Aktualitet

Dosja ‘Hajdari’/ Burg për Izet Haxhinë…’topi’ në derën e Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë do të shprehet për dosjen "Hajdari" dhe ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhia. Në seancën e zhvilluar sot tek Krimet e Rënda, avokatët kërkuan lirimin e Haxhisë dhe shprehjen e gjykatës së Lartë, kërkesë kjo e pranuar pjesërisht.
Featured image of article: Dosja ‘Hajdari’/ Burg për Izet Haxhinë…’topi’ në derën e Gjykatës së Lartë Izet Haxhia
Përditësuar:

TIRANË- Gjykata për Krimet e Rënda ka shpallur moskompetencë për dosjen “Hajdari”, duke e kaluar për interpretim në gjykatën e Lartë. Sot u zhvillua seanca e radhës, në ngarkim të Izet Haxhisë, ish-truproja e Sali Berishës, për akuzën e vrasjes së Azem Hajdarit në shtator të 1998.

Avokati i Haxhisë, Idajet Beqiri ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg”, në gjykim në gjendje të lirë. Mbrojtja e Haxhisë gjithashtu kërkoi që Gjykata për Krimet e Rënda të shpallë moskompetencë për dosjen, dhe gjykimi të bëhet nga gjykata e Lartë, kërkesë kjo që u pranua pjesërisht. Togat e zeza vendosën të lenë në burg Izet Haxhinë deri sa të shprehet gjykata e Lartë.

Tashmë “topi” është në derën e Gjykatës së Larte, e cila është ende jo funksionale për shkak të ‘djegies’ së anëtarëve nga Vettingu. Me ngritjen e saj, do të jepet edhe interpretimi për mosmarrëveshjen mes gjykatës së Tiranës dhe asaj për Krimet e Rënda, të cilat nuk kanë pranuar të marrin këtë dosje për gjykim.

Izet Haxhia, ish-truproja e Sali Berishës është i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari. Pas shumë vitesh arrati në Turqi, Haxhia u ekstradua në vitin 2018. Izet Haxhia ka mohuar autorësinë e krimit, gjithashtu edhe gjyqtarët që ishin në Apelin e Tiranës. Çështja e Izet Haxhisë fillimisht iu caktua me short gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila është gruaja e Azem Hajdarit, por këta gjyqtarë nuk u pranuan nga Haxhia.

Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kërkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha. Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet.

Vetë ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar ish-njeriun e tij të besuar se është ai vrasësi i Azem Hajdarit, sëbashku me Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin. Ndërsa nga ana tjetër, Izet Haxhia kërkon të zbulohet personi që nxori Azem Hajdarin nga selia e PD mbrëmjen e 12 shtator, duke hedhur akuza të forta te ish-kryetari i PD, Sali Berisha.

(F.g/dosja.al)

Një Koment në “Dosja ‘Hajdari’/ Burg për Izet Haxhinë…’topi’ në derën e Gjykatës së Lartë

  1. Izet Haxhia eshte denuar me 25 vjet burg, ekstraduar nga Turqia mbas shume vjetesh (evitoi burgosjen dhe u arratis) dhe avokati I tij politik (Idajet Beqiri debuar nga Belgjika per nxitje Te urrejtjes dhe kryetar I partise se Unitetit Kombetar) kerkon Te gjykohet ne gjendje Te lire?!

Shto Koment