Rajoni

Haradinaj mesazh të prerë Albin Kurtit: Krijo qeverinë e re ose hap rrugë

Haradinaj kërkon nga Kurti që të hapë rrugë për opsione të tjera.
Featured image of article: Haradinaj mesazh të prerë Albin Kurtit: Krijo qeverinë e re ose hap rrugë Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dërguar një mesazh të prerë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, që të gjejë formulën për të krijuar shumicën parlamentare në mënyrë që t’i jepet fund epilogut për formimin e qeverisë së re.

Haradinaj  shprehet se është koha e fundit që Kurti si fitues i zgjedhjeve të deklarohet se çka propozon për gjendjen e krijuar, pasi  konsideron se Kosova po rrezikon gjithçka për shkak të vazhdimit të takimeve pa kufij. Në të kundërtën Haradinaj kërkon nga Kurti që të hapë rrugë për opsione të tjera.

Unë pres nga z. Kurti që t’i thërret ndërgjegjes së vet. Ose ta gjej formulën me bë shumicën, në këtë rast me LDK-në, sepse unë s’jam palë e negociatave, ose të hapë rrugë. Të deklaron çka i propozon Kosovës fituesi i zgjedhjeve në këtë rast. Le të deklaron për çka është. A është për një qeveri teknike, a është për një qeveri tjetër, a është për të shkuar në zgjedhje. Por diçka duhet t’i thotë Kosovës nuk mund ta mbajë varur. Nuk po e them këtë me nxënë ngushtë Kurtin, sepse Kosova është e zënë ngushtë. Detyra e qeverisë janë në krizë, shiheni procesin. Unë jam i detyruar t’i them këto për shkak se unë më së miri e di se jam kryeministër në detyrë dhe jam përgjegjës. Dhe unë po i tregoj z.Kurtit se nuk është mirë të vonohet. Të lutëm mos u vono, ose krijo shumicën, ose jepi epilog kësaj gjendjes. Sepse jemi ka rrezikojmë më shumë sesa një parti. Pra jemi ka e rrezikojmë funksionimin e vendit”, thotë kryeministri në largim.

Sipas Haradinajt çdo vonesë në formimin e qeverisë do të ketë pasoja për vendin. Ai thotë se si kryeministër në largim po e ka vështirë mbarëvajtjen e qeverisë, pasi që nuk po ka fuqi vendimmarrëse.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Përveç të pakuptueshme, prolongimin e formimit të qeverisë, Haradinaj po e vlerëson si shumë të rrezikshme dhe për këtë përgjegjës po e bën vetëm Albin Kurtin dhe VV-në si parti fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, raporton Ekspress.

“Është e dëmshme kjo vonesë dhe shkakton dëme serioze në qeverisje dhe në kualitete të tjera të jetës. Pra duhet t’i japin një epilog gjendjes. Krejt Kosova pret nga Kurti dhe VV-ja epilog, cili do që të jetë ai. Por mbajtja e një gjendje në emër të një negocimi pa kufij nuk është veprim i mençur. Duhet të jetë i përgjegjshëm. Nuk jam palë e interesit në asnjë variant, por duke qenë kryetar qeverie në detyrë unë i shoh pasojat për Kosovën. Tani edhe unë kam frikë, jo pse unë s’dua të punoj, por kam frikë nëse kjo situatë vazhdon gjatë. Pra kam frikë për Kosovën jo për vete dhe AAK-në. Nëse fituesi i zgjedhjeve nuk e merr mandatin nuk i respekton afatet, pra nuk e kuptoj këtë gjendje. Kjo për mua është tepër e pakuptueshme. Përveç që është e pakuptueshme është edhe e rrezikshme. Mendoj që kjo qasja e z.Kurtit, vonesat, nuk janë në rregull. Është kuptuar ndoshta derisa nuk është certifikuar rezultati dhe deri sa nuk është konstituua parlamenti, por tash e tutje është problem kjo gjendje”, thotë Haradinaj.

Pak ditë më parë u themelua dhe legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës, por nuk është tentuar formimi i qeverisë. Vetëvendosje ka 29 deputetë në Kuvend, LDK 28, Partia Demokratike e Kosovës 24, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb. Negociatat deri më sot kanë dështuar, pasi LDK ka kërkuar që të marrë kreun e Kuvendit, Presidentin dhe 5 ministri, pra gjysmën e kabinetit. Por  disa ditë më vonë LDK tha se heq dorë nga kreu i Kuvendit, duke ofruar një marrëveshje të palëkundur për 5 ministri dhe presidentin.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment