
TIRANË– Fatbardh Plaku, ish-kryekomunari i Farkës është një nga ish-zyrtarët e shpallur sot në kërkim nga Policia e Tiranës, e cila zhvilloi sot një mega-aksion në kryeqytet për të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e zbuzimeve me ndërtimet. Por Plaku nuk është një person i panjohur për publikun e gjerë. Ai ka qenë pre e një sulmi me predhë antitank, para gjashtë vitesh, teksa iu godit vila në Farkë.

Ngjarja ndodhi në mesnatën e datës 25 mars 2014 dhe kamerat e sigurisë filmuan momentin e lëvizjes së predhës dhe goditjen me murin e vilës tre katëshe të kryekomunarit Fatbardh Plaku, në zonën e njohur si Farkë e Vogël, në periferi të Tiranës.

Pamjet tregojnë se si vila e kryekomunarit të Farkës qëllohet me predhë anti-tank në pjesën ballore, nga 100 metra largësi. Në momentin e sulmit, brenda në vilë ishte e gjithë familaj e Plakut, më saktë në katin e dytë të saj.
Vetë Plaku, i cili ka qenë në krye të komunës së Farkës prej 17 vitesh, u shpreh në atë kohë se familja e tij u shokua. Fatmirësisht shpërthimi la pas vetëm dëme materiale. Policia e Tiranës ka zhvilluar një mega-operacion pasditen e sotme në periferitë e Tiranës. Në pranga kanë rënë 27 persona, mes tyre ndërtues, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të zonave periferike të kryeqytetit, ndërsa po punohet për kapjen e 11 të tjerëve. Të arrestuarit dhe të shpallurit ën kërkim akuzohen për abuzime me ndërtime që kanë sjellë pasoja të mëdha pas tërmetit të 26 nëntorit.
(f.m/dosja.al)