AktualitetFactcheck

Dosja KRUJA-‘Erdhi ujku’, sinjali që largoi pronarin e parcelave me drogë, i forti i Niklës Astrit Rryçi dhe skandali i lirimit nga drejtësia shqiptare

Dosja.al sjell vendimin e gjykatës së Apelit në Tiranë, ku zbulohet sesi pronari i parcelave me drogë në Krujë, Astrit Rryçi ia doli të largohet pas sinjalizimit nga telefoni. “Erdhi ujku”, ishte kodi që njoftoi Rryçin, një emër i njohur për policinë. I dënuar për vrasje me 23 vite burg, i arrestuar me bandën e Niklës, ai sërish ia doli të fitojë lirinë.

TIRANË– “Malësia e Krujës” ishte operacioni që solli arrestimin e 19 personave në Krujë, të cilët u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në zonën e pyllëzuar të fshatrave Shkretë, Mafsheq, Nojë, Qafë ShtamëPicrragë, Brret, Borizanë të Bashkisë Krujë. Të arrestuarit e këtij operacioni ishin banorët e disa fshatrave, ku ndalemi tek Dosja që kemi zgjedhur të trajtojmë ditën e sotme. Bëhet fjalë për banorët e fshatit Brret Krujë, të cilëve iu janë lehtësuar tashmë masat e sigurisë nga gjykata e Apelit në Tiranë.

Lulzim Danaj, Nezir Murati, Ramiz Kulla, Muharrem Kulla e Ermal Kulla, janë arrestuar në mega-operacionin e 28 gushtit, me akuzën se kanë kultivuar bimë narkotike në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Gjykata e Apelit në Tiranë, në seancën e 31 gushtit 2019, vendosi lirimin e menjëhershëmMuharrem Kullës, Ramiz Kullës dhe Ermal Kullës, ndërsa për të arrestuarit e tjerë, gjykata ka lënë në fuqi, masat e sigurisë të caktuara nga gjykata e Shkallës së Parë në Krujë.

Arrestimi i fshatarëve, policisë i ikën “peshku i madh”

Policia e Shtetit dhe ministri Sandër Lleshaj nxituan që t’a quanin një super-sukses këtë operacion, i cili siç thotë edhe gjykata në këtë vendim, të siguruar nga Dosja.al, nuk mund të mbajë të arrestuar një grup njerëzish, të cilët kanë biseduar me njëri-tjetrin në telefon, dhe flasin për…ujin.

I akuzuari kryesor si pronari dhe trafikuesi i parcelave me kanabis në Krujë, sipas prokurorisë është Astrit Rryçi, 41 vjeç, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, me bëmat e të cilit do t’ju njohim më poshtë . Autoritetet shqiptare jo vetëm që nuk arritën të arrestonin pronarin e vërtetë të drogës, por prangosën disa fshatarë me pretendimin se kanë informuar dhe bashkëpunuar me Rryçin, duke lejuar që ‘peshku’ i madh’ të largohet.

‘A ka ra ujku, ma jep ujin një orë e gjysëm të ujis hardhitë e reja’-kodet e fshatarëve me Rryçin

Në vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, është edhe një nga bisedat ku prokuroria është bazuar për të kërkuar arrestimin e personave të sipërpërmendur.

Sjellim komunikimin e personit të akuzuar Muharrem Kulla, me numër telefoni (0692456016) me pronarin e parcelave të drogës, Astrit Rryçi, (0684553473). Në bisedën e dytë mes Rryçit dhe Ramiz Kullës, ky i fundit i kërkon ujin për të ujitur hardhitë e reja, që sipas prokurorisë është kodi për bimët narkotike.

0692456016:- A i rujte damoten o Lec

0684553473:-As pa me ta sjam

0692456016: ku je ke shpaja

0684553473:-tu pre jonxh jam

0692456016: a i ke lëshu lopët, naka ra ujku ke kulla hasanit, se ka ra ujku

0684553473:-a ka ujku sak, a je tu talle

0692456016: në faqen e hasanit është ulur tu pushu iherë

0684553473:-ku i thu kulla Hasanit

0692456016: ke kulla faqe këtej

0684553473:-nga Marmi

0692456016: në faqen këtej

0684553473:-matane drone

0692456016: po tu vrejt nga ty është

0684553473:-si tu vrejt nga unë

0692456016: tu pa nga ti janë më thanë barinjtë se janë tu pa nga tej

0684553473:- a kanë dalë në Brret

0692456016: janë 15 tufa rresht

0684553473:- e kam dëgju se do vijnë ujqërit

0692456016: në cep kullës Hasanit tu vrejt andër ke kulla Hasan Danit

0684553473:-e kam dëgju se kanë thënë 10 ditë rresht

0692456016: në to nuk lehin as qentë

0684553473:-jo, jo, se i sheh tu afru këtej ma ba një zile

0692456016: po, po

0684553473:-ore për të erdhë kanë, ske ci bën të marrin në qafë.

Biseda e dytë e përgjuar, mes Ramiz Kullës dhe Astrit Rryçit:

0692456016: He Ner

0685836960: A mund të ma japësh ujin një orë  e gjysëm pas mbrëmjes ti ujis nja 10-20 rrënjë hardhija të reja

0692456016: Pore pse jo

0685836960: E të rujt Zoti, si ta freskoj ta lësho Skënderi në vend. Se të kallzoj kur ta lëshoj.

Vendimi i Gjykatës së Apelit dhe përgjimet që prangosën fshatarët e Krujës

Janë këto dy biseda që kanë sjellë arrestimin e fshatarëve, të cilët sipas prokurorisë akuzohen se kanë ndihmuar Astrit Rryçin të kultivojë lëndë narkotike, por edhe e kanë sinjalizuar për veprimet e policisë së Shtetit. ‘Ujku’ në përgjime është policia, ndërkohë që ‘domatet’, hardhitë, bagëtitë, lopët, dhitë’, janë kodet e përdorura mes tyre për kanabisin. Megjithatë, kjo provë për gjykatën e Apelit në Tiranë nuk është e mjaftueshme për të mbajtur në burg tri të arrestuarit.

Kush është Astrit Rryçi? I forti i Niklës, pjesë e bandës së Hakajve, vrau Artur Kolën për prostitutat shqiptare në Itali

Astrit Rryçi është i njohur për drejtësinë shqiptare, dhe atë italiane. Ai është arrestuar në vitin 2015 në Itali, pasi akuzohej për një vrasje të kryer në vitin 2005Venecia. Rryçi u dënua nga gjykata e Apelit Venecia me 23 vite burg, pasi akuzohet se vrau në një pikë Artur Kolën.

Astrit Rryçi, pronari i parcelave me droge ne Kruje

Drejtësia italiane nxorri si shkak për vrasjen, rivalitetin mes bandave shqiptare për kontrollin e prostitucionit në rrugën Terraglio. Pritej që ai të ekstradohej në Shqipëri për të vuajtur dënimin, ndërkohë që lirimi i tij ,është edhe më i çuditshëm, duke nxjerrë sërish në dukje masakrën që kanë bërë gjykatat shqiptare, në dhënien e drejtësisë.

Një vit pasi u arrestua për vrasjen e Artur Kolës, Astrit Rryçi bie sërish në prangat e policisë shqiptare. Operacioni “Shënjestra”, goditi bandën e Niklës me 21 dhjetor 2016, ku u arrestuan 9 persona mes tyre edhe Astrit Rryçi.

Mes të arrestuarve ishin pjesëtarë të fisit Bami dhe Haka, dy familje të njohura për një sërë ngjarjesh kriminale në zonën e Niklës. Bashkë me Rryçin u arrestua edhe Mareglen Haka, (një muaj më parë iu bë atentat, lexo këtu), Edison Pula, Ilir Caca, Klaudio Ismalaja, Muharrem Sheta, Fadjol Anamali, e Arjan Ademi. Akuzat për grupin e Niklës nisnin nga trafiku i drogës tek tentativat e vrasjes për atentateve me tritol, vjedhjeve me dhunë, kërcënimit, e kundërshtimit të policisë.

Edhe për këto akuza Astrit Rryçi ia doli të bindte gjykatën dhe të fitonte lirinë, për t’u rikthyer në vëmendje të medias në gusht të këtij viti, ku ai është skeduar nga prokuroria si pronari i parcelave me kanabis, që ka bërë për bashkëpunëtorë, jo pak, por plot 19 fshatarë të zonës së Krujës.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment