Politike

Zgjedhorja/ OSBE dhe Britania mirëpresin marrëveshjen politike: Hap i rëndësishëm, do të përfitojnë edhe qytetarët shqiptarë

Përmes një postimi në Twitter, OSBE e konsideron tryezën, si një hap të rëndësishëm drejt një reforme Zgjedhore.
Featured image of article: Zgjedhorja/ OSBE dhe Britania mirëpresin marrëveshjen politike: Hap i rëndësishëm, do të përfitojnë edhe qytetarët shqiptarë Foto nga tryeza për Reformën Zgjedhore

TIRANË- OSBE ka mirëpritur marrëveshjen e sotme politike për Reformën Zgjedhore. Përmes një postimi në Twitter, OSBE e konsideron tryezën, si një hap të rëndësishëm drejt një reforme Zgjedhore. Më tej në faqen zyrtare të OSBE shkruhet: Prezenca është e gatshme të kontribuojë më tej në procesin e reformës zgjedhore sipas mandatit të saj.

 “Prania e OSBE-së në Shqipëri mirëpret marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore. Ne e konsiderojmë atë një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme zgjedhore të plotë dhe në kohë që do të adresojë të gjitha rekomandimet e pazgjidhura të OSBE / ODIHR për përfitimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prezenca është e gatshme të kontribuojë më tej në procesin e reformës zgjedhore sipas mandatit të saj”, shkruhet në njoftim.

Po ashtu, ambasadori i Britanisë së Madhe Duncan Norman ka reaguar pas uljes në tryezë të partive politike sot për reformën zgjedhore.

“E mirëpresim marrëveshjen ndër-partiake të sotme për të ndjekur reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.  Mbretëria e Bashkuar beson se dialogu gjithëpërfshirës është gjithmonë mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet politike”, shkruan ai në twitter.

Opozita dhe maxhoranca kanë arritur sot në konsensus për Reformën Zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që reforma të bëhet me konsensus dhe të ‘nxirret’ nga Kuvendi, për të marrë pjesë dhe opozita jashtëparlamentare. Tryeza erdhi kur pas një takimi suprizë me aleatët, kryedemokrati Lulzim Basha doli dhe tha formalisht emrat e dy negociatorëve në dialogun me PS, pavarësisht se gjithçka ishte bërë gati më herët me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi kanë marrë pjesë sot për herë të parë në një takim jashtë Parlamentit për miratimin e një reforme. SHBA, BE dhe OSBE kanë mbeshtetur këtë tryezë duke thënë se me bashkëpunim të vitjohet deri në fund. I kënaqur me opozitën është shfaqur dhe Rama.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment