Politike

“Në Mars, hapet drita jeshile për Shqipërinë dhe MV”/ Ruçi dhe Balla në Samitin e PE: Jemi të vendosur në rrugëtimin europian

Gjatë takimeve u nënvizua se Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë gjatë presidencës kroate bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian në fund të muajit Mars duhet të hapë dritën jeshile për të dy vendet.
Featured image of article: “Në Mars, hapet drita jeshile për Shqipërinë dhe MV”/ Ruçi dhe Balla në Samitin e PE: Jemi të vendosur në rrugëtimin europian Taulant Balla dhe Gramoz Ruçi

BRUKSEL- Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla patën sot një ditë intensive në Samitin e Nivelit të Lartë  Parlament Europian-Ballkan Perëndimor, në Bruksel, me temë “Ballkani Perëndimor-Një rrugë shkëmbore për zgjerimin”. Samiti u organizua dhe kryesua nga Presidenti i PE, David Maria Sassoli dhe në të morën pjesë kryetarët e parlamenteve të vendeve të BP, kryetarët e grupeve parlamentare të PE dhe reporterët e PE për BP.

Ruçi dhe Balla e filluan ditën me takimin me Raporteren për Shqipërinë, Isabel Santos dhe më pas me bashkë-Kryetarin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri Manolis Kefalogiannis.Gjatë takimeve u nënvizua se Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë gjatë presidencës kroate bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian në fund të muajit Mars duhet të hapë dritën jeshile për të dy vendet.

Për të rikonfirmuar këtë qëndrim të legjislativit europian, Presidenti i Parlamentit David Sassoli organizoi sot këtë Samit. Ashtu si edhe në Këshillin Europian në Tetor të vitit të kaluar, shumica e vendeve anëtare mbështesin fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni Europian, i cili ka monitoruar nga afër detyrat e shtëpisë për seicilin prej vendeve, ka raportuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian se dy vendet kanë bërë hapa kurajozë dhe se e meritojnë të kalojnë në fazën finale drejt anëtarësimit.

Por pozicioni i vendeve anëtare divergjon mbi shpejtësinë dhe axhendën e procesit. Miratimi dhe shpallja më 5 Shkurt i Metodologjisë së re për Zgjerimin, është një mundësi e mirë për të shuar divergjencat mes vendeve anëtare. Edhe pse historia e BE ka dëshmuar se zgjerimi e ka forcuar dhe i ka dhënë energji Bashkimit Europian.

Megjithatë, ruajtja e një perspektive të besueshme në perspektivën e anëtarësimit në të ardhmen është vendimtare për vendet e Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe për Bashkimin Europian. Në Rezolutën e miratuar më 24 Tetor nga Parlamenti Europian, eurodeputetët shprehën zhgënjimin e thellë mbi dështimin e një dakordësie mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në fjalën e tij në Samit, Kryeparlamentari Ruçi shprehu mirenjohjen  për mbështetjen e fuqishme që PE dhe personalisht Presidenti Sassoli u japin përpjekjeve të vendeve të rajonit për tiu bashkuar familjes europiane. Ruçi rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë drejt destinacionit europian dhe të deklaroj se vendi ka vetëm një Plan A në rrugëtimin drejt të ardhmes, që është Bashkimi Europian. Asnjë Plan B nuk ekziston, as i hapur dhe as i fshehtë, as sot dhe as në të ardhmen. Ne duhet të punojmë që vizioni i Parlamentit Europian, Presidentit Sassoli dhe Komisionit Europian të mbizotërojë mbi skepticizmin e dy-tre vendeve.Rajoni ka nevojë për një vlerësim realist të rezultateve drejt standarteve europiane. Mjafton të përmendim për Shqipërinë reformën e guximshme dhe unike në drejtësi dhe konsensusin e para pak ditësh midis qeverisë dhe opozitës per reformën zgjedhore.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Integrimi europian është realizuar si një proces shpejtësish të ndryshme, por vitet e fundit shpejtësia e ecjes së vendeve të rajonit po tentohet të ngadalësohet artificialisht, nëpërmjet të ashtuquajturave rregulla të reja. Në një kohë që duhet të ndodhë e kundërta.

Ruçi u kërkoi kryeparlamentarëve të BE-së të bindin qeveritë e tyre se Ballkani Perëndimor është një rajon europian dhe jo kufitar me Bashkimin Europian, se kufijtë kulturorë të Europës janë kufijtë e saj gjeografikë dhe se kufijtë politikë dhe ekonomikë ka ardhur koha të afrohen me ta, se Ballkani Perëndimor është një vlerë e shtuar dhe jo një problem i shtuar për Bashkimin Europian.Vizioni i BE duhet të mbajë parasysh se Ballkani Perëndimor duhet të bashkohet natyrshëm me pjesën tjetër të kontinentit dhe të mos stërmundohet nën presionin e influencave joperëndimore.

Ballkani Perëndimor është vërtet më i varfëri i Europës, por nga varfëria mund të delet më shpejt nëpërmjet shtimit të investimeve perëndimore. Vlerat perëndimore konsolidohen më shpejt nëse mbështeten nga këto investime.

Ruçi nënvizoi se termat “Europa Juglindore” apo “Ballkani Perëndimor” janë thjesht terma gjeografikë, nuk janë as politikë, as kulturorë. Përmbajtja politike e tyre është  e përkohshme dhe ai ftoi kolegët e vendeve të BE-së të punojmë bashkarisht që dallimi midis këtyre rajoneve dhe pjesës të kontinentit të shuhet sa më shpejt. Ne natyrisht, kemi probleme, si ekonomitë jokonkurruese, mirëqenia e ulët, institucionet e dobta dhe demonët etnikë e fetarë të së shkuarës.” Por vlerat tona i mbizotërojnë problemet tona.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Ruçi.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nënvizoi se “Shqipëria nuk është dekurajuar nga rezervat dhe skepticizmi i disa vendeve anëtare, të cilëve u është kërkuar që, para se të shprehin qëndrimet e tyre, të vijnë në Shqipëri dhe të prekin nga afër rezultatet e problemet tona. Ne jemi të vendosur në destiancionin tonë europian dhe nuk kemi plan tjetër, as të hapur, as të fshehtë, as sot, as në të ardhmen.”, nënvizoi z. Balla.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment