Meta pas kthimit sërish në Shqipëri deklaroi në një njoftim urgjent se ai do anulonte zgjedhjet e 30 qershorit. Deklarata e 6 qershorit në 8 qershor u bë dekret dhe Meta zyrtarisht anuloi zgjedhjet e 30 qeshorit, për të tashmë kishte votime nul dhe jo zgjedhje. Opozita dukej e kënaqur, ndërsa maxhoranca e tërbuar. Kryeministri Edi Rama, vijonte fushatën elektorale dhe nga çdo dalje publike sulmonte Presidentin dhe nisën në Kuvend procedurat e shkarkimit, gjë që bëhej për herë të parë në historinë 30 vjeçare të pluralizmit në Shqipëri.

Ilir Meta me dekretin e anulimit të 30 qershorit

Lëvizja e parë kundër Metës, u bë nga KQZ-ja. Pa kryetarin Klement Zguri, katër anëtarët e zgjedhur nga PS u shprehën me një vendin se dekreti i Metës ishte nul. Ndërsa lëvizja e dytë u bë nga Kolegji Zgjedhor që u shpreh sërish se dekreti i Presidentin ishte një akt plotësisht i pavlefshëm. Partia Socialiste përveç nisjes së procedurave të shkarkimit për Metën, nisi një kërkesë drejt Komisionit të Venecias ku kërkonte mendimin e tyre për veprimin e Kreut të Shtetit. 

Zgjedhjet pa kundërshtar

Me një dekret të president që nuk njihte zgjedhjet, me KQZ të përçarë, me opozitën në rrugë, partia Socialiste me aleatët e saj (parti që dëgjohen vetëm kur ka zgjedhje) hynë në zgjedhjet e 30 qershorit pothuajse të vetëm. Koha e krizës mes palëve ishte një periudhë e artë për Astrit Patozin dhe të pakënaqurve të tjerë nga Lulzim Basha për të themeluar partinë e re.

Astrit Patozi dhe Edi Rama në ditën e votimit

Bindja Demokratike ishte emri i partisë së re dhe të gjithë anëtarët e saj ishin të bindur se do bënin opozitë në zgjedhje dhe do fitonin disa bashki. Por rezultati ishte ndryshe. Bindja Demokratike nuk arriti që të merrte ndonjë bashki, por as nuk u bë problem për maxhorancën e cila rezultatin më te dobët e kishte 80% të votave. Në fund Partia Socialiste arriti që të fitonte në të 61 bashkitë në të cilat konkurronte dhe bindi të gjithë se zgjedhjet mund ti bënin pa kundërshtar. Opozita dhe Presidenti nuk i njohën zgjedhjet dhe nisën procedurat për zgjedhje të reja, që pas konsultimeve u vendosën të bëheshin në 13 tetor.

Beteja e parë e qeverisë me Presidentin (30 qershori në “Venecia”)

Maxhoranca e drejtuar nga Rama gjatë zgjedhjeve la pezull luftën institucionale me Presidentin, pasi sulmet ishin vetëm me deklarata. Pas mbylljes së llogarive me zgjedhjet deputetët e PS nisën luftën në Kuvend dhe ngritën një Komision të Posaçëm për të hetuar veprimtarinë e Metës gjatë anulimit të datës 30 qershor si ditë kur shqiptarët duhet t’u drejtoheshin kutive të votimit. Për socialistët zhdekretimi i zgjedhjeve ishte një akt anti-kushtetues dhe për këtë gjë Presidenti duhej shkarkuar, por ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

komisioni i Venecias gjatë takimeve në Shqipëri

Por Presidenti pas marrjes në pyetje nga Kuvendi tregoi se anulimi i 30 qershorit kishte ardhur pas marrjes së informacioneve se do digjej Kuvendit gjatë protestave të opozitës. E më gjithë argumentin e Metës, dosja hetimore u dërgua në Komisionin e Venecias dhe kërkohej një mendim i pavarur për vendosur drejtësinë në Shqipëri. Venecia mori seriozisht kërkesën e drejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë, por palët politike nuk morën seriozisht opinionin e dërguar prej tyre. Maxhoranca dhe Presidenti, u kapën pas frazave të shkëputura nga relacion shterues i juristëve të Komisionit dhe nisën një luftë deklaratash. Presidenti ishte i bindur se nuk kishte vepruar gabim, ndërsa maxhoranca e bindur se Venecia shkruante e zeza mbi të bardhë se Meta ka humbur legjitimitetin të jetë President i Republikës. E teksa Venecia ka folur shumë qartë, ku shprehet se “për shkarkimin e Presidentit vendos kushtetuesja”, sërish lufta vijon pa një Gjykatë Kushtetuese.

Lufta për betimin e kandidatëve që hynë nga dritaret

E ndërkohë që në Kuvend vijonte lufta për shkarkimin e Presidenti që kishte anuluar 30 qershor, në bashkitë që deri dje qeveriseshin nga opozita vijonte lufta për marrjen e zyrave. Kryebashkiakët që e PD-LSI shpreheshin se në 30 qershor nuk ishte pasur zgjedhje e nuk lironin zyrat, ndërkohë kryebashkiakët e rinj kërkonin nisjen e punës sa më shpejt.

Kryebashkikaët e rinj dhe dyert e thyra të bashkive

Zyra ishte një, e ata që kërkonin të hynin brenda saj ishin dy. Socialistët duke qenë se nuk betoheshin në zyrat e bashkisë që sipas tyre ishin të uzurpuara nga njerëz jo legjitimë, betimin e bërë në Prefekturë e zyra alternative. Pas betimit, kryetarët e rinj të bashkive me shiritin kuq e zi hedhur mbi njërin supë, e me kaçavida e pinca në xhep, shqyen derën e bashkive dhe u futën brenda. Të vjetërit u dorëzuan dhe lanë zyrat e tyre, bosh, pasi hoqën çdo send që u përkiste atyre.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Dekriminalizimi një udhëkryq pa krye

Opozita duket se u dorëzua përball forcës së maxhroancës, që mori me forcë zyrat e bashkisë, por jo, po thurej plani B. Ajo që përflitej prej kohësh në korridoret e selisë blu rezultoi e vërtetë. Partia Demokratike posedonte dosjet e disa prej kryebashkiakëve të rinj që i kapte ligji i dekriminalizimit. I pari që ra në rrjetën e Gazment Bardhit ishte Valdrin Pjetri. Ky i fundit i vërtetuar dhe nga Prokuroria ka qenë i dënuar në Itali, pasi është kapur me një sasi droge dhe është dëbuar prej këtij shteti pas marrëveshjes. Pjetri mohonte gjithçka, para se PD të publikonte dokumentet (që sipas maxhorancës janë të blera e të vjedhura), por më pas pranoi gjithçka me 10 rreshta nga Facebook, e prej asaj dite nuk është parë më. Pjetri hoqi dorë nga marrja e mandatit të kryebashkiakut në Shkodër, u përjashtua nga PS e tashmë ka betejën me drejtësinë që në fund mund të përfundoj dhe me dënim të tij për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku, Gazment Bardhi dhe Mark Babani

E teksa me Pjetrin, PD “lahu duart” e i la rrugë të hapur Voltana Ademit, lufta vijoi me Agim Kajmakun. Një arrestim në Greqi, një dënim e dëbim nga shteti fqinj do digjte karrierën e panisur të Agim Kajmakut. Në formularin e dekriminalizitmit kishte deklaruar se kur jetonte në Greqi për efekt të marrjes së dokumenteve kishte ndërruar mërin ne Jorgo Toto, Kajmaku nuk e dinte që kjo do ishte dhe thembra e tij e akilit. PD pas akuzave publike, publikoi dhe dënimin e tij nga Gjykatat e më pas avokati i ish-kreut të Bashkisë së Vorës publikoi dhe vendimin e Gjykatës së Janinës të marrë në shtator 2019 se Agim Kajmaku tashmë ishte i pafajshëm. Pas plotësimit të gjithë mozaikut të nisur nga PD, KQZ vendosi shkarkimin e Kajmakut, por ky i fundit duke parë që ishte dorëzuar nga PS, vendosi shkarkimin e dy nënkryetarëve që ishin të besuarit e Belinda Ballukut. E për këtë veprim nga ana e tij, Kajmaku është shpallur në kërkim, e njësoj si Valdrin Pjetri mund të përfundojë pas hekurave.

Partia Demokratike kishte premtuar nxjerrjen e më shumë emrave, por deri tani ka treguar me gisht vetëm 3 nga kryebashkiakët si të inkriminuar. Mark Babani, ishte emri i tretë i lexuar nga Gazmend Bardhi dhe kërkohet largimi i tij nga kryesimi i Bashkisë Vau i Dejës. PD ka publikuar disa dokumente që pretendon se Babani ka qenë i dënuar në Itali dhe Maqedoni. Por nga ana tjetër Mark Babani në një reagim për Dojsa.al është shprehur se ai nuk ka marrë kurrë asnjë gjobë dhe të gjitha janë trillime të Partisë Demokratike.

Lufta me dekriminalizmit ende nuk ka përfunduar pasi PD, ka premtuar se do publikojë emra të tjerë, por duket se gjithçka i është lënë vitit 2020…

Fantazma e 13 tetorit

Lufta mes maxhorancës dhe Presidentit ende nuk ishte mbyllur në Venecia, ndërkohë që e diela e 13 tetorit kaloi pa zhurmë. Presidenti që kishte luftuar më shumë për këtë datë e kaloi me sportivitet dhe fati deshi që kjo e diel të ishte me diell dhe ai të luante dhe pak futboll.

Ilir Meta me dekretin që shpallte 13 tetorin si datë zgjedhjesh dhe Ilir meta në 13 tetor duke luajtur me top

Me top bë dorë dhe gjysmë i zhveshur Kreu i Shtetit u shfaq në Gjirin e Lalëzit duke bërë disa palexho dhe uronte të gjithë të kalonin sa më qet. Ndërkohë partitë opozitare që njihnin si datë zgjedhjes vetëm 13 tetorin, shumica e tyre nuk dorëzuan as kërkesë për regjistrim në zgjedhje e ato që u regjistruan nuk treguan se me cilin kandidat do garonin. 13 tetori kaloi pa zhurmë, si fantazmë dhe nuk arriti të futen në kalendarin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Dy dritat e kuqe nga Bashkimi Evropian

Qershori dhe tetori në Shqipëri nga palët politike njihen si muaj zgjedhor, pasi në dy data të ndryshme (30 qershor dhe 13 tetor) shqiptarët duhet të drejtoheshin kutive të votimit. Por amullia me këto dy data solli dhe një bllokim të integrimit të Shqipërisë në BE. Kriza politike që sa vinte e thellohej me një retorikë politike të ngritur në stratosferë ndikoi dy herë në vendimmarrjen e unionit për Shqipërinë.

Angela Merkel, Emanuel Macron dhe flamuri i BE e i Shqipërisë

Në qershor dhe tetor në dy mbledhjet e Këshillit të Evropës, Shqipëria nuk arriti të merrte dot dritën jeshile dhe një ‘PO’ për të nisur bisedimet për anëtarësimin në familjen Evropiane. Politika në vend dhe këtë vendim e pa ndryshe, pasi maxhoranca e quante si një bllokim qe erdhi vetëm nga Franca se kërkon një reformim të BE, ndërsa opozita e quan dështim të qeverisë, ndërsa populli e sheh si një dështim të klasës politike. Drita e kuqe në Bruksel është ende e ndezur për Shqipërinë, ndërkohë të gjithë presin samitin e Zagrebit në prill që ajo dritë ndoshta bëhej jeshile dhe vendi nis negociatat me BE-në.

“Rrugëtimi për Shqipërinë”, i lënë rrugëve

Kreu i Partisë Demokratike, Luzlim Basha pas harrimit të 13 tetorit nisi një tjetër betejë, do takohej me të gjithë grupet e interesit dhe do mblidhje prej  tyre problematikat që nesër do ishin pjesë e programit të qeverisë që do drejtohej prej tij. E nisi më te rinjtë, me fermerët e tregtarët e vëgjlë, por kaq. Tërmeti ndërpreu në mes “Rrugëtimin për Shqipërinë”, e tashmë kur ka kaluar një muaj nga tërmeti  kreu i opozitës nuk ka ndërmend të vijojë rrugëtimin e tij. Ndoshta rrugëtimi është ndërprerë, por nuk është përfunduar dhe Lulzim Basha pret vitin 2020, për vijimin e projektit të tij. Kjo mbetet për t’u parë dhe i lihet kohës…

KÇK dhe anti-shpifja dy betejat personale të Ramës

Qeveria Shqiptare me në krye Edi Ramën në vitin 2019, ka patur shumë sfida, por ato që u personalizuar nga Kryeministri ishin paketa anti-shpifje dhe ligji anti KÇK (Kap ç’a të Kapësh). Në kohë krizash politike apo skandalesh qeveritare, Edi Rama ka përdorur këto nisma të tij për shantazh kundër medias, qytetarëve, prokurorëve e gjyqtarëve. Anti-shpifja u përdor kur gazeta gjermane “Bild” publikoi një seri përgjimesh për të ashtuquajturat dosja 339 dhe 184, ku dëgjohej zëri i vet Kryeministrit dhe shumë ministrave, ish-ministrave, deputetëve e ish-deputetëve e drejtorëve rajonal. Por nga maxhoranca u mohuan kategorikisht dhe u quajtën “shpifje nga eurokadrinjtë dhe eurokazan”. Edhe për të mbyllur gojën mediave e për t’i frikësuar ato nxori nga mënga asin e parë, paketën anti-shpifje (e cila mbahej në sirtar si ëndrrat e fëmijëve që duan të bëhen doktorë e të  shpëtojnë botën). Muajt kalonin e në kokën e kryeministrit po formësohej ideja se media është e keqja e madhe e këtij vendi dhe duhej një ligj për t’i frikësuar me gjoba e me heqje licencas, e data 18 ishte “fundi i marrëzisë”.

Edi Rama, prezantimi i KÇK dhe mikrofoni i lidhur me zinxhir

Por ky nuk ishte asi i vetëm nën mëngën e Kryeministrit, pasi ai për një kohë të gjatë bluante në mëndje nismën e pazakontë, ligjin e ashtuquajtur “ligji anti-KÇK”. Me një fjalim nga Kuvendi, Rama për herë të parë përmendi togfjalëshin “Kap ç’a të kapësh”. Kjo nismë vinte pas kërkesës për lënien në qeli të ish-drejtorit të Hipotekës në Durrës, Lirodon Pulës nga prokurori që me vonë iu bë atentat Arjan Ndojës. Rama e quajti prokurorin Ndoja pjesë të grupit të strukturuar KÇK, e në 25 nëntor fjalët e tij u bënë projekt ligj, por drafti u trondit nga tërmeti i 26 nëntorit dhe kjo nismë ende nuk është përmbyllur.

Tërmeti që nuk tundi dot politikën

Shqipëria në 26 nëntor u zgjua e tronditur nga një tërmet që ra pabesisht në orën 03:56. Të gjithë shqiptarët ishin të trembur, panikosur, tronditur e drobitur nga ky tërmet, por sërish lëkundjet nuk u ndjenë tek liderët politikë. Jeta politike vijoi sërish me ndasi, ky kryeministri, presidenti e lideri i opozitës ‘përgjonin’ vizitat e njëri-tjetrit në zonat e prekura nga tërmeti që të mos bënin xing. Me optikë të ndryshme dikush shihte dritë mes rrënojave e dikush tjetër shihte një zymtësi nga e cila nuk mund te dilnin kurrë. Kryeministri Edi Rama në vizitat që zhvillonte në terren shihte se shumë banorë ishin strehuar, e shpreheshin të kënaqur me ndihmat kur pyeteshin prej tij.

Foto nga tërmeti i 26 nëntorit

Por realiteti tjetër parë nga sytë e Lulzim Bashës e Ilir Metës, ishte i zymtë dhe banorët kishin shumë probleme. Me statuse në mediat sociale e në deklarata nga mbledhjet rutinë, kreu i qeverisë u bënte thirrje krerëve të opozitës që të uleshin në tryezë me të e të shtrëngonin duart, por gjithmonë dera që ai trokiste ishte e mbyllur. Në një kohë kur gjithë shqiptarët u bënë bashkë, ndihmuan njëri-tjetrit e solidariteti ishte maksimal, liderët politikë as nuk panë njëri-tjetrin në zi. Pas armëpushimit në ditët e zisë pas tërmetit, palët politike nisën sërish sulmet politike e pritet që betejat e tjera të realizohen gjatë vitit 2020

Beteja e dytë e qeverisë me Presidentin (Vorpsi-Xhaferllari)

Pika e referimit që ka gjeneruar një pjesë të madhe të përplasjeve politike ka qenë Gjykata Kushtetuese. Për gati tre vite gjykata më e lartë në Shqipëri ka qenë jashtë funksionit, pasi nga 9 anëtarë që duhet të kishte, pas kalimit të anëtarëve në Vetting, vetëm Vitore Tusha rezultoi e pastër. Me vonesat e Reformës në Drejtësi e shkeljeve të afateve kushtetuese më në fund këtë vit u hapën zyrtarisht dhe vakancat për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.

Marsida Xhaferllari, Ilir Meta, Ardian Dvorani, Arta Vorpsi dhe Kuvendi

Sipas Kushtetutës së miratuar në vitin 2016, Presidenti duhet të zgjidhte i pari një nga tre emrat që do i dërgoheshin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED). Presidenti bëri zgjedhjen e parë: Besnik Muçin, por ky i fundit ishte në proces Vetting-u, e në fund u shkarkua dhe sipas vendimit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA), duhej të largohen nga sistemi i drejtësisë. Pas njohjes me këtë vendim Muçi hezitoi të linte vendin e tij në Kushtetuese, por pas një takimi me Presidentin Ilir Meta ndryshoi qëndrim e tani ai është larguar në pritje të marrjes në një vendimi nga kolegët e tij në Gjykatën Kushtetuese, nëse ai duhet të qëndrojë apo të largohet nga sistemi i drejtësisë.

E teksa ky ngërç kaloi thjesht, pasi Presidenti ka dërguar listën me 10 kandidatë në KED për zëvendësuar Besnik Muçin, një përplasje më e madhe lindi me vakancat e tjera. Në bazë të Kushtetutës vakanca e dytë duhej të plotësohej nga Kuvendi, por KED listën me tre kandidatë e dërgoi tek Presidenti e priste prej tij emrin e dytë. Presidenti me arsyen se po mbronte Kushtetutën, pezulloi procesin e zgjedhjes dhe priste nga Kuvendi emërimin e kandidatit të dytë. Me një letër drejtuar institucioneve, Meta shprehej se nuk mund të emëronte kandidatin e dytë pa zgjedhur Kuvendi  ende të parin.

Nga ana tjetër KED, priste të mbaronte afati 30 ditor për Presidentin dhe të shtunën e 9 nëntorit, publikoi emrin e Arta Vorpsit, si anëtare të tretë në Gjykatën Kushtuese, pasi ajo renditej e para dhe zgjedhja u bë automatikisht. Ndërkohë presidenca nuk e njohu këtë zgjedhje dhe priste ende nga Kuvendi plotësimin e vakancës në GJK. Kuvendi në seancën e 11 nëntorit, zgjodhi jo një por dy emra nga lista e KED dhe plotësoi dy vakanca duke emëruar në GJK, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin.

Pak orë më vonë Presidenti u shpreh për vakancën tjetër duke zgjedhur Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, emër i cili nuk njihet ende sot nga Kuvendi e as nga KED. Presidenti shprehej se Arta Vorpsi është zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme e për të anëtare në GJK është Marsida Xhaferllari, ndërkohë Kuvendi, maxhoranca e KED pretendojnë të kundërtën.

Në 12 nëntor e prekura nga kjo ‘luftë’ Arta Vorpsi duke parë emrin e saj në Fletoren Zyrtare si anëtare në Kushtetuese, shko tek noteria dhe aty nënshkroi vullnetin e saj për të qenë pjesë e kësaj gjykate. Presidenca e quajti një turp, ndërkohë nga Kuvendi e KED ajo njihej si anëtare e GJK tashmë. Por që të kalonte pragun e derës së gjykatës, Vorpsi dhe anëtarët e tjerë duhet të bënin dhe betimin tek Presidenti, ceremoni e cila sanksionohet dhe në Kushtetutë. Toska, Papajorgji e Xhaferllari u thirrën nga Meta në ceremoni si akt final për të marrë vulën e fundit për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Vorpsi u përjashtua. E këtu lindi problemi…

Gjykata Kushtetuese u fut në një ngërç, pasi duhej të shprehej për vlefshmërinë e anëtarëve të saj. Vitore Tusha, Besnik Muçi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska e Marsida Xhaferllari u njohën nga gjykata si anëtarë, ndërsa Arta Vorpsi priste jashtë dere. Këta 5 anëtare nuk mund të shpreheshin dot, pasi dhe Besnik Muçi u largua e kuorumi i nevojshëm mungonte. Tashmë me 4 anëtarë kjo gjykatë është sërish jashtë funksionit dhe vendi i Marsida Xhaferllarit dhe Arta Vorpsit është ende pezull, po ashtu dhe Besnik Muçi pret kolegët të shprehen për mandatin e tij.

E ndërsa Gjykata Kushtetuese është një kuti bosh, pasi nuk mund të marr asnjë vendim, Presidenti, KED dhe maxhoranca kanë vijuar luftën e tyre e cila mendohet të zgjasë gjatë. Presidenti ka paditur kreun e KED, Ardian Dvorani, për përvetësim të kompetencave dhe shpërdorim detyre në lidhje me publikimin e emrit te Arta Vorpsit në Fletoren Zyrtare, që e bënte atë anëtarë të Kushtetueses. Nga ana tjetër Dvorani ka thënë se ka zbatuar ligjin dhe nuk i trembet kallëzimit nga Meta. Kuvendi ka sulmuar Presidenti dhe e akuzuar për shkelje të Kushtetutës për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare në GJK. Komisioni i Posaçëm Parlamentar në Kuvend ka shtuar hetimin e tij dhe në objekt hetimi janë futur dhe aktet e emërimit të gjyqtarëve në GJK. Kuvendi në mbledhjen e fundit të mbajtur 20 dhjetor çështjen e dërgoi në Komisionin e Venecias, ku pret prej saj përgjigje nëse Meta e ka shkelur Kushtetutën apo jo. Ndërkohë që deputetët presin përgjigje nga Venecia kallëzimi i Presidentit për kreun e KED ka kaluar për hetim e shqyrtim nga SPAK, pasi Gjykata e Tiranës shpalli mos kompetencë.

Me shtyrje afatesh, vonesa e pengesa përplasjet mes palëve nuk kanë marrë një zgjidhje dhe ose koha shpesh ka punuar në favor të tyre. Çështjet që janë nisur që në fillim të vitit 2019 ende nuk kanë parë dritë, pasi janë zhytur në errësirën e luftës politike. Ende shqiptarët presin një përgjigje nëse ishin të rregullta zgjedhjet në 30 qershor? Ka shkelur Kushtetutën Presidenti me anulimin e zgjedhjeve? Cilët janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese? Kush e ka fajin Presidenti apo kreu i KED? Por të gjitha këto pikëpyetje do të marrin përgjigje në vitin 2020, i cili shihet si vit shprese e vit i zgjidhjes së ngërçeve politikë qe futën vendin në një krizë të thellë. Me shpresën se viti 2020 do jetën më mirë se 2019 urojmë që politika të ‘ulë armët’ e të ngre lart forcën e arsyes, që dhe nga Bashkimi Evropian të kemi një dritë jeshile për negociatat.

Shto Koment