Aktualitet

Presidenti Meta vlerëson me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’ aktorin Petrit Malaj: Ka dhënë kontribut real dhe të prekshëm

Meta i ka dorëzuar aktorit Malaj vlerësimin e lartë, ka shprehur edhe kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar, si dhe të një pedagogu me 35 vite eksperiencë në Universitetin e Arteve.
Featured image of article: Presidenti Meta vlerëson me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’ aktorin Petrit Malaj: Ka dhënë kontribut real dhe të prekshëm Petrit Malaj dhe Ilir Meta

TIRANË– Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta në një ceremoni solemne brenda ambienteve të Presidencës ku kanë marrë pjesë aktorë, regjisorë, profesorë e pedagogë të Universitetit të Arteve dhe personalitete të artit, ka vlerësuar aktorin Petrit Malaj me Titullin “Mjeshtër i Madh”.

Meta ka deklaruar se ky Titull po i jepet Malajt  me motivacionin, “Për talentin e spikatur dhe profesionalizmin në realizimin e shumë roleve artistike si në ekranin e kinemasë, ashtu dhe në skenën e teatrit; për kontributin e dhënë në organizimin dhe drejtimin e strukturave akademike të artit skenik”.

Gjatë ceremonisë dhe momentit që Meta i ka dorëzuar aktorit Malaj vlerësimin e lartë, ka theksuar edhe kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar, si dhe të një pedagogu me 35 vite eksperiencë në Universitetin e Arteve.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Kontributi i tij është real dhe i prekshëm, si në krijimtarinë aktoriale ashtu edhe në fushën pedagogjike. Me krijimtarinë e tij, Petrit Malaj është një personalitet i njohur për publikun shqiptar, ku me personazhet e interpretuara prej tij ka fituar simpatinë e të gjithëve.  Ai ka interpretuar në mbi 20 filma artistikë, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij. Zoti Petrit Malaj i përket një brezi të artë të artistëve shqiptarë. Nuk mund të lë pa veçuar rolet e tij në filmat si , “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”, “Militanti”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel Bunker”, e në veçanti në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, që është aq i dashur për publikun shqiptar edhe sot. Së fundmi ai është rikthyer me shumë sukses në teatër në shfaqjen “Vizita e Inspektorit” me regji të regjisorit Altin Basha. Z.Malaj ka luajtur krah figurave më të mëdha të filmit shqiptar. Figura ikonike të ekranit dhe teatrit të cilët janë krenaria e artit shqiptar, si Sandër Prosi, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Ndrek Luca, Timo Flloko, Kastriot Çaushi, e shumë artistë të tjerë dhe regjizorë të talentuar. Interpretimi pranë këtyre figurave të skenës dhe filmit shqiptar, fillimisht si student i disave prej tyre, e më pas si profesionist, bëri që, me eksperiencën e tij, të krijonte një profil të spikatur si aktor.” – është shprehur Presidenti  Meta.

 

A.C/Dosja.al

Shto Koment