Aktualitet

Situata pas tërmetit, çfarë propozojnë ekspertët sizmologë: Hartë e re sizmike për dy vite

Periudha afro 30-vjeçare e qetësisë nga lëkundjet sizmike “përgjumi” institucionet përgjegjëse për përditësimin e hartës sizmike të Shqipërisë, mbi të cilën janë bazuar dhe ndërtimet e deritanishme.
Featured image of article: Situata pas tërmetit, çfarë propozojnë ekspertët sizmologë: Hartë e re sizmike për dy vite Foto ilustruese

TIRANË- Aktiviteti sizmik që ka nisur vitin e shkuar, duke kulmuar me atë të 26 nëntorit 2019,sollën në vëmendjen jo vetëm të njerëzve, por dhe të institucioneve përgjegjëse se Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik.

Periudha afro 30-vjeçare e qetësisë nga lëkundjet sizmike “përgjumi” institucionet përgjegjëse për përditësimin e hartës sizmike të Shqipërisë, mbi të cilën janë bazuar dhe ndërtimet e deritanishme. Kjo hartë miratohet për zbatim vetëm me vendim qeverie.

Harta sizmike është thelbësore jo vetëm për të kuptuar procesin dhe historikun e lëkundjeve të tokës, por shërben edhe si element bazë për ndërtimet e reja.

Por çfarë duhet të bëjë qeveria dhe institucionet në kushtet e reja që ndodhet vendi pas tërmetit dëmtues të 26 Nëntorit? Hapi i parë është pikërisht përditësimi i hartës së rrezikut sizmik.

Aktualisht, teksa vende të tjera e përditësojnë këtë hartë çdo 5-6 vjet, Shqipëria prej 40 vjetësh vijon të ndërtojë me hartën e rrezikut sizmik të vitit 1979, ndërkohë që situata ka ndryshuar.

Specialistët thonë se do të duhen të paktën dy vjet për të ndërtuar hartën e re të rrezikut sizmik. Prof. Dr. Neki Kuka, një nga autorët kryesorë të studimit të financuar nga programi SPS i NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri”, mbi harmonizimin dhe përmirësimin e hartave të rrezikut sizmik në Ballkanin JugPerëndimor, ka paraqitur një projekt-propozim për përpilimin e hartave kombëtare të rrezikut sizmik në pajtueshmëri me kërkesat e Eurokodit 8.

Sipas propozimit të profesor Kukës, hartat e përpiluara nga projektet BSHAP (2007-2011) dhe BSHAP2 (2013-2015), të finanuara nga NATO, për harmonizimin dhe përmirësimin e hartave të rrezikut sizmik për Ballkanin JugPerëndimor, “janë një bazë e mirë për të karakterizuar rrezikun sizmik të rajonit, por ata kanë karakter rajonal dhe nuk mund të zëvendësojnë hartat kombëtare të rrezikut sizmik, të cilat kërkojnë një shkallë më të lartë detajimi”.

Prandaj lind nevoja e përpilimit të hartave kombëtare të rrezikut sizmik, që do të shërbenin dhe si bazë për implementimin e standardit të Eurokodit 8, që fatkeqësisht në vendin tonë nuk është ende i detyrueshëm.

Në propozimin e profesor Kukës thuhet:

Përpilimi i hartave kombëtare të rrezikut sizmik, të cilat do të shërbenin si bazë për implementimin e standardit të EC8 në vendin tonë, do të kërkonte ndërmarrjen e një projekti të plotë me kohëzgjatje të paktën 2-vjeçare, i cili do të përfshinte:

-Hartimin e një katalogu homogjen e të unifikuar tërmetesh në termat e magnitudës së momentit, MW,që përfshin të gjitha tërmetet me magnitudë MW ≥ 3.5 që kanë rënë brenda territorit të vendit tonë, si dhe në fqinjësi të tij të paktën 150-200 km larg nesh. Katalogu i ri duhet të përfshijë të gjitha burimet e informacionit që disponohen, jo vetëm në arkivat tona por edhe në ato ndërkombëtare (ISC, EMSC, etj.).

-Rishikimi i zonimit sizmotektonik të vendit dhe të rajonit përreth dhe ndërtimi i bazës përkatëse të të dhënave sizmotektonike. Identifikimi dhe karakterizimi numerik i thyerjeve tektonike kryesore që kanë gjeneruar tërmetet e fortë me magnitudë ≥ 6.0, ose në pamundësi të realizimit të kësaj detyre të hartohet një model i përgjithësuar (Composite Fault Model) i cili të sigurojë një përshkrim dhe karakterizim realist të thyerjeve kryesore tektonike brenda vendit tonë dhe në fqinjësi të tij.

-Identifikimi dhe implementimi në kuadrin e një modeli të zgjeruar “logic tree” i modeleve të reja (GMPE) të prognozimit të lëkundjeve të truallit, duke pasuruar bazën e modeleve tashmë të implementuar.

-Përmirësimi i metodologjisë së vlerësimit probabilitar të rrezikut sizmik, duke implementuar në praktikë jo vetëm metodën e sizmicitetit hapësinor të lëmuar të përdorur në projektet BSHAPe BSHAP2, por edhe modelet e bazuara në thyerjet tektonike dhe vrojtimet aktuale GNSS. Vlerësimi i rrezikut sizmik dhe përpilimi i hartave probabilitare do të bazohet jo vetëm në programin llogaritës OHAZ2015, por edhe në sistemin e programeve OpenQuake të zhvilluar në kuadrin e projektit ndërkombëtar GEM (Global Earthquake Model).

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

-Implementimi në web i rezultateve të rrezikut sizmik duke ju mundësuar të gjithë përdoruesve brenda dhe jashtë vendit akses të lirë në rezultatet e vlerësimit të rrezikut sizmik; marrja e vlerësimeve të PGA, PGV, SA për çdo shesh studimi, për periudhat e specifikuara të përsëritjes (95, 475, 975, 2475 vjet); ndërtimi “online” i spektrave përkatës me rrezik uniform, shpërbërja e rrezikut sizmik dhe përcaktimi i skenareve tërmetorë që mund të ndikojnë sheshin e studimit dhe strukturën që parashikohet të ndërtohet në këtë shesh.

Harta sizmike

Por realizimi i një projekti të tillë kërkon angazhim serioz të një grupi studiuesish në fushat pëkatëse, një periudhë kohore të paktën 2-vjeçare si dhe burimet financiare përkatëse.

Harta e rrezikut sizmik dhe standardet në ndërtim

Prof. Kuka propozon ndërmarrjen e një projekti ndërmjetës për përpilimin e hartave probabilitare provizore të rrezikut sizmik për territorin e vendit tonë, të cilat do të përdoren deri në përpilimin dhe miratimin nga instancat shtetërore të hartave të reja të rrezikut sizmik, pra të paktën për një periudhë 2 apo 3-vjeçare. Ndërtimi i këtyre hartave do të bazohet në rezultatet dhe arritjet e projekteve BSHAP, por duke përditësuar bazën sizmotektonike të të dhënave pasi katalogu BSHAP i tërmeteve përfshin ngjarjet sizmike deri më 31.12.2012. Hartat e reja duhettëbazohen në katalogun e përditësuar deri më 31.12.2019, duke përfshirë në mënyrë të veçantë tërmetet e fundit në zonën e Durrësit. Llogaritjet e reja të rrezikut sizmik jo vetëm që do të kryhen duke përdorur katalogun e përditësuar të tërmeteve, por do të kryhen në një rrjet të dendur (5×5 km) dhe jo 10×10 km si në projektet BSHAP.

Pra hartat do të jenë në një shkallë më të lartë detajimi. Vlerësimi do të kryhet për kushtet e truallit me shpejtësi mesatare 800 m/sek në 30 metrat e sipërme të prerjes, që i korrespondon kategorisë A të truallit sipas EC8. Kështu që rezultatet e marra do të jenë në pajtueshmëri të plotë me standardin e Eurokodit 8 për zonimin sizmik dhe projektimin antisizmik.

KTP dhe Eurokodi 8

Aktualisht në Shqipëri ndërtimet bëhen mbi bazën e KTP-89 (Kodi Teknik i Projektimit), i cili daton mbi 30 vjet para,të miratuar me vendim qeverie, dhe Eurokodit 8, që është standardi europian për ndërtimin.

KTP është me pak konservativ në raport me Eurokodin 8, i cili përfaqëson normën europiane të projektimit të strukturave prej betoni të armuar në zonasizmike. Përditësimi i fundit i KTP është ai i viti 1989 me miratimin e KTP-N.2-89. Përpara kësaj periudhe, ndërtimet në vendin tonë bëheshin me një kod akoma më të vjeter edhe më inferior ndaj kërkesës sizmike, KTP-N.2-78 e më parë edhe me KTP-63.

EUROKODI 8

Standardet e Eurokodeve sigurojnë rregulla të zakonshme strukturore për përdorim civil për hartimin e strukturave të tëra dhe produkteve përbërëse të një natyre tradicionale dhe inovative. Format e pazakonta të kushteve të ndërtimit ose projektimit, si TEC-et, HEC-et etj., nuk janë të përfshira në mënyrë specifike dhe projektuesi do të kërkojë informacione shtesë nga eksperti në raste të tilla.

Eurokodi 8 është miratuar në 1998 dhe vlen për projektimin e ndërtesave dhe punimeve të inxhinierisë civile në rajone sizmike.

Qëllimi i tij është të sigurojë që në rastet e tërmeteve:
• jeta e njerëzve të mbrohet,
• dëmtimi të jetë i kufizuar,
• strukturat e rëndësishme për mbrojtjen civile të mbeten funksionale.

Marrë nga Tirana News

(a.m/dosja.al)

Shto Koment