Editorial

Ra kjo taksë e u pamë!

Kosova ka qenë gjithmonë e gozhduar kur është ulur e pabarabartë me Serbinë në tavolinën dialoguese
Featured image of article: Ra kjo taksë e u pamë!

Uniteti me Hashim Thaçin e Edi Ramën për heqje të taksës dosido, nuk i bën nder LDK-së. Hiç e hiç Albin Kurtit. Andaj shpresoj që Kryeministri Kurti nesër nuk do ta bojkotojë seancën e jashtëzakonshme në Kuvend, dhe do të rreshtohet në anën e të vërtetës. Në këtë skenar, neve na mbetet që të jemi ushtarë të tij deri në fund.

Kosova ka qenë gjithmonë e gozhduar kur është ulur e pabarabartë me Serbinë në tavolinën dialoguese. Ka diskutuar me Serbinë për vetëveten, për shtyllat e shtetësisë së saj, për të ardhmen e saj. Ka buzëqeshur me zor, duke mbledhur koleksion fotografish me Ashtonin, Cooperin, e Mogherinin, e duke i mbijetuar thikave të Beogradit pasi që kanë dalë nga dera e dhomës dialoguese në Bruksel. Kosova nuk duhet të vazhdojë më të jetë urë lidhëse e Serbisë me Evropën, duke shkelur ekzistencën dhe sovranitetin e saj.

Nëse taksa 100% qenka pengesë e dialogut, çka është atëherë agresiviteti kriminal mbi 20 vjeçar i

Serbisë ndaj Kosovës, interferimi i saj në çështje të brendshme, dhe lobimi i pandërprerë për dobësim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës?!

Nëse ju kanë bindur se taksa është pengesë për dialog, të jeni të bindur poashtu se pas 90 ditësh kur të dëshpëroheni sërish nga sjelljet e mirënjohura të Serbisë së vjetër, aplikimi i reciprocitetit pastaj do të cilësohet edhe më keq – si shpallje lufte ndaj Serbisë! Dhe presioni do rritet e shumëfishohet edhe më tej, përpara Finales së Madhe!

Aktualisht, 2 qasje provojnë të sfidojnë të vërtetën rreth tarifës:

QASJA PARAZITARE: “Kosova dështoi në politikën e jashtme, Serbia korri sukses. Në shenjë hakmarrjeje, Kosova e vuri tarifën. Tarifa ndali dialogun dhe bllokoi ndarjen. Sot, përderisa Serbia suksesshëm po arrin të tërheqë njohje e të bllokojë Kosovën ndërkombëtarisht, Kosova duhet të pranojë kushtëzimet e Serbisë për t’u kthyer në proces dialogu. Kur të fillojë procesi, do të nënshkruajmë prapë ndonjë marrëveshje të re të pjesshme, si Zajednica e Fusnota, e Serbia prapë do të korrë sukses. Ne pastaj do vendosim parimin e reciprocitetit. Le të del ku të del me Kosovën.

E rëndësishme që ne “parazitët politik” të dukemi verbërisht pro-amerikan, qoftë edhe duke iu nënshtruar Serbisë. Grenelli është i duhuri, BE-ja nuk na duhet.”

QASJA MASHTRUESE: “U bë mirë që projekti i ndarjes dështoi, dhe ska më rrezik prej tij.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Vendosja e tarifës ishte e drejtë, por e pamjaftueshme. Vuçiqi ka ndryshuar për të mirë, dhe ne do të tregojmë vullnet të mirë dhe do t’ia pranojmë kushtin Serbisë përmes copëtimit të tarifës 100%, duke e hequr atë gradualisht për 15 ditë. Nëse Serbia e ndalë fushatën e ç’njohjeve, ne nuk do të vendosim asnjë masë ndëshkuese, madje as të zhdukurit as kërkimfaljen nuk do e kërkojmë para se të ulemi në tavolinë. Nuk ka lidhje për dëmin e pariparueshëm që e na ka shkaktuar Serbia me ç’njohje, ato që janë tërhequr nuk na duhen më, dhe Serbia nuk ka nevojë të jep llogari e përgjegjësi për to. Ne sot i besojmë asaj, dhe mendojmë që edhe ajo do të sillet me mirëbesim me ne. E rëndësishme është të ulemi në tavolinën dialoguese, sado i gjatë, i vështirë, e i paqartë të jetë procesi dhe epilogu. T’a këmbejmë tarifën me liberalizimin e vizave, sepse BE-ja do i përgjigjet pozitivisht thirrjes sonë. Nuk ka rëndësi që kanë shkuar 8 vjet punë për përmbushje kriteresh të padrejta. Ne i besojmë BE-së e Borellit se do na ndihmojë të fitojmë disa pikë positive në popull, e të kompensojmë pikët negative me ripushtimin ekonomik të Serbisë. Borelli, edhepse vjen nga shteti që nuk na njeh, ka një benefit për ne. Grenellin nuk e duam, sepse na duket se po qëndron i heshtur pro ndarjes, është mik i Presidentit Thaçi, dhe kështu ne nuk do të mund t’a kundërshtojmë. Tek e fundit, nuk ka lidhje nëse ndahet Kosova. E rëndësishme është që përderisa ndryshojmë ne, pushteti të mbetet i pandryshuar.”

E VËRTETA: Dialogu është ndërprerë me 16 janar 2018, në mëngjesin që është vrarë Oliver Ivanoviq. Taksa 100% është vendosë me 21 nëntor 2018, pas ofanzivës kriminale të Serbisë (mes tjerash) për të penguar përpjekjet e aleancës së Kosovës me Amerikën, Britaninë e Madhe etj. për anëtarësimin e shtetit tonë në Interpol dhe zgjerimin e diametrit të sigurisë në Ballkan. Taksa nuk është vendosë për t’a bllokuar dialogun (sepse ai veç ka qenë i bojkotuar nga Serbia shumë më herët), e as për të arritë efekt vetëdijësimi që populli të mos blejë produkte serbe. Mbajtja e taksës – pastaj – është shndërruar në betejë të ashpër për t’a fundosur lundrimin e idesë monstruoze të korrigjimit/shkëmbimit, e copëtimit të Kosovës, duke dobësuar përpjekjet e Serbisë për planin serbomadh, duke prapësuar eksponentët shqiptar që përkrahën këtë ide, dhe duke asgjësuar uraganin tragjik që i kanosej Kosovës e rajonit. Presioni astronomik ndaj Kosovës për të hequr taksën, u harxhua kur dha dorëheqje autori i kësaj takse. Ofertimi i sotëm i heqjes së saj pa kushte, pa cak final, pa garanci të njohjes, dhe pa asnjë presion të koordinuar ndaj veprimeve të Serbisë, është zbrapsje e turpshme e Kosovës, në moment vendimtar. Është dobësim pozicioni para finales, dhe amnisti e Serbisë për mohim të krimeve e për moskthim të të pagjeturve, edhe sot pas 20 vitesh. Nuk mund të fitohet debati me të vërtetën!

Në pamundësi që t’i hakmerret Serbisë me reciprocitet të balancuar me të njejtën monedhë, Kosova vendosi taksën mbrojtëse prej 100% si reciprocitet asimetrik – në atë fushë që kishte mundësi veprimi. Ndërsa Serbia në anën tjetër, përveç që ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, ka ambicie të defunksionalizojë shtetin tonë përmes Dodik Republikës (lexo: Asociacion me kompetenca ekzekutive), ajo poashtu vazhdon të shkaktojë dëme të pariparueshme me të ashtuquajturën tërheqje të njohjeve, duke degraduar imazhin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë të ri. Andaj, do ishte gabim i madh nëse kalon e pa ndëshkuar!

Vullneti i qytetarëve të Kosovës për bojkot të produkteve serbe nuk është i mjaftueshëm, sepse problemi nuk është ekonomik por politik. Taksa ka përafruar mundësinë e arritjes tek Finalja e Madhe – dhe tani duhet qëndruar ME UNITET TË PLOTË deri në epilogun e njohjes reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues. Uniteti i pjesshëm për proces të ri dialogimi, e rikthen dialogun famëkeq të Presidentëve, dhe eklipson të gjitha koncesionet e vazhdueshme që ka bërë Kosova për më shumë se 20 vite dialogim të pabarabartë me Serbinë. Taksa duhet të këmbehet vetëm me epilog në mes të të barabartëve, e jo me proces të ri të tejkaluar e diskredituar tashmë.

Besimi ndaj Serbisë është fitore për Vuçiqin.

Uniteti me Hashim Thaçin e Edi Ramën për heqje të taksës dosido, nuk i bën nder LDK-së. Hiç e hiç Albin Kurtit. Andaj shpresoj që Kryeministri Kurti nesër NUK do ta bojkotojë seancën e jashtëzakonshme në Kuvend, dhe do të rreshtohet në anën e të vërtetës. Në këtë skenar, neve na mbetet që të jemi ushtarë të devotshëm të tij deri në fund.

(Autorja është këshilltare politike e ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj, e diplomuar në studime postdiplomikepër Diplomaci në Universitetin e Oxfordit.

Marrë nga Ekspress

Shto Koment